Saturday, 7 February 2026

“Respekte”


Unë kam jetuar për më se 30 vjet mbi një birrari dhe shpesh hasja në të dehur që dilnin nga “Bar Korça” dhe vazhdonin bisedën dyshe ose treshe duke u lëkundur pak horizontalisht, pa lënë që pingulet e hequra nga qendrat e tyre të rëndesës t’ju dilnin nga baza e mbështetjes. Përgjithësisht i thoshin fjalë të mira njëri tjetrit, shpesh putheshin në faqe dhe para ndarjes theshin edhe “Kam respekt për ty!” Një miku im theshte në ato kohë se shprehja “Kam respekt për ty” ishte një shprehje tipike sarahoshi.

Ndoshta kjo ka qënë arsyeja që unë e kam përdorur shumë rallë në jetën time fjalën “respekt”. Mbase edhe se kam qënë në mënyrë marroke një adoleshent , i ri dhe i rritur, që nuk kam respektuar shumë rregullat dhe njerëzit. Po kjo është një e metë e madhe e imja dhe unë nuk mund të bëj me faj për këtë sarahoshët e viteve të Diktaturës. Ishte më mirë që ata respektonin njëri tjetrin se sa të dehur të shanin Stalinin, Enverin, Partinë, apo më keq akoma, Organizatat e Masave.

Kur kisha emigruar dhe nisa të hyja në rrjetet sociale (kjo në dhjetvjeçarin e parë të shekullit të XXI) hasa me një dukuri që më ra menjëherë në sy.

Shqiptarët po e respektonin njëri tjetrin si kurrë më parë!

Dhe nuk shkruanin më si në letrat e dikurshme drejtuar autoriteteve “ me respekt”, por e përdornin fjalën “magjike “ në shumës – RESPEKTE

Nga që kisha vite i larguar dhe kisha shumë mungesa që lidheshin me evoluimin e gjuhës, kulturës dhe zakoneve mu duk i çuditshëm përdorimi i fjalës në shumës, por më vonë kuptova se njerëzit ndjenin një respekt të pakufi, ndaj nuk kishin si ta shprehnin dot ndryshe veçse nç shumës. Dhe respekte kishte gërma më pak se “respekt pakufi”, si dhe mbetej e vagët, si ekuivalente e “pakëz respekt”, “shumë respekt”, “respekt me doza të mëdha”, apo “një respekt i jashtëzakonshëm”. Me “respekte” je gjithnjë brenda dhe shkallën e respektit le ta marrë me mend pala e respektuar.

Nëse shohim një statistikë të përdorimit të fjalës “respekt” në vendet që flasin e shkruajnë anglisht, shpeshmëria e saj është rreth 80 herë në njëmilion fjalë të shkruara. Në mediat tona sociale duhet të jetë të paktën 80 mijë herë. Dhe më të shumtat në shumës.

Por edhe duke ditur këtë shpeshmëri, unë, një kokëfortë i pandreqshëm nuk e respektova rregullin e pashkruar të komunikimit dixhital. Jo vetëm në mediat sociale, por edhe në korrespondencën time nuk e kam përdorur asnjëherë “respekte”. Madje as në një letër të hapur drejtuar zv.kryeministrit Peleshi, që është autoriteti më i lartë, të cilit i jam drejtuar me një letër.

Dhe nuk do e bëj as në letër të hapur e të mbyllur edhe sikur t’ja drejtoja kryeministrit të vendit ku jetoj, apo sovranit, që është Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar.

Dhe një arsye më shumë është se në aradhën e shprehjeve popullore shqip nuk ka një shprehje të tipit “Respekto që të të respektojnë!” e cila të më bëjë që i shtyrë nga interesi vetiak, t’ju drejtohem të tjerëve me “respekte”

(Po në fund të fundit edhe nëse nuk më respekton kush, unë do mbetem po ky që jam- një pensionist i thjeshtë në një vend të huaj që shtyn ditën duke shëtitur dhe duke folur me vete.)

No comments:

Post a Comment