Sunday, 15 February 2026

Je edhe ti! (Ndjesë lexuesve)


Pas postimit të shkrimit “Unë, Astrit Nixha dhe SHASH” pata disa mesazhe nga kolegë arkitektë, të cilët i kam njohur gjatë jetës sime. Shkrimi ishte lexuar jo vetëm nga ata, të cilëve ja u pata nisur, por edhe nga shumë të tjerë, në sajë të publikimit në FB, nga kolegia ime, urb. Edvana Vangjeli.

Edhe pse mesazhet ishin të ndryshme, ato kishin një gjë të përbashkët “ në Shqipëri ka mbaruar gjithshka dhe as mund të bëhet fjalë për arkitekturë, ndaj edhe çështja e përuljes së arkitektëve (atyre që e kanë bërë) nuk ka ndonjë rëndësi.”

Për të qënë plotësisht i sinqertë, nuk më vjen mirë kur marr një tufë kundërshtimesh. Më vjen më mirë kur më thonë: “Bobo sa mirë i ke llafet Naum!”, si më thotë kur ka nge të lexojë një kushëriri im. Po kohët moderne më kanë mësuar ta fsheh “thartimin” që më shkaktojnë kundërshtimet dhe të mendoj më thellë se si t’i hedh poshtë. Po këtë rradhë ishin shumë dhe me një mesazh të qartë: Kokë e këmbë gabim!

Kjo më bëri të dyshoj dhe më pas të bindem se unë kam shkruar keq dhe në mënyrë krejt të paqartë. Idea që kam dashur të përcjell nuk është kuptuar jo se ka qënë e turbullt në kokën time, por se unë e “kam bërë çorbë“ dhe ja kam futur “roma për toma”.

Ndaj ju kërkoj ndjesë të gjithë lexuesve, arkitektë, urbanistë ose të pavarmë.

Por ndjesa nuk ndihmon askënd, vetëm se më ndih mua të bëj një shpëlarje të lehtë të ndërgjegjes sime prej shkruesi jo kompetent. Ndaj më duhet që atë që kam dashur të them, që është rrotulluar nën kafkën time “tullupankë“ ta rendis si më poshtë, të sintetizuar:

Në shekullin e XXI njerëzit solidarizohen me njëri tjetrin.

Në mënyrë të veçantë solidarizohen njerëzit që i përkasin të njëjtit profili pune apo profesioni. Këto nën një term përgjithësues i quajmë “grupe interesi”.

Arkitektët dhe urbanistët në Shqipëri nuk janë solidarizuar me njëri tjetrin për të mbrojtur interesat e tyre. Këto interesa i ka cënuar kryesisht administrata qeverisëse qendrore dhe vendore.

Mungesa e solidarizimit ka bërë që arkitektët dhe urbanistët, disa më shumë dhe disa më pak, të kthehen në “bythëputhës” të pushtetarëve.

Dhe në këtë grup bën pjesë edhe ti!

Bëj pjesë edhe unë!

Të gjithë, pa përjashtim!

Këtë nuk kam arritur të shpreh qartë në shkrimin në fjalë.

No comments:

Post a Comment