Ai nuk i ka kaluar shumë të 70-tat, edhe pse nuk jam i sigurt nëse është 72 apo 74. Gjithsesi është në rrugën e tij drejt të 80-ve, që për ne(baby boomers) dikur na dukej si mosha e “matufllëkut”, por kur pamë se shpejt do na trokiste në derë e ndryshuam mendimin. Prandaj unë nuk mund ta quaj me plot gojë “matuf” vetëm se është 72 ose 74.
Kuptohet që është “jetim” se në rastin më të pazakontë, prindërit e tij do ishin pranë të 100-ve. Gjithashtu në pension se edhe kur ishte i detyruar të punonte i “bënte bisht”. Ndoshta edhe kjo prirje për t’i “bërë bisht”(e përdor se ja di kuptimin kësaj shprehjeje, por nuk nuk di se si mund t’i bësh bisht një “proçesti”) i pat shkaktuar shumë probleme në jetë edhe pse nuk kishte përfunduar ndonjëherë pas hekurave.
Por problemet në jetë kishin nisur të bëheshin gjithnjë e më të vogla, pasi kishte dalë në pension, kohë në të cilën duhet të ketë qënë 66 ose 68. Më i madhi problem për të ishte se shkruante shpesh letra (në kartë dhe dixhitale) por thuajse nuk merrte kurrë përgjigje. E megjithatë nuk shkurajohej se kishte lexuar në të ritë e tij një roman të Markezit të titulluar diçka si “Kolonelit nuk ka kush t’i shkruajë“. Nuk ishte i sigurt për gradën e ushtarakut, (kolonel apo gjeneral) por e dinte që flitej për një oficer madhor. Vetë kishte qënë oficer artilerie pa ndonjë gradë, se kur kishte arritur në moshën e gradimit, në vendin e tij nuk kishte grada dhe kur gradat ishin rivendosur e kishin “zhveshur”.
Letrat ja u dërgonte kryesisht moshatareve të tij, për të cilat kishte mësuar se ishin vejusha, të divorcuara apo nuk kishin qënë kurrë në një marëdhënie nga ato që quhen “ndajmë shtratin o burr i dheut!”. Edhe ndonjërës që ishte 2 deri 4 vjet më e vogël, por asnjëherë më të moshuarve. Mbante ndërmend gjithnjë porosinë që i kishte dhënë i gjyshi:- Gruan dhe mushkën merri nga vendi tënd dhe të dyja më të reja se vetja.
Mushkë nuk kishte patur ndonjëherë se i ri kishte hyrë në shkollën e Begsave dhe më pas në të Bashkuarën nga kishte dalë “i veshur” dhe nuk kishte jetuar më në fshatin e lindjes. Po mushka kishte parë plot, se duke qënë oficer artilerie, reparti i tij mbante ende mushka për një ditë, kur do duhej të iknin nga qyteti dhe të ngjiteshin e lufonin maleve. Më pas kjo ishte quajtur si një teori ushtarake disfatiste dhe teoricienët i kishin pushkatuar, kurse ata më të mëdhenjtë poshtë teoricienëve i kishin futur në burg. Ky hynte në ata më të vegjlit poshtë teoricienëve dhe nuk e kishte prekur njeri. Mushkat e gjora e kishin pësuar se i kishin dërguar për tu bërë sallam.
Pas ikjes së mushkave u martua me një grua nga një fshat ngjitur me atë ku kishte lindur, po dhe ajo kishte qëlluar si punë mushke se nuk kishte pjellë. I kishin bërë tërë përpjekjet në maternitetin e qytetit dhe në atë të kryeqytetit, po nuk ishte bërë gjë. Një natë e kishte dërguar edhe të flinte në një teqe të braktisur, por nga që nuk kishte dervishë që të luteshin si duhet për të, gruaja e gjorë nuk arriti ndonjëherë të mbetej me barrë. Ishte një barrë e rëndë për të dy. Pastaj atë e “zhveshën” dhe nisi të merrej me kambizëm, po të gjorën e zuri një “sëmundje e keqe” (nuk e shkruaj këtu diagnozën ndaj tërë lexuesit të jenë të qetë) dhe pas dy vjetësh e la vetëm.
Ai vazhdoi të merrej me kambizëm, por pa entusiazmin e mëparshëm, se nuk kishte as grua dhe as shpresë për trashëgimtar, edhe pse teqetëë ishin hapur dhe funksiononin për birinxhi. Nuk i bënte zemra të kërkonte grua tjetër nga vendi i tij dhe nisi të bëhej dita ditës shumë nervoz. Shokët e kambizmit i theshin të martohej për së dyti, madje disa edhe e ngacmonin se si ja bënte natën, po ai ju përgjigjej me qetësi që nuk donte të martohej dhe se natën numuronte disa herë paratë që kishte këmbyer një ditë më parë dhe i ndante sipas vendit nga vinin. Kishte edhe rupi nga Pakistani madje njëherë kishte menduar edhe të shkonte në Pakistan se mbase mund të binte në dashuri me ndonjë ezmerkë nga ai vend i madh, po i kujtohej përësi porosia e gjyshit të mençur.
Ndërkohë kambistët vazhdonin ta ngacmonin dhe nisi të rrinte vetëm me tre katër shokë që nuk e ngisnin madje edhe e mbronin faqe kambistave marrokë. Me shumë nga këta të fundit nuk fliste më, madje edhe kur i kërkonin ndonjë valutë të caktuar ju përgjigjej në mënyrë mohuese duke tundur kokën.
(vijon)
No comments:
Post a Comment