Dikur kam shkruar për një vizitë të Nicolo Di Lanas, kur ishte ministër (nuk kujtoj i Bujqësisë apo Mbrojtjes) në Boston, ku u prit në mënyrë madhështore nga Bashkësia amerikano-korçare e “qytetit të fasuleve”. Kishte disa pika kulmore ajo vizitë, por unë u përqëndrova në vizitën në një qndër kulturore bashkëatdhetarëve të moshës së tretë, gjatë së cilës ishi derdhur lotë malli dhe ngazëllimi si nga pensionistët, por edhe nga Peleshi i ndjeshëm.
Sigurisht që vizita të këtij lloji janë të natyrshme për personalitetet e rëndësishme politike shqiptare, veçanërisht tani, që shoku Niko është Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, detyrë që 50 vjet më parë e mbante shoku Simon Stefani. Shoku Simon ishte më i shkurtër se shoku Niko, por arriti të bëhej Ministër i Brendshëm, ndërsa Peleshi edhe pse më i gjatë dhe më bukurosh, nuk arriti dot atë post. Ndonëse i mbështetur fort nga lobi korçar i argjendarëve.
Por nga Historia nuk kemi pse të mësojmë asgjë ndaj le të shohim të sotmen dhe të ardhmen. Sot Nicolo Di Lana po fluturon drejt atdheut i shoqëruar nga një shpurë deputetësh gojëartë, ku shquhet deputeti i Korçës me mbiemrin Pëndavinji. Ky i fundit, e la karrierën e tij të shkëlqyer si mjek, për të shitur celularë përballë “sinemasë“, që të kuptonte më mirë hallet e popullit dhe më vonë ta shpinte zërin e tyre në institucionin më të lartë ligjvënës shqiptar. Edhe pse nuk është “vorio-epirot”, Pëndavinji shërben më së miri si urë lidhëse e Omonias me PS-në dhe të PASOK-ut me Di Lanan. Por ky i fundit mbetet italian i vendosur, sepse kështu ka qënë edhe amaneti i prejardhësit të tij nga ana e nënës, simpatizuesit të “taljonve”, Selim Mborjes.
Po kush e kishte ftuar Korçarin nr 1 në Nju Jork?
Gojët e liga opozitare thonë se ai ishte i ftuar nga familja Gambino, e cila besonte se vërtet Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë quhet Di Lana. Por ofertën e tyre për të krijuar degë të Koza Nostras në Tiranë dhe Korçë, Peleshi e kishte hedhur poshtë me përbuzje. Sipas burimeve jo të mirëinformuara, ai kishte mbrojtur ngjyrat Kuqezi të mafias shqiptare të drejtuar me mënçuri dhe largpamje nga Palloshi i Gjatë, (në italisht Lungo Pizelino). Sicialianët kishin ofruar një bashkëpunim në kushte të barabarta (fifty fifty), për të cilën Di Lana ju kishte thënë se do mendohej dhe do vendoste pasi të këshillohej me Ligavecin Gollash.
Burimet zyrtare të PS, njoftonin se ftesa ishte nga Kongresi Amerikan dhe nga Departamenti i Shtetit dhe kjo provohet nga takimet e shokut Niko në këto dy institucione. Eshtë e natyrshme që të mos takohej me kryetarët e dhomave të Kongresit, se “teskereja” nuk ishte prej tyre. Por ata që takoi janë po aq të rëndësishëm sa është për Kuvendin e Shqipërisë deputeti Pëndavinji.
Ka edhe burime të fshehta brenda PS, që thonë se Di Lana shkoi në “Mollën e Madhe” për të përgatitur një vizitë të ardhme të Edi Ramës në Bafalo, se të gjitha lobimet për një ftesë në Shtëpinë e Bardhë për “zadrazemin” shqiptar deri tani kanë shkuar jabana. Nuk dihet se sa ja ka arritur, por sipas të njëjtave burime, Di Lanas i është thënë nga amerikanët, se Rama duhet të kënaqet hë për hë me një vizitë në Porto Riko. Edhe ishulli pjesë e shtetit amerikan është.
Si konkluzion duhet të themi se vizita ishte e suksesshme dhe se amerikanët ishin habitur nga elokuenca e Di Lanas dhe heshtja e mençur e Pëndavinjit.
Kjo është një garanci më shumë, se Nikoja ynë i dashur (e mo kushëri!) së shpejti jo vetëm që do bëhet zëvendës kryeministër, por mund të marrë në dorë edhe drejtimin e vendit. Se kush mund të na i kalojë në qeverisje ne korçarëve?
Sigurisht që Palloshi mbetet një pengesë dy metra e lartë, por me amerikanët mbështetje dhe me ndihmën e Zamirit të Bitijes, Nikollaqi ynë, dikur monarkist, mund të bëhet një kryeministër Sallak me prirje të Djathta. Pra dikush që i mban prapanicat drejt!
Mirse të kthehesh në Atdhe o “Yll i Politikës” që zëvendësove denjësisht korçarin e fundit të suksesshëm, shokun Pali Miska!
No comments:
Post a Comment