Një shoku im, në mënyrë të përsëritur gjatë dy muajve të fundit më ka thënë, që gaboj kur kritikoj apo “denigroj” njerëz të kallëpit të Aleksandër Meksit dhe Armand Vokshit. ”Nuk shef derrat e mdhej qi jan rrotll!” më thotë dhe përmend nga Trump tek Rama dhe nga Xhefri i Epsheve tek Princ Endrju. Unë këmbëngul (me kokëfortësi) që më shqetësojnë ata që i kam menduar të mirë dhe janë “bastarduar”, sepse të këqijtë i njoh edhe unë dhe gjithë të tjerët dhe nuk ka nevojë t’ju “përvishesh”.
Ai përsëri mundohet të më shpjegojë, se të parët kanë bërë disa gjëra të mira duke nisur nga kërkimet në botimet e librave e të tjera dhe në fund të fundit nuk “kanë lyer duart me kaq”. Përsëri unë nuk tërhiqem dhe ai më le “në të zezat time”.
Këto mendoja sot kur më thanë se sulmi i paralajmëruar ndaj Iranit pat nisur!
A duhet t’i harxhojmë energjitë mendore dhe emocionale për të kundërshtuar “mëkatet e vogla” të njerëzve “pakëz të korruptuar” apo duhet të bëhemi bashkë kundër Kryebastardëve?
Ka dhe një rrugë tjetër, që është rruga fataliste e dorëzimit : “Kështu është e shkruar!’
Edhe pse mund të tingëllojë tërësisht patetike, unë nuk kam ndërmend të dorëzohem. Edhe pse mund të bëj fare pak. Eshtë e mjaftë edhe sikur ta bëj të mendojë dikë që thotë me bindje: “Mirë ja u bëjnë atyre islamikëve!”
Shihni ç’ka ndodhi në më pak se 10 ditë nga firmosja pompoze e Bordit të Paqes. E përrallave për fëmijët e shkretë të Palestinës dhe promovimin e paqes dhe zhvillimit.
Trump dhe Netanjahu bombardojnë Iranin me arsyet më absurde dhe më të pajustifikuara.
Edi Rama bashkohet me Trump dhe Netanjahun dhe i bën thirrje Europës që të jetë në një linjë me Amerikën dhe Izraelin.
Më të shumtit e Bordit të Paçes së Korminës gjithashtu po solidarizohen me Trump se janë Autokratë dhe Diktatorë dhe mbi të gjitha Hajdutë!
Nëse të gjithë do rrimë duarlidhur dhe do mendojmë se “le të ngrihet ekonomia pa Khamenei me mullat e meriton!” duhet t’i thërresim mendjes se pas atyre që e “meritojnë“ vjen edhe radha jonë.
Regjimi iranian është një regjim kriminal, por nuk është detyra dhe drejta e Amerikës dhe Izraelit ta ndryshojë. Prej Luftës së Dytë janë miratuar ligje ndërkombëtare që rregullojnë çështjet e ndryshimit të kufijve dhe regjimeve.
Njerëzimi nuk ka caktuar as “The Donald”, as Bibin e Korruptuar dhe as Ramë Hajdutin të vendosë se kush duhet të jetë në fuqi dhe kush duhet të ikë.
Të paktën të kundërshtojmë hapur edhe pa frikë!
Të paktën mos i justifikojmë!
Të paktën t’ja hapim sytë njëri tjetrit!
Ndryshe na mbetet vetëm t’i drejtohemi ..Qiellit! Por si thoshin të vjetrit - Qielli na ka dhënë mend se si të vreprojmë!
(Të paktën deri në mbyllje të kësaj lufte nuk kam për të përmendur më as Meksin, as Vokshin...madje as Ligavecin Gollash.)
No comments:
Post a Comment