Sunday, 1 February 2026

Kujtime të “studentllikut”





Bisedat me disa bashkëstudentë dhe diskutimet rreth Fakultetit të Arkitekturës, më risollën kujtimet e kohës studentore, një pjesë të së cilave, si shqetësime, i kam prekur në një shkrim të gjatë me titull “Shkolla shqiptare e Arkitekturës”.

Duhet të përmend që përvoja ime studentore nuk duhet përgjithësuar, si gjendje jo e mirë e shkollës së Arkitekturës, sepse filloi në kohën më të vështirë politiko-shoqërore të Shqipërisë, Vitet e terrorit që filluan me pleniumin e IV të KQ në qershor 1973 dhe vazhduan deri disa muaj pas vetvrasjes së Mehmet Shehut. Ishin vite të kufizimit në maksimum të lirive, të shoqëruara edhe me një krizë të gjatë ekonomike.

Ne ishim pjestarë të një Kursi prej 12 studentësh dhe pak a shumë ky pat qënë edhe numuri i studentëve para nesh. Katedra e Arkitekturës (nuk ishte ende Fakultet), për shkak të numurit të ulët të studenteve, kishte edhe minimumin e pedagogëve, që në total ishin 8. Veç Besim Dajës (shef katedre), Enver Fajës dhe Engjëll Dhramit, të tjerët ishin diplomuar si inxhinierë. Disa lëndë plotësoheshin nga pedagogë të jashtëm, ku me orë të plota ishin vetëm ark. Vali Pistoli dhe ing. Faik Alimehemeti.

Nuk kishte asnjë libër rreth profesionit tonë, veç “Detaje Arkitektonike” me autor Ilia Papanikollën dhe “Urbanistika I-II” me autorë Enver Faja dhe Faik Alimehmeti.

Kishim libra për konstruksionin dhe ndërtimin, libra që përdoreshin nga të gjitha Katedrat e lidhura me ndërtimin.

E natyrshme që kjo ishte një mangësi e madhe, sepse detyroheshim të mbanim shënime, pasi Katedra nuk na jepte as leksione të shtypura. Mësoje çka dëgjoje në leksione dhe nëpërmjet projekteve të kursit.

Ne shprehnim shqetësimin për mungesën e librave, si dhe të lëndëve bazë “Teoria e Arkitekturës” ose “Modelimi i hapësirave”, për të cilat kishim lexuar në revistat e huaja arkitekturore, por pedagogët kishin pak fuqi (të deleguar nga lart) dhe impenjim për t’i bërë. Nuk kishin mundur të bënin ende libra për lëndët e tyre.

Ne, qëndrimin disi “rrumpallë“ të Katedrës ja atribuonim kryesisht Besimit, i cili ishte njeri shumë i mirë, por për arsye të pakuptueshme për ne “nuk e çante shumë kokën”. Edhe lëndën e tij “Bazat e projektimit” e bënte me diapozitiva në zyrën e tij, ku mund të na vinte edhe gjumi, se drita rrinte e shuar.

Duke përjashtuar Ilia Papanikollën dhe Agron Lufin, unë kam mbetur me mbresën se nuk mësuam kurrgjë nga askush. Diçka mundëm “të vjedhim” nga revistat e huaja dhe librat e arkitekturës, që ishin tek Biblioteka e Universitetit dhe ajo Kombëtare, por dhe këta të fundit ishin të pakët se më të shumtit i kishin tërhequr pedagogët dhe i mbanin në shtëpitë e tyre.

Duhet të pranoj gjithashtu, se studentëve sa më shumë t’ja u lëshosh “kapistallin” aq më të “lumtur”ndjehen edhe pse mund ta dinë se kusuret e atij formimi të cungët do i vuajnë më vonë gjatë karrierës. Dhe të gjithë ne hymë në rrymën “rrumpallë“ të katedrës së Arkitekturës. Pedagogët i donim dhe na donin dhe të gjithë ishim të gëzuar se do diplomoheshim pa vështirësi dhe do projektonim vepra dinjitoze anekënd Atdheut socialist.

Nuk i përmenda më lart, se nuk mu duk me shumë rëndësi, që për lëndën e Historisë së Arkitekturës, veç Vera Bushatit, jepnin leksione edhe Klement Kolaneci, Aleksandër Meksi, Pirro Thomo, Emin Riza, Gjerark Karaiskaj dhe Apollon Baçe. Po duhet të përmend që ajo lëndë nuk quhej e rëndësishme për ne, veç pjesës së Arkitekturës Moderne, të cilën e jepte Klemi dhe na kërkonte mos mbanim shënime se do na jepte leksione të shaptilografuara, Nuk i morrëm kurrë!

Pra e nisëm disi keq rrugën e karrierës, që në dy gërmat e para, dhe mendoj se pavarësisht nga titulli në diplomën tonë, ne dolëm thjesht “kitektë“ pa atë “ar” para. Mbase “Bakërtektë.”

Fillimi (viti i parë) ishte krejtësisht formues pa prekur thuajse asgjë nga arkitektura. Nga 5 provimet vjetore, vetëm “Historia e Arkitekturës” lidhej me profesionin dhe të tjerat ishin lëndë të përgjithshme që i bënin të gjitha degët e Ndrëtimit dhe pikërisht: Matematika, Materiale Ndërtimi dhe Gjeometria Deskriptive. Nuk duhej të harroj që mësonim dhe jepnim provim edhe Historinë e Partisë, ku “theksohej” se asnjë arkitekt nuk kishte pasur karrierë të shquar partiake, që na bënte të ndjeheshim pak “disidentë“.

Pjesën më të mir të orëve e zinin Vizatimi i Lirë dhe Vizatimi Arkitektonik, orë që drejtoheshin nga përkatësisht nga ark. Engjëll Dhrami dhe ing. Tamara Gjoka. Lënda e parë shtrihej në dy vite e gjysëm , ndërsa e dyta në dy vjet. Të dyja pa libra shoqërues. Por ndërsa tek vizatimi i lirë, kishim më shumë liri dhe vetëm ndihmë dhe mbikqyrje nga pedagogu, tek lënda e dytë, pedagogia parapëlqente të impononte shijet e saj madje ndonjëherë edhe të ndihmonte duke vizatuar vetë në fletët e studentit. Gjatë vitit të parë kishim një lloj adhurimi për të, por më vonë kuptuam se “ndihma” e saj nuk na shërbente për gjë, por ishte një “pengesë“ në zhvillimin e mënyrave të ndryshme të shprehjes grafike të projekteve të ardhme. Gjoka, mbeti në kujtesën time, si frenuesja kryesore e zhvillimit të studentëve, së bashku me Besim Dajën. Nuk i kam kuptuar se cilat ishin motivet tyre, por ajo ç’ka qënë e rëndësishme ishin pasojat e metodave të tyre të mësimdhënies tek studentët e arkitekturës.

(vijon)


No comments:

Post a Comment