Thursday, 19 February 2026

Lumi i Korçës, si vijë ndarëse e dy komuniteteve (2)


 (vijim)

U largova shumë nga brigjet e Lumit tek ato të Marmarasë, ndaj po kthehem sërish tek dy bashkësitë e mëdha të qytetit tim të Lindjes.

“Matanë Lumit” ishte Xhamia e Madhe e Mirahorit që dukej bukur prej dritares së dhomës sime të gjumit, por që më shkaktonte bezdi kur këndonte hoxha (nuk di majë minaresë ose jo) se më nxirrte gjumin. Nuk kujtoj as nëu ndalua të “kënduarit” para apo në të njëjtën kohë me mbylljen e tempujve fetarë. Rrugëve më binte në sy(ashtu si më binin në sy priftërinjtë) një burrë i veshur me një xhybe jeshile dhe që ecte me një bastun, por kishte hap të madh. Ishte Myftiu i qytetit. E imitoja në shtëpi ecjen e tj të shpejtë siç imitoja edhe ecjen e ngadaltë dhe me kokën lart të babait tim. Më pëlqente kur të rriturit qeshnin me imitimet e mija.

Ato kohë Myftinija ende nuk ishte mbyllur dhe Myftiu ishte një njeri i nderuar, edhe pse me sa kujtoj përgjithësisht ecte vetë trotuareve të shëtitoreve të qytetit. Unë shkova për më shumë se 3 vjet në kopështin me nr. 10 (ekziston edhe sot), që ishte pranë Xhamisë së vogël dhe në atë bllok kishte shumë familje muhamedane. Shumë fëmijë të tyre ishin në një kopësht me ne, por si të vegjël ne nuk kuptonim se cilat emra apo mbiemra ju përkisnin feve të ndryshme. Kishte edhe disa shtëpi-vila, të mëdha, në të cilat jetonin funksionarë të lartë të Partisë, por që duhet të kishin qënë shtëpi bejlerësh të shtetëzuara nga Diktatura. Shumë muhamedanë të pasur kishin blerë truaj ose shtëpi jo vetëm rreth Xhamisë së Vogël, por edhe më larg prej saj dhe të gjitha ishin në anën Veriore të Lumit, që e kemi quajtur deri tani pjesa e Korçës e banuar nga të krishterët. Më të shumtat prej shtëpive të mëdha kishin fqinjë të tjera shtëpi-vila të familjeve të kamura të krishtere edhe këto të shtetëzuara.

“Ekspansioni” i bejlerëve kishte ndodhur edhe në një zonë tjetër të “këtej Lumit”. Në lagjen Kala (midis tregut dhe Varoshit) në truaj të lirë kishin ndërtuar që në shekullin e XIX, banesat e tyre Zavalanët e ardhur nga Kolonja dhe të tjerë bejlerë. Komshijtë e tyre ishin Moskot e ardhur nga Voskopoja, Protot korçarë të vjetër si dhe të tjerë kurbetlinj, që kishin zbritur nga fshatrat e Oparit. Veç Pazarit, ku përziheshin të gjithë, këto “mëhalla” ishin urat lidhëse të të dy bashkësive. Ndonjë shtëpi e madhe beu, pat shërbyer që në kohëne Zogut si Internat i Liceut Francez dhe pas Luftës së Dytë si shkollë 7-vjeçare.

Ndoshta në këto lagje të vogla duhet kërkuar edhe bashkëpinimi i madh i dy komuniteteve për çështjen kombëtare, i cili kulmoi me hapjen e Mësonjtores së Parë Shqipe, që ishte jo vetëm kombëtare, por edhe laike se kishte nxënës të të gjitha feve. Më duhet të shtoj këtu edhe kontributin e madh të Bektashinjve në të mirën e Shqipërisë. Nuk jam i sigurt se sa i madh ishte numuri i tyre dhe ku jetonin, sepse në qytet nuk kishte Teqe. Më të afërtat ishin në fshatrat e Fushës së Korçës. Por shumë të ardhur nga Përmeti dhe Kolonja duhet të ishin bektashinj, se në ato zona “sekti rebel” i Stambollit ishte shumë i përhapur. Më pas, kur Kryegjyshata u vendos në Tiranë, roli i tyre në jetën e vendit u bë edhe më i rëndësishëm. Toleranca e tyre ndaj të krishterëve ishte shëmbullore.

Nuk e kujtoj se kur kam shkelur për herë të parë “matanë Lumit”, sepse nuk kishim të afërm apo miq të afërt që prindërit t’ju bënin vizita bashkë me ne. Ndoshta rreth fundit të viteve ‘60 kur isha afër 10 vjeç. Mund të kem shkuar për të blerë diçka në një dyqan bulmeti, që ishte pranë xhamisë së Mirahorit. Por më 1969, për shkak të propagandës shtetërore, objektet e kultit të krijonin një ndjenjë jo të mirë. Kësaj i shtohej edhe idea që pranë xhamisë ishte dhe varri i dikujt shumë të rëndësishëm për komunitetin muhamedan. Një 10 vjeçar nuk mund të ketë kureshtje për të ndenjur pranë varreve. Nuk më pëlqente as të shkoja në Shën Triadhë (varrezat e qytetit) dhe për fat të mirë mamaja nuk më merrte me vete kur shkonte ndonjëherë.

Kishte shumë njerëz të bashkësisë ortodokse, që herë herë shprehnin një lloj dashakeqësie ndaj korçarëve të bashkësisë tjetër. Them që qytetarët e hershëm duhet të ketë qënë më tolerantë me njëri tjetrin dhe ngarkesë psikologjike negative mbanin më shumë të ardhurit nga Vakëfet dhe Voskopoja, ku në fillimet e shekullit të XX-të patën ndodhur shumë vrasje dhe krime të tjera të ndërsjellta. Cetat e kaçakëve me fustanella të zeza kishin bërë raprezalje në fshatrat e krishterë, po sikundër kishin bërë shumë ortodoksë (me fustanella të bardha) ndaj muhamedanëve të pambrojtur, të mbështetur nga çetat e andartëve grekë. Mes episodeve të shumtë më të dëgjuarit ishin djegia e Voskopojës (voskopojarët fajësonin Sali Butkën) dhe masakra e Panaritit, ku ndër emrat e përmendura për keq, ishte ai i Stefan Panaritit.

Po edhe polenakët dhe vllehët kishin një qëndrim jo dashamirës ndaj bashkësisë muhamedane. Ndoshta “kontradiktat” jo të pakta mes fqinjëve kishin krijuar armiqësi të heshtura dhe të trashëguara në breza. Polena ishte nga fshatrat që nuk patën lejuar futjen e familjeve jo të krishtera edhe shumë më vonë se viti i ndalimit me ligj të fesë. Më tolerantë mbeteshin të ardhurit nga fshatrat e përzjerë, që kishin jetuar në harmoni edhe pse martesat ndërfetare mund të kishin qënë shumë të rralla.

Familjet e pasura korçare kishin pasur gjithnjë një tolerim më të madh. Edhe martesat mes korçarëve me fe të ndryshme kishin ndodhur qysh në vitet ‘20 mes familjeve të bejlerëve dhe tregëtarëve. Ndoshta kishin qënë histori të mirëfilta dashurie dhe jo mblesëri, por kishte patur të tilla. Pas luftës së dytë, shumë kishin ndodhur mes ish-partizanëve, por ato duhen parë si raste të njerëzish ateistë, që nuk pyesnin për opinionin e familjeve, të cilin e quanin bestytni apo paragjykim fetar.

(vijon)

No comments:

Post a Comment