Kalendari ndonjëherë na punon ca marifete, të cilat nuk jemi në gjendje t’i përballojmë as me mobilizim të jashtëzakonshëm. Ndodh jo rrallë, që ditë të shënuara me karakteristika tejt të ndryshme, madje edhe të kundërta, i bashkëvendosen njëra tjetrës dhe njeriu i shkretë nuk di se nga t’ja mbajë.
Për shembull qëllon që Dita e Gjyshërve, bie në një ditë me Ditën e Kurimit të Impotentëve dhe ti nisesh për të uruar gjyshin dhe nuk di nëse duhet t’i thuash – Jetë të gjatë. pleqëri të mbarë apo shërim të shpejtë nga Impotenca!
Sidomos në vitet e brishtë festat çorbaviten fare. Sepse fetaret janë shpesh të lëvizshme dhe laiket jo rrallë bien të hënën e parë, të dytë të tretë ose të katërt. Të hënat e pesta qëllojnë njëherë në hënzë. Një herë u nisa të uroja një mik që e ka emrin Thanas, pikërisht ditën e emrit, dhe nuk e dija që atë vit qëllonte me Ditën e Debitorëve dhe kur u shfaqa në derën e tij, më pa shtrembër se kujtoi se kisha shkuar t’i kujtoja borxhin që më kishte.
Të njohur të ndryshëm kanë pasur përvoja nga më të larmishmet me këtë punën e festave, gëzimeve dhe përkujtimoreve. Se psh, a bën të shkosh tek dikush “që i ndan 6 muaj gjyshes” dhe ka qëlluar tamam në 1 prill, Ditën e Gënjeshtrave. Gjatë gjithë kohës që të “qerasin” me konjak dhe kafe të rri në mendje se mos të punojnë ndonjë rreng, se është dita e hokatarëve, që bëjnë shakara me dhe pa zarar.
Kjo fundjavë ishte fare lëmsh me këto ditët “me nishan”.
Dje ishte Friday the 13th (e Premtja e datës 13) që në Amerikën e Veriut quhet si një ditë Superters. Nuk di se si mund të bënin përgatitje, apo të niseshin për një rrugë të gjatë, ata dhe ato që janë shumë të dashuruar dhe duan të festojnë Shën Valentinin me njeriun e zemrës, që jeton bajagi larg.
Dhe pikërisht mbrëmë, në të Premten me numur 13, një miku im më telefonoi dhe më ftoi që rreth orës 10 të së sotmes të shkoja në shtëpinë e tij për paçe koke! Një ftesë që nuk mund ta refuzosh nëse je i lindur dhe i rritur në Korçë. Se këtej nga po dergjemi nuk gjen dot restorant që bën paçe. Dhe kokë viçi apo lope nuk gjen dot as të blesh, se kormina të bëra “tullupankë“ ka në Supermarket.
E mblodha mendjen që i binte për Shën Valentin, dhe edhe pse nuk kisha ndonjë plan festimesh (nuk kam as grua as dashnore), mendova se ishte pak si e papërshtatshme, pasi ai vetë ka grua dhe dy miqtë e tjerë që ishin të ftuar, njëri është i martuar dhe tjetri bashkëjeton me një vejushë. I thashë nëse mund ta shtynte për javën që vjen, por më tha se është e Shtuna e Pulave dhe javën tjetër nuk bën të hash mish.
Prapë u përtypa dhe me mendje thashë “ Po mirë o paçe koke gjete të bësh në këtë kombinim Shën Valentin me e Shtuna e Pulave?! Nuk gjete diçka më romantike? Për shembull të na gatuaje një fazan, se edhe shpend është, por është edhe i bukur ama!”
Nejse këto që i mendova nuk ja thashë, po gjeta një “rrenë të bardhë“, nga ato që kuptohen po nuk lëndojnë njeri. I thashë që do shkoj për nj[ drekë përkujtimore në Pastori se ka 4 vjetorin e vdekjes të së shoqes. Nuk u mërzit. Ndoshta mendoi që racionin tim të paçes ta ndanin të tre pjesëmarrësit.
Unë mbeta i vetëm, pa ftesë për brunch apo për drekë dhe pa plane për darkën. Nuk do ble dot as lule, as çokollata dhe nuk do ha dot as paçe koke!
Do ja sëlloj me mish dhe me vallzim “tek pull” nesër në shtëpi duke parë në tv Karnavalet!
No comments:
Post a Comment