Monday, 9 February 2026

Kush është “Diaboliku”?


Një mikja ime në Gjermani më pyeti se a është “Diaboliku” një njeri i vërtetë apo një përzjerje personash. (I referohej shkrimit tim të djeshëm të postuar në blog.) Ju përgjigja se “diaboliku” është dikush brenda gjithsejcilit prej nesh duke u nisur nga një postulat i pranuar nga të gjithë se “brenda nesh jetojnë edhe ëngjëlli dhe djalli”. Ajo nuk u kënaq nga kjo përgjigje “përgjithësuese” dhe më dërgoi një përcaktim të gjetur mbase tek Artificialka, që e përcaktonte si dikë “djallëzor dhe mizor në ekstrem”.

Meqënëse ajo jeton në Postdam i thashë se nuk është e thënë që portreti-karikaturë të jetë i dikujt të ngjashëm me Hitlerin (apo edhe me Edin ose Saliun), ndonëse nuk e di se si do sillej personi në fjalë nëse do kishte pushtet të pakufizuar. Më tej diskutimi vazhdoi në parim nëseduhet apo jo që emri i vërtetë të vihet në shkrim dhe nëse idea për portretin lind nga një lloj meskiniteti im. I sqarova që kjo ka qënë prej disa vitesh një ide e sugjeruar nga avokati im, që tashmë e ka mbyllur zyrën në Lion, për “t’ju çjerrë maskën, gjithë atyre që kamuflohen pas një portreti të bukur me ngjyra virtytesh”. Nuk di nëse e binda.

Diskutimi me të më futi në qerthullën e zakonshme të mendimeve pro dhe kundër, se a duhet bëtë diçka, nëse sjell dobi për veten dhe të tjerët dhe ai bëhet kujt vonë se ç’farë shkruaj, për kë shkruaj dhe përse e shkruaj. Nëse për të parën (ç’farë shkruaj) nuk ka ndonjë interes të dukshëm, për të dytën dhe të tretën kam vënë re një zgjim të interesit. Ka disa të njohur që më pyesin se për kë bëhet fjala në shkrime të caktuara ku unë dëshmoj “mungesën e principialitetit” dhe pasi i sqaroj se për kë bëhet fjalë, më pyesin se ç’qëllim kam pasur.

Po a është “karikaturizimi” një qëllim në vetvete dhe pa vlerë?

Një përgjigje shteruese mund të na jepte një karikaturist i vërtetë (jo djali i Lando Karanxhës) ose një shkrimtar i shquar satirist, por unë (për momentin) nuk njoh ndonjë të tillë.

Ndaj po jap një përgjigje tepër të cekët.

Portretet-karikaturë, që në më të shumtën e rateve nuk janë aspak miqësore (ky cilësor më kujton vërejtjen që më bën një kushërira e ime) lindin nga nevoja për të treguar botën dhe njerëzit në një dritë më pranë së vërtetës. Edhe pse në to shmanget pjesa “ëngjëllore” e personit të vërtetë, ato shërbejnë për ballafaqimin e vetvetes të gjithkujt (shkruesit dhe lexuesit) me pjesët “diabolike” të cilat i shtyn poshtë e më poshtë pjesës së dukshme të tij, por pa i asgjesuar.

“Këtu ja fute p... kot!” mund të hidhet një tjetër mik i afërt, por unë tani e shkruajta dhe nuk kam ndërmend ta fshij.

Ashtu si nuk kam për të fshirë shkrimin “Diaboliku” dhe të gjithë shkrimet e mija të tjera me karakter “demaskues”. 

No comments:

Post a Comment