Sunday, 15 February 2026

Neta Filçeja, një avangardiste gati e harruar


Ka figura në jetën e qyteteve, që e kalojnë edhe rangun e më të njohurve. Këtej i quajnë më të mëdhenj se jeta (larger than life). Nuk jam i sigurt se sa mund të jetë numuri i korçarëve që mund të klasifikohen si të tillë, por di që gratë janë të pakta. Jo se janë inferiore ndaj burrave, por se në historinë 200 vjeçare të Korçës, ato kanë qënë pjesa më e shtypur, më e tërhequr dhe më shtëpiake.

Neta Filçeja nuk ishte e tillë

Nuk ka qënë as e shtypur, as e tërhequr dhe as shtëpiake.

Në një mbrëmje të freskët vjeshte në fundin e viteve ‘60, në trotuarin e ngushtë para PTT-së (sot hotel Regency) Neta i bllokonte rrugën nëpunësit të Postës, t[ quajtur Asllan. Asllani ishte një beqar që i kishte kaluar të 60-tat, shumë i sjellshëm. Vinte nga një familje e pasur dhe ndoshta kishte frikë nga komunistët dhe gratë. E gjata dhe e djallëzuara Filçe, i zinte rrugën me krahë duke i thënë “Asllan je vous aime! Je vous aime Asllan! (Të dua Asllan!) I shkreti ish-nxënës i Liceut Francez, i skuqur dhe i turbulluar mundohej t’i shpëtonte ndonjë përdhunimi të mundshëm, pa kuptuar se Neta nuk kishte asnjë qëllim të tillë. Jo vetëm se ishte disa vite më e madhe se Asllani, po se i turpshmi burrë ishte i fundit mashkull tek i cili mund t’i shkonte mendja.

Ky episod i parë nga disa kalimtarë, nuk është domosdoshmërisht ai që përcakton avangardizmin e Netas.

Në plotëri, jeta e saj njihet nga ata, që janë larguar tashmë nga kjo botë. Vetë Andoneta Filçe duhet të ketë vdekur në fillimin e viteve ‘80. I vëllai Gjika, ndoshta edhe më parë. Rronin të dy, që kur vajza e Netas ishte martuar në Shkodër.

Në qytet nuk e thërriste njeri Netkë, sikundër i thërrasin me përkëdheli Andonetat. Neta ishte e gjatë, e bukur dhe e veshur bukur. Kur e kam parë unë, flokët i kishte krejtësisht të bardha, por të mbajtura bukur. Të imponohej edhe me një zë autoritar, që ndoshta i ishte bërë disi i ngjirur nga cigarja.

Ne, fëmijët, nuk kishim një ide të qartë se ç’përfaqësonte Filçeja, madje nuk dinim as kuptimin se çdo të thotë të përfaqësosh diçka. Më vonë kemi kuptuar që ajo ishte dikush që kishte zgjedhur mënyrën e saj të të jetuarit kur vendi ishte i lirë dhe pas Luftës së Dytë kishte ndryshuar pak. Duke qënë mbi të 40-tat dhe ndoshta edhe për shkak të njohjeve nuk e prekte njeri edhe pse nuk punonte. Rronte me ato që kishte dhe me paratë që i dërgonte e motra nga Amerika. Kur shkonte në bankë që të merrte paratë e dërguara ju theshte me zë të lartë : Kam një çek nga Ameriqia!

Pse them që Neta Filçe ishte në avangardë.

Pavarësisht nga mënyra e jetesës së saj, ajo ishte dikush me mend, që kishte një filozofi më të përparuar se gratë e kohës së saj. Nuk di se cilët kanë qënë faktorët që e formuan, por vinte nga një familje e vjetër korçare dhe e kamur. Ndoshta rëniet financiare detyrojnë njerëzit, që për të mbajtur të njëjtin nivel jetese të bëjnë zgjedhje jo shumë të pëlqyeshme për opinionin publik. Por ka njerëz që humbasin dinjitetin e tyre për të mbrojtur njëfarë standarti. Neta ishte dinjitoze edhe pse mund të bënte dashuri të lirë, madje edhe kundrejt pagesës.

Ajo mbetet një figurë e njohur dhe e rëndësishme e një kohe të perënduar. Nuk kam dëgjuar kurrë ta quanin prostitutë.

E thërrisnin të gjithë Neta Filçe.


Shenim: Ne foto aktorja amerikane Bea Arthur e cila me kujton Netan.


No comments:

Post a Comment