(vijim)
Për fat të mirë, gjatë vitit të dytë, kishim lëndën e “Konstruksioneve Arkitektonike”, që ishte hapi i parë, por më i rëndësishëm në formimin tonë. Jo thjesht nga kompleksiteti i lëndës, por se mësonim nën drejtimin e ing. Ilia Papanikollës. Ilia ishte arkitekt në gjithë kuptimin e kësaj fjale, duke nisur nga shijet dhe konceptet dhe duke shkuar tek detajet ku dëshmonte se ishte prefeksionist. Në orët e Papanikollës ishim të përqëndruar në maksimum dhe shpesh të habitur nga saktësia dhe finesa me të cilat vizatonte në dërrasën e zezë. Vetëm në sajë të tij, ne ishim në gjendje që në fund të vitit të dytë, të projektonim një vilë, duke përfshirë këtu edhe projektin e plotë të zbatimit.
Kur ishim në vitin e tretë, pedagogu ynë i dashur pësoi një atak në zemër. E megjithatë, kur shkuam ta vizitonim në spital, buzagaz na priti shumë mirë duke na thënë: “Për pak e preva biletën!” Ai mund të kishte patur një karrierë edhe më të shkëlqyer në projektim. I kishte dhënë provat në Vlorë dhe më vonë në projektet që bënte katedra. Një njeri fisnik, që kishte marëdhënie të shkëlqyera me studentët dhe vetëm ju jepte atyre pa kërkuar asgjë në këmbim.
Nuk ndodhte kështu me gjithë të tjerët. Një pjesë të orëve të mësimit dhe veçanërisht muajin e praktikës mësimore, e kalonim duke “kopjuar” skica të vogla nga librat e huaja të arkitekturës mbi fletë kalku. Skicat do përdoreshin më vonë nga pedagogët tanë, për librat shkolllorë, që ishin të detyruar të botonin.
Ishte vërtet një punë “angari”, që na bezdiste, por ne nuk e ngrinim zërin ta refuzonim. Shkëlqente në të shoku jonë i ndjerë Kujtim Maloku, i cili jo vetëm punonte me cilësi, por na habiste se vizatonte me “tiralinjë“, ndërkohë që kishim nisur të përdornim rapidografët (kishim kapërcyer edhe fazën “grafus”). Nuk di nëse në tekstet e botuara më vonë ka ndonjë paragraf ku falenderoheshin studentët dhe veçanërisht Kujtimi.
Në vit të dytë, pamë rastësisht vizatimet arkitekturore të Robert Kotes. Kishim dëgjuar për të, si një arkitekt i talentuar dhe pedagog shumë i mirë, por ai kishte disa vite, që ishte transferuar në Krujë dhe unë nuk e kam njohur kurrë as për fytyrë. Një student nga Kruja që priste të diplomohej, kishte sjellë në konvikt projektin e diplomës të udhëhequr nga ing.Kote, ku na befasoi teknika e aukarelit e gërshetuar me linja lapsi. Të dy me Piro Stefën e “tithëm” atë teknikë, sepse na pëlqenin ngjyrat në projekt dhe nuk ishim të kënaqur me teknikën e vetme të akuarelit që përdorte dhe na mësonte Tamara.
E përdorëm në projektin e fundit të lëndës “Vizatime Arkitektonike” dhe pamë një pakënaqësi të heshtur nga ana e pedagoges së lëndës. Ndoshta kishte dalluar menjëherë një nga “teknikat” e Kotes, të cilat nuk i pëlqente, ose nuk i zotëronte. Largimi i Bertit nga Katedra (ndoshta për “njolla” në biografi) ka qënë një nga dëmet e mëdha që Partia i pati bërë Katedrës së Arkitekturës.
Gjithashtu për shumë vjet Katedra kishte hequr dorë nga praktika e hershme e projektimit të veprave reale, sikundër pat bërë deri në vitin 1971-72. Kjo dëmtonte profesionalisht pedagogët, por edhe studentët, të cilët nëse “grupi i projektimit” do ekzistonte do ishin përfshirë si vizatues në projektet e ndërmara nga Katedra. Në fund të fundit, arkitektura është një profesion që mësohet më shumë duke punuar në projekt se sa teorikisht. Kur ishim në vitin e tretë(1981), rinisi projektimi i disa veprave (konvikte) që ishin investime të Universitetit. Projektimi nisi në shtator dhe ishim tre studentë të përfshirënë grupin e drejtuar nga Agron Lufi. Nga pedagogët merrte pjesë edhe Engjëll Dhrami, ndërsa të tjerët nuk ishin të përfshirë. Ndonjëherë vinte të shihte ecurinë Besimi, i cili sa ishte kthyer nga një vizitë në Suedi, ku i kishte bërë përshtypje “lakonizmi” në arkitekturën e vendit nordik. Kishte të drejtë që e nënvizonte atë cilësi, se në Shqipëri, “varfëria” në materialet e ndërtimit shpesh sillte përpjekjet e arkitektëve për të shtuar me detaje dhe në fasada si për të kompensuar cilësinë e dobët të krijuar nga materialet e varfra. Ishte një përpjekje e gabuar, por që ishte e diktuar nga gjendja jo e mirë e të gjithë industrisë së ndërtimit.
