(vijim)
Për të mos krijuar një iluzion të rremë për lexuesit, që nuk e kanë jetuar atë kohë, duhet të shtoj se në Qytetin e Studentit kishte edhe plot e plot kufizime. Ngrohja në konvikte nuk funksiononte thuajse kurrë dhe të gjithë ngroheshin me furrnela elektrike (gjysëm ilegale} gjë që në dimër sillte shpesh ndërprerje të dritave në konvikte të caktuara. Kishte vetëm një grup dushesh të përbashkët për të gjithë qytetin dhe ku jo rrallë mund të të shpërthente ujë brisk i ftohtë ose edhe i përvëluar. Ushqimi në tre mencat ishte vërtet i varfër dhe shumë studentë i hanin mëngjeset dhe darkat në dhomë, me ushqimet që blinin në qytet. Nuk ishte aspak si jeta studentore në një film të asaj kohe të titulluar “Në çdo stinë“ që pasqyronte universitetin dhe konviktet si një vend “ideal” për studim dhe “ljubjoçkë“. (Shumë bashkënxënës të të mesmes që nuk kishin marrë dot të drejtë studimi “merreshin më qafë“ nga ai film.) Por dëshira për të vazhduar jetën studentore dhe për të mësuar edhe më shumë rreth arkitekturës “safi” (asaj të objekteve të mëdha) na mbante fort të lidhur me Tiranën.
Me këtë dëshirë mendova që t’i kërkoja Katedrës që për punën e diplomës të kisha një objekt social-kulturor në Korçë ose kudo në Shqipëri dhe si udhëheqës të kisha Petraq Kolevicën. Kam shkruar se adhurimin për të e kisha nga tregimet e tim eti dhe nga punët e tij në Korçë, por më ishte shtuar në vitet e Universitetit nga vlerësimet e kolegëve të tij dhe nga historitë e përballjes me krerët e vendit. Kisha parë edhe punët e tij më të mira tek rruga e ambasadave, banesa kolektive pranë ATSH-së dhe të tjera banesa nëpër Tiranë. Nuk e kisha takuar kurrë, por mendoja se nuk do më refuzonte. Atë kohë Petraqi punonte në një Ndërmarje Ndërtimi në Tiranë, sepse e kishin larguar nga Instituti nr 1, prej vitit 1975.
Kolevica ishte “arkitekti legjendë“ për të gjithë arkitektët jo konformistë, në një kohë që nga drejtimi i atiij sektori ishte larguar edhe Sokrat Moskoja dhe “frenat” i kishte marrë në dorë Klemi (Kolaneci). Duke ditur aftësitë jo brilante profesionale të këtij të fundit, si dhe lidhjen me Familjen nr 1 të Shqipërisë, unë me shokët e mij nuk kishim asnjë lloj simpatije për ark. Kolanecin.
Por Katedra kishte bërë “të tjera hesape” dhe në fund të vitit më takoi miku im, ing. Piro Thomo, që më tha se ishte vendosur që ai të drjetonte punën time të diplomës, e cila do ishte studimi “Arkitektura dhe Urbanistika e Korçës 1912-44”. Nuk më erdhi aspak mirë, por duke patur marëdhënie të mira me Piron dhe duke kuptuar se do e kisha të vështirë të ndryshoja vendimin e Katedrës, u gëlltita dhe pranova pa asnjë entusiazëm. Katedrës së Arkitekturës i ishte ngarkuar të hartonte një vëllim të Historisë së Arkitekturës në bashkëpunim me disa studiues dhe për këtë disa nga bashkëstudentët e mij morrën tema të njëjta për Tiranën dhe Vlorën. Në këtë mënyrë unë humba mundësinë të bashkëpunoja me Petraqin (ose me ndonjë arkitekt tjetër të njohur) dhe të mësoja duke punuar për 4-5 muaj me një projekt të vërtetë dhe të planifikuar për t’u realizuar. (Kështu zgjidheshin projektet e diplomave edhe pse shumica dërmuese nuk zbatoheshin, por përdoreshin si referenca për projektet që gjenin zbatim.)
Në fund të gushtit 1983 duhej të paraqitesha në Universitet për të dorëzuar projektin e Kllojkës dhe të merrja provimin e Urbanistikës, që e kisha lënë për në vjeshtë, si dhe për të bërë një roje 24 orëshe në depot e armatimit në konvikte, si dënim për përjashtimin që më kishte bërë komandant Guri gjatë “Marshimit të Madh luftarak” përreth Tiranës në qershor. Në Tiranë ishim familisht për të shoqëruar një të afërmin tonë nga Greqia që kishte ardhur të na vizitonte. U shkëputa dy ditë nga grupi (prindërve nuk ju thoja gjë për vjeshtuket se e dija që do shqetësoheshin) dhe dorën e fundit projektit ja dhamë në shtëpinë e Gent Nishanit, ku fjeta natën para provimit.
