“Sigurisht që është Abati Faria. Nuk e diskutoj!” Kështu do thoja sa ta shihja portretin e mësipërm të bërë në karbon, nëse do më thoshin që ishte bërë në burg dhe plaku me mjekër kishte pozuar para piktorit.
Por nuk është Abati Faria edhe pse në burg, edhe pse me mjekër të bardhë dhe me sy të zgjuar , që të lexojnë çka ke në kokë. Eshtë një klerik ortodoks i lartë, Hirësia e tij peshkopi Irine Banushi në burgun e Tiranës në vitin 1956. Pa rrobën e peshkopit, pa kamillafin dhe skeptrin që nuk e hiqte nga dora. I burgosur nga feudo-komunistët shqiptarë si kundërshtar i regjimit. Në kohën kur është bërë portreti ishte 50 vjeçar dhe vuante të tretin dënim në burg. E kishin arrestuar në fillim italianët, në verën e vitit 1939, më pas “çlirimtarët në vitin 1945 dhe përsëri ”çlirimtarët” më 1952. Të parët pasi e kishin mbajtur 6 muaj në burg e patën internuar në Mantova pa i dhënë arsyen e internimit. Të dytëtë e kishin dënuar të dy herët me nga 5 vjet burg për veprimtari kundër popullit dhe agjitacion e propagandë.
Të parët e kishin arrestuar se ishte antifashist, i mençur dhe i shkolluar. Ishte një prift ortodoks që jepte mësim në shkollën teologjike të “Shën Pavlit” në Tiranë.
Të dytët e kishin arrestuar se ishte antikomunist, i mençur dhe i shkolluar. Ishte bërë Peshkop i Apollonisë
Ishte plakur burgjeve, pasi vuante edhe nga tuberkulozi, por nuk ishte thyer. Vazhdonte të jepte dritë nga ajo që kishte marë kur ishte shuguruar si prift dhe kur i ishte pëkushtuar Krishtit me studime dhe predikime deri sa e patën bërë Peshkop. Ju ishte larguar përfundimisht dëshirave materiale të kësaj jete.
Këto i thoshte edhe piktorit 30 vjeçar kur pozonte për portretin. I riu e shihte me admirim dhe mundohej që ta hidhte në letër sa më të papërkulur dhe të mençur. Edhe pse herë herë Irineja kollitej dhe po ashtu kollitej edhe piktori. Nuk donte ta paraqiste të ligur. Të dy ishin të prekur nga oftika. Por sëmundja ju dukej më e lehtë se sa vuajtja e mungesës së lirisë.
Të duket sikur historia dhe letërsia botërore përsëriten. Dikush që predikon lirinë, barazinë dhe dashurinë mes njerëzve nëpërmjet njohjes dhe dashurisë ndaj Perëndisë, dhe që persekutohet e vuan në burg për të. Dhe një piktor, që mundohet të japë dritë dhe liri nëpërmjet artit të tij dhe që persekutohet si “heretik”. “Heretiku” që hedh në letër me karbon papërkulshmërinë e Martirit. Diçka që të kulton El Grekon, e burgosur si heretik dhe më pas i izoluar në çmendinë, që vazhdon e vazhdon të bëjë dritë me linjat e shpejta të karbonit mbi letrën e bardhë.
Edhe pse në një “kaush” me 40 vetë, më të shumtit të dënuar politikë, Irinej kujdesej shpesh për piktorin e ri dhe ky i fundit e adhuronte. E pyeste edhe për Ungjillin. I jepnin shpresë dhe dritë fjalët e Librit të Shenjtë të thëna bukur nga Peshkopi i mençur.
Irine Banushin, pas burgut e dërguan në Manastirin e Ardenicës. Diktatura mund të ndikonte edhe në vendimet e Kishës Autoqefale. Kërkuan të ishte vetëm një prift i thjeshtë, dhe mos largohej jashtë mureve të manastirit pa lejen e Degës së Punëve të Brendshme.
Piktori doli nga burgu një vit më vonë dhe e kërkoi dhe e vizitoi disa herë. Edhe Hirësia e tij i shkoi në Korçë për ta parë mikun e tij të vuajtjeve. Më pas, Irine Banushi ishte detyruar të kthehej në emrin e tij të lindjes, Ilia, dhe të punonte si magazinier në Lushnjë. Ishte ndaluar me ligj ushtrimi i fesë dhe klerikët që nuk ishin burgosur, i detyruan të bënin punë nga më të rëndomtat. Ilia Banushin, intelektualin me doktoratë në teologji, nuk e kishin lënë të bënte asnjë punë, me të cilën mund të ndihte edhe vetë administratën shqiptare të asaj kohe.
Vdiq më 1973 dhe për të nuk u tha dhe nuk u shkrua asgjë. As miku i tij, që e adhuronte, piktori që ishte i detyruar të shkruante parrulla për këndet e emulacionit, nuk e mësoi vdekjen e Peshkopit. Do i mbetej peng deri në fund që nuk hodhi mbi të një dorë dhe.
Por ruajti portretin! Portretin për të cilin unë mendova se ishte i Abatit Faria.

No comments:
Post a Comment