Ai është i ve. Jo me dëshirën e tij, por sepse ashtu veproi Natyra ose Perëndia. Më shumë mendon për të dytën, sepse e ka edhe më të lehtë të qetësohet. Mund t’i thotë vetes “Të gjorën e mori pranë, sepse ishte më e mirë se unë!” Në çastet kur mendon se është Natyra, e ze një lloj tmerri se ajo që deshte është grimcuar nga veprimi i krimbave dhe të tjerëve agjentë natyrorë dhe është kthyer në Hiç. Në kishë shkon rrallë, se ka një frikë më të vogël, se nëse dëgjon gjithnjë e më shumë predikimet e priftit, me të cilin ka qënë në një klasë, kur ishin të vegjël, do i largohet edhe më shumë Besimit.
Ka katër vjet që i ka kaluar të 70-tat dhe jeton i vetëm. Fëmijët janë martuar dhe kanë ikur larg. Flet përditë me ta dhe shpesh këbejnë biseda me video. Edhe ata e duan.
Ende i zenë duart shumë lloje punësh, ndonëse më tepër di të bëjë instalime elektrike. Në ushtri, kishte punuar si ndihmës i një elektriçisti dhe gjithnjë kishte dashur të bëhej i tillë, edhe pse kishte mësuar zanatin e axhustatorit. Edhe kur e pyesin se ç’punë kishte bërë para pensionit, ju thotë “elektriçist”. Kur çdo gjë u kthye private, askush nuk kërkonte të merrte në punë një axhustator, por elektriçistin e merrnin menjëherë edhe pse mund të mos dinte se nga binte Ligji i Omit.
Tani nuk punon më, por nuk i pëlqen të çlodhet. Ndoshta se jo rrallë mendon se në vdekje nuk ka gisht Perëndia dhe shumë shpejt mund të grimcohet dhe të kthehet në Hiç. Po nuk ka asnjë sëmundje, veç njëri vesh i lëshon herë herë një si lloj piskame të lehtë dhe pëlqen, kur ec me dikë ta mbajë nga ana e veshit tjetër. Nuk janë të shumtë ata me të cilët bën shëtitje. Ndaj dhe e ndjen gjithnjë e më shumë mungesën e saj. Ndaj dhe rri gjithnjë e më shumë para një kompjuteri të vogël, që ka blerë vite më parë. I pëlqen të shohë se ç’bëjnë të njohurit dhe të panjohurit në Fejsbuk.
Fejsbuku e ka nxjerrë nga vetmia, më shumë se kafeneja në qoshen e pallatit përballë, ku kthehet për ditë të hedhë një gotë raki e të flasë me të njohurit për ato që thuhen në televizorin e vetëm të kafefenesë së vogël. I pëlqen të rrijë atje, se në të tjerat ka më shumë televizorë dhe të rinj që shohin ndeshje futbolli dhe venë fshehtazi baste. Edhe rakia në kafenenë e tij është më e lirë. Pasi pi dy, ai kthehet në apartamentin e tij të vogël dhe hap kompjuterin. Nuk i pëlqen emisionet telivizive, që tani i quajnë “shou” ndaj ngulet para fotografive dhe komenteve në Fejsbuk. I pëlqen edhe të bëjë “miq e mikesha”, që nuk i ka njohur më parë. Sidomos vejusha. E di që me to mund të këmbejë edhe ndonjë fjalë më shumë në “inboks” dhe t’ju qajë e t’ja qajnë hallin. Se vetëm njerëzit që kanë të njëjtin hall mund të të kuptojnë.
Tre vejusha nga ato që ka njohur rishmë, i kanë pëlqyer edhe nga fotot e vëna në profilet e tyre, edhe pse i kujton që në rininë dhe mesograrinë e tyre. Tani nuk i sheh dot shëtitoreve se ato dalin më rrallë dhe njëra “vozitën” më shumë me makinë se më këmbë. Ju ka dhënë të njohur dhe ato e kanë pranuar si “mik”. I ndjek me njëfarë ankthi se shpesh sheh. që kanë shumë ndjekës dhe shumë janë burra më të rinj se ai. Nuk mënon t’ju bëjë nga të parët “like” ose t’ju shkruajë “respekte” kur postojnë diçka të shkruar, por nuk ja thotë shumë për komente. Disa nga ndjekësit meshkuj, gjithashtu nguten të bëjnë “like” dhe të komentojnë më gjatë, pa harruar të shkruajnë në fund “respekte”. Ai ndjehet jo mirë, se i mendon vejushat me mollëzat e tyre pa tualet, që fillojnë e ju marrin nga pakëz ngjyrë trëndafili kur lexojnë komentet e admiruesve dhe atij i vjen të shkruajë me kapitale “MOS I BESONI!”, por e di që kjo mund t’i vejë në rrezik marëdhëniet e tij me to. Për më tepër nuk do edhe të përplaset fizikisht me ndonjë prej admiruesve, që jetojnë në të njëjtin qytet dhe që janë më të rinj dhe më të fortë se ai.
Madje njëra prej tyre, të cilës i shkroi në “privat” -”MOS E BESO SE AI GENJEN!”, i bëri bllok për dy javë të gjata.
Me njërën syresh, ajo që ka mbajtur syze që në rini dhe që tani i ka lentet e trasha, kuptohet më mirë. Herë herë shkon edhe bën ndonjë meremetim në varrin e të shoqit të saj të ndjerë, por nuk e ka takuar ende. E ftoi për “një kafe” në Ditën e të Dashuruarve, madje në lokalin më me emër të qytetit, por ajo ju përgjigj se i shoqi nuk ka bërë ende 3 vjet dhe opinioni i qytetit do e dënonte për një “tradhëti” të tillë pikërisht më 14 të shkurtit. Ajo mbush 70 vjet vitin e ardhshëm dhe ai ka menduar që tani se ç’dhuratë t’i blerë për ditlindje, por duhet ta takojë më parë, që të shohë edhe se ç’lloj bizhuterish mban në ditët e zakonshme dhe në ato të festave. Pastaj e di vetë ai se sa do shpenzojë. Për ta bërë të tijën. Për të dalë shëtitje mëngjesave dhe muzgjeve duke e mbajtur në krahun ku ka veshin që nuk i lëshon piskamë. Për të bërë edhe 10 mijë hapat që i ka sugjeruar një vejushë tjetër nga ato të treja të cilat ai i veçon nga aradha e grave të divorcuara dhe atyre me burra të vdekur në Fejsbuk.
Ndaj pret takimin. Ajo gjithnjë e më shpesh i kërkon të shkojë e të bëjë ndonjë meremetim në varri i të shoqit. Ai madje i ka sugjeruar të instalojë edhe një sistem ndriçimi me bateri, për të patur një lloj shkëlqimi mistik në netët e gjata të dimrit, por edhe për të ajo i ka thënë që është i parakohshëm.
Nuk janë mbushur ende 3 vjet!
No comments:
Post a Comment