Pata mbyllur me sukses të admirueshëm katër vitet e studimeve dhe më duhej vetëm diploma për t’i rrënë gjoksit si arkitekt i vërtetë!
Ndërkohë kishim mësuar edhe për emërimet, që si i kam përmendur në një shkrim tjetër, të gjithë i kishim në qytetet tona, veç Kujtim Malokut të gjorë. Genti kishte një temë diplome të lakmueshme (Pallat Sporti) me udhëheqës Klemin, Genc Barbullushi do ishte “skllav” i Gon Lufit, Piro Stefa do bënte studim (si i imi) për Vlorën, ndërsa Fatos Vraniçi do projektonte një Shtëpi Kulture në Laç. Nuk i kujtoj sot diplomat e të tjerëve.
Për ta mbyllur këtë shkrim të gjatë me kujtime, duhet të them, që semestrin e punës për diplomën nuk e përfshij në kohën studentore, sepse punoja për të në Korçë. Edhe pse kishim të drejtë të rrinim në konviktet e Qytetit të Studentit, unë shkoja në Tiranë për ndonjë konsultim të rrallë me Piro Thomon dhe për dhënien e provimit të Materializmit, që ishte i detyruar për të hyrë në mbrojtjen e Diplomës. Nuk ishte një provim që na kërkonte kohë se materialet e tij i kishim dhënë shumë herë provim, që në fundin e shkollës së mesme dhe më tej në universitet. Partija që lindi më 1941-materia është primare - shfrytëzimi i njeriut nga njeriu dhe revolucionin e bëjnë masat. Mjaft të dije këto dhe ishe një marksist-leninist i sprovuar , i gatshëm për të projektuar vepra të denja, që “përshkoheshin nga filli i kuq i teorisë marksiste-leniniste”.
Si punë “serioze” studimore, unë sigurisht që ja shkova “fillin e kuq” sepse i tillë duhej të ishte këndvështrimi. Theksova bazën ekonomike shoqërore të zhvillimit të Korçës duke renditur më pas edhe gjithë faktet urbanistiko arkitekturore të shoqëruara me fotografi të ndërtimeve të asaj kohe. Padyshim që drejtimi nga Piroja ishte vendimtar. Ai e njihte mirë qytetin, sidomos gjatë viteve, kur kishte punuar dhe jetuar në Korçë.
Nuk mund të flas për cilësinë e punës së diplomës, se dukej që gjithshka ishte “rregulluar” të shkonte më së miri. Recenzent ishte Leka Meksi (shok i ngushtë i Piros) dhe në komision ishin Vera Bushati (e intersuar që tema të vlerësohej), Fred Luarasi (baxhanak i Piros) dhe Enver Faja. Të vetmen pyetje “kritike” ma bëri urbanisti Faik Alimehmeti (edhe ai në komision), të cilit ju përgjigja me “arrogancën studentore” të dikujt që e di se nuk do ketë më të bëjë me pedagogët e tij. (Kujtoj që me të njëjtën arrogancë ju përgjegj Gent Nishani një “pyetje me spec” të Enver Fajës). Ndoqa vetëm mbrojtjen e diplomave të dy shokëve të mij, Genc Barbullushit dhe Gent Nishanit, se ka të ngjarë që diplomat e tjera mbroheshin pasdite, ose ishin mbrojtur një ditë më parë. Genci dhe Genti kishin dy punë-diploma shumë të mira.
Tashmë ishim “arkitektë“ dhe mund të krenoheshim me një blok dyfletësh ngjyrë blu, që kishte fytyrën tonë dhe poshtë saj titullin “Arkitekt” (E imja është shkruar gabimisht “Arkitekturë“, por këtë fakt e kam mbajtur fshehur deri sa dola në pension, se mund të rrezikonte punësimin tim!) Nuk kishte ceremoni me flakje në ajër kapele “akademikësh”, madje nuk kishte asnjë lloj ceremonije. Kishim hyrë heshturazi në një botë ku dëshëronim të hynim dhe po dilnim po ashtu pa bujë. Nuk besoj as të kemi festuar me shokët e shoqet e kursit, se të gjithë nxitonim të shkonim atje ku na prisnin “hallet” tona.
Ishim në mes të “rrugës së madhe”, por më të privilegjuar se studentët e tjerë se do kishim punë zyre në qytet. Ata më fatlumët pranë teknografit, ndërsa të tjerët, atje ku kishte nevojë Partija.

No comments:
Post a Comment