Tuesday, 10 February 2026

Liria dhe Kaosi (Arkitektura dhe Urbanistika e Korçës në vitet ‘90)


Sistemi ekonomiko-shoqëror ra më 1991 dhe vendin e tij e zuri periudha e Tranzicionit, që kudo ku jetojnë njerëz shoqërohet me kriza dhe kaos. Korçarët filluan të shkojnë në masë drejt Greqisë, veçanërisht pas mbylljes së ndërmarjeve shtetërore. Shteti ishte shumë i varfër dhe nuk mund të bëhej fjalë për investime publike me rëndësi. E megjithatë, në vitin 1992, Liria ekonomike kishte krijuar mundësitë që të rriteshin kërkesat për ndërtime private. Arkitektët (pavarësisht nga përvoja) u pajisën me liçenca projektimi dhe të gjithë nisën praktika private individuale ose në grupe të vogla. Byroja e Projektimit nuk u mbyll por mbeti më e reduktuar.

Ndërkohë, duhet përmendur se në botë, arkitektura kishte marrë hov, pasi kishte filluar përdorimi i programeve kompjuterike, të cilat ndihmonin cilësisht në zhvillimin e të shprehurit arkitekturor. Arkitektura post-moderniste dhe arkitektura organike. Janë vitet e “shpërthimit të Frenk Gerit dhe Zaha Hadid, por edhe të konsolidimit dhe punëve më të mira të Renco Pianos, Norman Foster, Riçërd Roxhers, Mario Botta dhe shumë arkitektëve të tjerë. Mund t’i quajmë pa frikë, vitet e “funeralit” të Arkitekturës Moderne.

Në vitin 1992, u krijua me Ligj Këshilli i Rregullimit të Territorit, që do ishte organi miratues i studimeve Urbanistike dhe projekteve arkitekturore në çdo rreth të Shqipërisë dhe rrjedhimisht edhe në qytetin e Korçës. KRRT ishte i veçantë për sejcilin rreth (ndarje administrative e trashëguar nga periudha e soc-feudalizmit) dhe vetëm planet e mëdha ndërqytetëse do ishin objekt shqyrtimi dhe miratimi nga KRRT e Republikës. Pra ishte një hap i mirë drejt decentralizimit të pushteteve.

Por mungesa e akteve nënligjore, rregulloreve të ndërtimit dhe urbanistikës, si dhe amatorizmi i pashmangshëm i një kohe kur gjithkush ka liçencë projektimi sjell Kaos dhe rënie të cilësisë në projektim.

KRRT e kohës (në Korçë) u mundua të mbante një lloj frenimi të “kaosit” dhe pushtetarët në Ekzekutiv ishin të vëmendshëm ndaj opinioneve të profesionistëve, por kishte subjektivizëm, trysni nga investitorët privatëë dhe nga partiakë të PD-së, atë kohë në pushtet.

Duhet thënë se krahasuar me Tiranën dhe qytetet e tjera, Korça u tregua më e matur dhe më konservatore në gjysmën e parë të viteve ‘90. Kjo mënjanoi gabimet shumë të rënda që u panë edhe në kryeqytet dhe në qytetet e tjera të të njëjtit rang me Korçën. Dhe jo vetëm në rezistencën për të lejuar vendosjen në masë të kioskave, por edhe në kujdesin për të mos lejuar ndërtimin e projekteve me të meta flagrante si në Urbanistikë ashtu edhe në Arkitekturë. Por shembujt negative, sidomos të kryeqyetit, nuk kishte se si mos reflektoheshin edhe në Korçë, për shkak se investitorët privatë shpesh theshin:” Pse pengohemi, kur këto gjëra lejohen në masë në Tiranë?!”

E megjithatë kioskat në pjesët qëndrore ishin të pakta dhe më tepër u përhapën rreth Pazarit dhe në pjesët e gjelbëruara rreth stadiumit. Ishte një realitet i pakëndshëm, por jo një zgjidhje, se ndërtimet e përkohshme hiqen lehtë, sikundër ndodhi në fund të shekullit (përsëri nën shembullin e Tiranës).

Përsa i përket ndërtimeve më të rëndësishme, pati një përpjekje për të ndërtuar mirë, mbi bazë konkursesh arkitekturore (dy të tillë u mbajtën më 1993), ku në përputhje edhe me kërkesat private u planifikuan ndërtime banesash kolektive, hotelesh dhe supermarketesh në disa pika të rëndësishme të qytetit. Konkurset sollën një interesim të arkitektëve korçarë, por edhe nga Tirana dhe Maqedonia. Projektet u përballën, por fakt është që prej tyre u realizuan vetëm dy supermarkete (një në zonën e kazermave dhe një përballë Vilës së Selim Mborjes) dhe të dy u transformuan gjatë ndërtimit edhe si funksion edhe si arkitekturë. Duket që “me dinakëri”, investitorët kishin menduar paraprakisht të merrnin tokat pronë shtetërore për të ndërtuar shtëpi të mëdha dhe dyqane ose magazina. Për fat të keq nuk kishte institucione dhe ligje të forta që mund të detyronin investitorët t’i përmbaheshin projekteve të miratuara.

Arkitektura e projekteve të viteve ‘90 ishte “e larmishme”, por në kuptimin e keq të kësaj fjale. Arkitektët me përvojë dhe pa përvojë projektonin sipas ideve që kishin në kokë, por edhe të kushtëzuar nga kërkesat nga më të çuditshme të privatëve. Nuk mund të flitej për stile të caktuara dhe as për respektim të moduleve apo karakteristikave arkitekturore të Korçës dhe aq më pak për një projektim të ngjashëm me arkitekturën më të mirë bashkëkohore. Madje kishte edhe inxhinierë ndërtimi, që nuk kishin projektuar kurrë, të cilët ishin pajisur me licenca arkitektësh. Investitorët privatë nuk ishin të fuqizuar ekonomikisht për të ndërtuar me cilësi dhe në përputhje me projektet.

Ishte periudha e arkitekturës “mish mash” dhe kjo u pasqyrua më shumë në lagjen e re, mbi varrezat e qytetit, ku edhe sot mund të shohësh qartë Kaosin në ndërtimet e atij dhjetvjeçari.

(vijon)

Shenim:Anetare te KRRT te 1993- ark A.Papakozma dhe urb. P.Pleqi

No comments:

Post a Comment