Do rrekem më kot të parashikoj të paparashikueshmen duke analizuar të paanalizueshmen dhe që është gjendja politike e Shqipërisë e pandarë nga fati i një njeriu – Edi Ramës.
Do mundohem edhe të shkruaj me seriozitet për një çështje karagjozo-tragjike, sikundër është qeverisja e vendit tim, që prej vitit 2013, që ka kulmuar për keq gjatë viteve të fundit.
Pyetja e parë është: C’mund të bëjë një njeri me kaq shumë pushtet, tani që skandalet janë aq të mëdha dhe të pranishme, sa edhe sikur të ketë një grimë të një administrimi të mirë edhe kjo nuk mund të duket as me lentet zmadhuese të sahanlëpirsave të tij?
Eshtë një pyetje logjike por edhe që të dëshpëron, se normalishte duhej pyetur – C’farë do bëjë opinioni publik dhe i gjithë populli para kësa gjendjeje skandaloze? Po opozita? Po partia e tij?
Por pyetjet e mësipërme janë deri diku të kota, se populli si edhe opozita, si edhe partia e tij , janë plotësisht impotentë!
(Në kohën e Diktaturës po të guxoje të ngrije pyetje të ngjashme të pëlcisnin mbi 10 vjet brenda edhe pse të gjithë e dinin se në Shqipëri bëhej ç’theshte Enveri.)
Për të ndihmuar veten t’i përgjigjem pyetjes së parë, po ngre një tjetër pyetje:
-Kujt i trembet Edi Rama?
Unë mendoj se Rama nuk ja ka askujt frikën në Shqipëri pikërisht se e njeh impotencën, që preka më lart.
Atëhere mbetet të themi se ai i trembet vetëm Amerikës dhe krerëve të Bashkimit Europian (veçanërisht Gjermanisë.)
Por duke qënë një nxënës i mirë i “intrigave politike ndërkombëtare”, në sajë të Toni Bler dhe këshilltarëve të tjerë të huaj, që ka pasur gjatë viteve të qeverisjes, ai e di situata në vend apo dhe ajo ndërkombëtare nuk është e tillë, që nga Shtëpia e Bardhë apo nga Brukseli t’i vijë urdhëri : Ti nuk mund të qeverisësh më!
Jo se shpikësit e “demokracisë moderne” kanë ndonjë skrupull, por hë për hë, në “ dy fshatrat e mëdha sshqiptare” (Shqipëri dhe Kosovë) duan stabilitet. Cdo fuqizimi i ndikimit rus në Ballkan apo vende të tjera ish-socialiste, ju prish punë të dy qendrave të fuqishme të politikës botërore. Për rregulla të ndershme demokratike as bëhet fjalë, se europianët këto i ruajnë vetëm faqe opinionit dhe i shkelin rëndë në prapaskenë, ndërsa amerikanët tani nuk i ruajnë as faqe opinionit.
Për të larguar sa më shumë mundësinë e largimit nga “kamzhiku i huaj”, Rama po përdr gjithë lidhjet me të huajt, duke nisur me Netanjahun dhe të tjerët, duke premtuar jo vetëm 1 miliard dollarë për Bordin e Paqes, por edhe shumë favore të tjera “palaçove” administratës së sotme amerikane.
Me Gjermaninë kjo nuk mund t’i ecë, por frika e tij mund të lidhet vetëm me një bllokim të ekonomisë shqiptare nga ndalja e kredive dhe ndihmave financiare europiane. Unë nuk e di se sa peshë kanë këto kredi dhe ndihma në ekonominë e vendit, për të gjykuar se sa frikë mund të ketë Rama. Sepse (pa patur shifra) mendoj se 40-50% e ekonomisë së sotme shqiptare është rrjedhojë e financimeve që vijnë në vend nga trafiqet e drogës. Dhe në mbështetje të këtij arsyetimi duhet nënvizuar sjellja e tij në dy muajt e fundit ndaj Izraelit, Bordit të Paqes, OKB-së, të gjitha në kundërshtim të hapur me politikat e një Europe ku shtiret se ka dëshirë të hyjë.
Sa për pezullimin e procesit të integrimit, apo shtyrjen pa afat, Ramës nuk i bëhet vonë për sa kohë mbetet në krye të vendit. Ai ka mësuar nga përvoja e Erdoganit për këto lloj pezullimesh apo shtyrje afatesh.
Ndaj edhe pse nuk them se Rama do rrijë me duarlidhur dhe nuk do vihet në lëvizje të plotë, mendoj se ai ka ende “shumë karta në dorë“ për të luajtur në lojën e pokerit të politikës europiane.
Një nga më kryesoret mendoj se është “shpallja e zgjedhjeve të parakohshme me një qeveri teknike” në muajt e vjeshtës për t’i treguar europianëve se ka mbështetjen e popullit! Kështu mbështetësit e tij në BE mund të thonë : “E dimë që ka vjedhur, por e voton populli!” dhe të lehtësojnë në maksimum trysninë e Gjermanisë. Kjo më bën të mendoj se Gjermania nuk do kërkojë më pas me ngulm që të ngrihen akuza nga SPAK ndaj Ramës.
A ka frikë nga ministrat e tij, se i bëjnë lojë të dyfishtë dhe venë nëdispozicion të të huajve dosje të korrupsionit?
Të tilla paranoja janë të pranishme gjatë karrierës jo të shkurtër të një Autokrati apo Diktatori. Bëhen më të theksuara sa më shumë kohë të ketë qëndruar në pushtet. Por për ata që e shohin nga jashtë pa patur komplekset e Ramës, është e qartë se e keqja e tij nuk i vjen nga brenda. Edhe pse mund të ketë shumë kundërshtarë që pëshpërisin në veshin e njëri tjetrit, korridoreve të PS-së apo të Kuvendit Popullor. Ndaj dhe lëvizjet do jenë ato të zakonshmet – shkarko të vjetrit dhe emëro të rinj anonimë.
Por të gjitha këto nuk ndikojnë në veprimin e rëndësishëm dhe final të tij dhe që do lidhet shumë me se çdo bëjë në rast të një fitoreje të ngushtë në zgjedhjet e vjeshtës, që unë po i supozoj?
Deri këtu më arrin imagjinata ime e thjeshtë, e pastërvitur në prapaskenat e politikës së fëlliqur shqiptare.
No comments:
Post a Comment