Tuesday, 10 February 2026

Heronjtë tanë të dergjur burgjeve


Historia e 100 viteve të fundit të Shqipërisë, ka një cilësi tejet të qartë:

Heronjtë tanë thuajse të gjithë kanë hyrë në burg.

Përjashtim bën, Ahmet Zogolli, sho Enver dhe sho Edvin. Të gjithë të tjerët pa asnjë përjashtim , kanë bërë pak ose shumë ditë burg, ose kanë qënë të dënuar me vdekje.

Nuk di nëse duhet të nis nga fundi i qindvjeçarit apo nga fillimi. Disa ndryshime (cilësore) ka midis heronjve të së kaluarës dhe “heronjve” të sotëm, por le t’i fusim të gjithë në thesin “Hero”.

Heronjtë e popullit Koçi Xoxe dhe Mehmet Shehu, të dy kanë bërë burg. I pari në kohën e Zogut, Italisë dhe të Partisë, ndërsa i dyti në Francë. Po ashtu Heroi i Popullit Myslym Peza.

Heronjtë e vërtetë, Fan Noli dhe Luigj Gurakuqi nuk hynë në burg por u dënuan me vdekje në mungesë. Gurakuqin e vranë pas shpine.

Heroi i Demokracisë, Azem Hajdari gjithashtu është arrestuar për disa ditë. Lista vazhdon e gjatë me Fatos Nanon, Sali Berishën, Saimir Tahirin, Erion Veliajn dhe Ilir Metën. Nuk ka mbetur një për be!

Edhe në anën tjetër të kufirit, Heronjtë më të spikatur të Kosovës, tani janë në burg në Hagë.

Pra që të përmbushësh kushtet për të qënë një hero i vërtetë shqiptar duhet të “biesh brenda”.

Nuk ka rëndësi nëse hyn për vrasje, vjedhje, korrupsion, shpërdorim detyre, grusht shteti, genocid apo tradhti ndaj atdheut. Arsyet e vërteta janë politike. Ti je hero, vepron si hero dhe për këtë, ziliqarët dhe armiqtë të “rrasin mren!”

Por “hallin” nuk e kemi thjesht për Historinë dhe vendin që zenë heronjtë tanë në të.

Diçka më e afërt, më e prekshme dhe më “sinjifikative” na vlen.

A duhet arrestuar Belinda Ballukja për tu quajtur Heroinë e këtij vendi, apo duke qënë heroinë nuk ka se si t’i shpëtojë arrestimit?

Duket si një lojë fjalësh, por nuk është e tillë.

Paraardhësi i saj, Heroi i Popullit Beqir Balluku, bëri “bajagi” burg dhe shkoi para togës së pushkatimit si hero, duke mbajtur në duar portretin e “ekzekutuesit” të tij , sho Enver.

A mos edhe Bela duhet të dorëzohet vetë dhe të shkojë si trimëreshë në burgun e grave duke mbajtur në ekranin e telefonit, fotn e “liderit botëror” shokut Edi Rama?

Historia nuk jep mësime të qarta për këtë. Flamuri, portretet në vaj të Skënderbeut, përbetimet për atdhedashuri, pëllëmbët e kryqëzuara para gjoksit, fotot e udhëheqësve, nuk i kanë shpëtuar Heronjtë tanë nga burgu dhe disa fatkeqsisht kanë përfunduar të varur ose të pushkatuar. (Më “kadoshi” doli Heroi Arben Ahmetaj, që i “la pendët” Drejtësisë, madje edhe njollosi portretin e Liderit Rama.)

Nëse do që pas saj të vijë Historia (sikundër deklaroi dikur lideri dhe heroi i ndjerë i PS-së Fatos Nano) dhe të synojë postin e një Kryeministreje të së ardhmes, me vizion europian dhe vendosmëri amerikane, Bela duhet të vetdorëzohet.

Kështu shpëton nga halli që e ka zënë edhe një kandidat për Hero, kryetarin e sotëm të kuvendit, Nikollaq Peleshin.

Burgu është për burrneshat, Bela!

No comments:

Post a Comment