Lufi ishte një arkitekt i formuar mirë dhe me shumë zell për punë. Nga ai mund të mësoje shumë edhe pse kishte një farë shpërndarje, se donte të bënte shumë gjëra në të njëjtën kohë. Enxi(Engjëll Dhrami) ishte i shtruar, por në marëdhëniet me Lufin ishte gati njëlloj si ne studentët. I bindur deri në vetmohim!
Mësuam mjaft në atë kohë të shkurtër nga Lufi edhe në bisedat rreth arkitekturës në përgjithësi. Ai mbeti për mua një profesionist që e admiroja (por nuk do kisha dashur kurrë të punoja për të), se të mësonte shumë rreth të rejave në arkitekturën europiane. Ishte një kohë kur po kalonte edhe një krizë familjare, gjë që e bënte të mos e ndante duhanin dhe të ishte i “zhytyr” gjithë kohën në punë.
Agron Lufi na dha gjatë atij viti edhe lëndën “Godina Industriale” e cila mbyllej në fund të vitit me provim dhe një projekt jo të vogël. Më pat ngarkuar projektin e një uzine mekanike, ku do aplikoheshin edhe panele diellore për ngrohjen, projekt që do shoqërohej edhe me një projekt kursi të ngrohjes Lëndën e ngrohjeëventilimit të vit na i jepte specialisti i njohur i Institutit nr 1, ing. Pëllumb Nishani. Ishte hera e parë që Lufi po fuste në një projekt shkollor panelet diellore. Më vonë ai u bë specialist i vërtetë dhe nxitës për hyrjen e tyre në ndërtim.
Dy-tre muaj pasi e kisha nisur projektin, me mua u bashkua edhe shoku im Genc Barbullushi dhe ai projekt pati një histori tepër “speciale”, që kërkon një shkrim të gjatë më vete.
Lufi, me të drejtë, më dha notën më të ulët të mundshme në provim, 5, që ishte edhe nota më e ulët e gjithë viteve të mija studentore. Ishte një notë “shuplakë“ për neglizhim të plotë nga ana ime të lëndës së tij. E megjithatë ai nuk zgjodhi të më linte në klasë, që do kishte sjellë edhe diplomimin tim një vit më vonë. I isha mirënjohës për të.
Kishte ndodhur, që në vitin e tretë, më të shumtit prej nesh kishin një lloj zhgënjimi nga Katedra dhe “rebelimin” e kishim kthyer në një “zdërhallje” të plotë. Nuk na bëhej vonë të mbanim shënime në leksione dhe t’ju ktheheshim gjatë vitit apo në kohën e provimeve, kohë të cilën në fund të vitit të tretë e kaluam më shumë duke “gjuajtur” bashkëstudentët me qese uji, ose duke luajtur poker darkave në konvikt. Bixhozi dënohej me ligj, por në rrethet studentore gjithnjë kishte pasur lojëra të tilla në gjysëm “ilegalitet” që diheshin, por toleroheshin nga Partia dhe organet e Sigurimit që mbulonin Universitetin. Asokohe, Sigurimsi i Qytetit të Studentit ishte Luan Pobrati, që vite më vonë u bë një figurë e njohur e televizioneve. Ne nuk e njihnim, por patëm mësuar më vonë për të nga Bin Xoxi dhe Piro Stefa, të cilët kishin pasur disa përvoja jo të mira në takimet me të. Por në verën e vitit 1982, për të cilën po flas, presioni ndaj shqiptarëve ishte ulur ndjeshëm, në sajë të politikës së “hedhjes së fajit” për terrorin tek organet e Sigurimit, të drejtuara nga ishKryeministri i vetvrarë dhe nga Kadri Hazbiu me kompani, që do pushkatoheshin më vonë. Një rreze drite kishte lindur edhe për “kumarxhinjtë“!
Shenim: Ne foto Kinoklubi "Studenti" veper e Ilia Papanikolles
(vijon)
No comments:
Post a Comment