Saturday, 28 February 2026

“Të korruptuarit” që nuk pyesin për ligjet ndërkombëtare


Ka disa miq dhe të njohur, që reagojnë në kundërshtim me shkrimin e sotëm rreth sulmit të Amerikës dhe Izraelit ndaj Iranit. Më vjen mirë që kjo ndodh, sepse edhe unë jam në gjendje të kuptoj më mirë jo vetëm këndvështrimet e ndryshme, por edhe thelbin e të vërtetës të ngjarjeve të tilla, të cilat nuk janë kaq “clear cut” (të prera me thikë).

Argumenti më i fortë, i bazuar në faktet reale, është që një pjesë e mirë e popullit iranian i mirëpret bombardimet, sepse jo vetëm janë dërmuar nga gati 50 vite të sundimit të mullave, por edhe për të shpëtuar nga masakrat e tre muajve të fundit, ku flitet se janë vrarë mbi 100 mijë njerëz.

Me një fjalë thonë:

E mira e madhe e ndalimit të masakrave dhe rënies së regjimit qëndron mbi “të keqen” e shkeljes të ligjeve ndërkombëtare.

Një nëntekst i këtij përfundimi (deri diku të logjikshëm) është që njerëzit e këqij (Trump, Netanjahu, Rama) mund të bëjnë edhe gjëra të mira.

Nuk është diçka tërësisht e gabuar, se edhe tiranët kanë bërë ndonjë gjë të mirë, por unë them se nuk është e vlefshme për rastin e bombardimeve të sotme, që mund të kthehen edhe në një luftë të madhe rajonale.

Për të mos shkuar shumë larg, problemet kryesore me Iranin (projekti nuklear, sponsorizimi i terrorizmit, shkelja e të drejtave të njeriut etj.) u prekën gjërë e gjatë në mandatin e dytë të Obamës dhe me pjesëmarrjen e Bashkimit Europian, Rusisë dhe Kinës. Me kërkesën e Netanjahut (kundërshtar i negocimeve), Trump u tërhoq prej tyre që në fillim të mandatit të tij të parë, pa i zëvendësuar me një përpjekje tjetër diplomatike (dhe presioni). Edhe pse në atë kohë nuk kuptohej qartë, më vonë, analistë seriozë kanë argumentuar se ka qënë pjesë e planit izraelit për të zëvendësuar nëpërmjet luftës regjimet që mbështesnin çështjen palestineze, Planet e tilla, të realizuara në Irak, Libi, Somali dhe Siri kanë sjellë jo vetëm ndryshim të regjimit, por edhe shkatërrim të ekonomisë dhe strukturës politike të këtyre vendeve.

Për interesin e ngushtë të Izraelit (që nuk përkon me atë të Njerëzimit) këto luftra kanë funksionuar për bukuri.

Sigurisht që Irani, si “kockë e madhe” u la për në fund pasi kundërshtarët e tjerë të Izraelit ishin dobësuar dhe marëdhëniet me vendet më të korruptuara arabe ishin përmirësuar. (Marëveshja e Abrahamit). Në këtë kuadër ishte edhe i gjithë “inkurajimi” i Hamasit për të bërë masakrën e tetorit 2023, që solli edhe genocidin e Gazës. Tashmë vetëm Irani kishte mbetur pengesë për të realizuar planin Izraelit për të marrë edhe më shumë toka “nga Nili në Eufrat”.

Në këtë kornizë duhen parë bombardimet e sotme.

Por le të bëjmë “avokatin e djallit” dhe të themi se pavarësisht nga interesat e Izraelit, ky ndryshim i mundshëm i regjimit është i mirë edhe për popullin iranian.

Në vitin e largët 1941, kur trupat e motorizuara gjermane përparonin në territorin e Bashkimit Sovjetik, jo vetëm që masa të tëra me ukrainas dhe rusë i shihnin si diçka që do i shpëtonte nga Diktatura e Stalinit, por edhe një pjesë e opinionit botëror e quante si “shpëtim të popullit rus nga Xhelati”. Mos harrojmë se sa kishte vrarë Diktatori i majtë gjatë viteve ‘30.

Por e mira e Njerëzimit nuk ishte në krahun e Hitlerit.

Edhe pse nuk është një përsëritje identike, duhet të mendohemi thellë kur përkrahim ndërhyrjen e sotme ushtarake ndaj një vendi tjetër. Historia na ka dhënë mësime për këtë.

Trump është duke vepruar jo vetëm në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare, por edhe me ligjet amerikane, madje edhe në kundërshtim me premtimet e tij gjatë fushatës elektorale.

Për më tepër bombardimet vrasin njerëz të pafajshëm dhe nuk dimë nëse do sjellin apo jo ndryshimin e regjimit.

Politikanët e këqij mund të bëjnë vetëm vepra të këqija!

Edhe mbështetja që i bën Rama dhe hajdutë të tjerë të kallëpit të tij, duhet të na bindë se është diçka që bie erë shumë të keqe.

Erë gjaku njerëzish të pafajshëm të vrarë.

No comments:

Post a Comment