Saturday, 14 February 2026

Jasht! Ose t’marr e t’pëlcas mren!


Sjellja e sotme me banorët e Durrësit, nuk është aspak si sjellja e një të dashuruari me popullin në ditën e Shën Valentinit. Edhe pse shumë katolik (diçka më pak se Papa) Ed Rama është treguar i prerë me banorët që preken nga projekti i një Parku Kombëtar rreth zonës arkeologjike të qytetit të Durrësit.

Pak a shumë ju ka thënë:

- Jasht! Ose t’marr e t’pëlcas mren!

Diçka të tillë i kishte thënë 70 vjet më parë një kryetar komunist Ali Dhogës, kur i kishte shkuar në zyrë të kërkonte punë dhe komiku i gjatë i ishte përgjigjur – Po ku të shkoj jashtë shtetit me këto rroba që kam veshur shoku kryetar!

Kjo është sjellja tipike e një shtetari të plotfuqishëm dhe arrogant, që nuk do t’ja dijë për qytetarët, që i bën ligjet si i do qejfi dhe në bazë të tyre harton plane dhe projekte që shkelin të drejtat bazë të njerëzve. Nuk ka as ndryshimin më të vogël me kohën e Diktaturës. Veç atë kohë edhe mund të shpresoje se për sjelljen arrogante të Mehmetit mund të ankoheshe tek Enveri dhe ky i fundit t’i hiqte veshin mallakastriotit të pamëshirshëm.

Rama është vetë Edvin, vetë Ali dhe vetë Kadi!

Shumë nga projektet e ngjashme me këtë të Durrësit, që ka shkaktuar shumë pakënaqësi, e kanë rrënjën në një ligj shumë të poshtër dhe antidemokratik, që Rilindasit miratuan gati dhjetë vjet më parë. Shkurtimisht quhet Ligji mbi shpronësimin, i cili i jep të drejtë Qeverosë të shpronësojë cilindo dhe ta dëmshpërblejë, nëse bëhet fjalë për një projekt me rëndësi kombëtare!

Dhe kush e përcakton rëndësinë kombëtare apo sociale?

Vetë Qeveria!

Për fat të keq, në kohën e miratimit, rreth tij nuk u protestua energjikisht. Pasojat e rënda u kuptuan rast pas rasti, kur Rilindasit bënë ç’ju donte qejfi duke manovruar edhe me çmimet e dëmshpërblimeve sikundër po mundohen të bëjnë edhe sot në rastin e Durrësit. Unë nuk e njoh projektin në fjalë dhe nuk dua të hyj në analizën e tij, por reagoj vetëm se shoh sa paturpësisht sillet Kreu i Karvanit Rilindas.

Më vjen ndërmend edhe sjellja e rilindasve të Korçës kur u bë shpronësimi i pronarëve rreth stadiumit për tu bërë diçka si një kompleks sportivo-rinor- rekreativ a kushedi se çfarë. Pronarët e shkretë që shkonin të qanin hallin tek Nikoja i Peleshëve apo Raqi i Melkës, përballeshin me të njëjtin mur. Merrni këto para që po ju japim se mos ja u bëjmë më keq!

Gjithshka ishte vendosur.

Zadrazemi vetë e kishte vendosur që t’ja jepte Gimes së Red Bullit për të ndërtuar hotel, kazino dhe të tjera objekte që do sillnin lumturinë e popullit të vuajtur të Korçës.

Nuk druhej t’ja thoshte hapur në praninë e shumë të tjerëve.

Se ç’farë shpronësohej ishte pronë e Shtetit dhe shteti nuk është kush tjetër veç Ramës!

Të hënë fatkeqët e Durrësit duhet të lenë shtëpitë e tyre.

Ata të Korçës i kanë lënë me kohë.

Ma mir jasht se mren!

No comments:

Post a Comment