Friday, 20 February 2026

Lumi i Korçës, si vijë ndarëse e dy komuniteteve (3)


 (vijim)

Pas Luftës së Dytë, bashkësia muhamedane duhet të kishte zhvilluar një lloj kompleksi disi kolektiv inferioriteti, që krijon negativitet dhe urrejtje. Kuptohet jo në gjithë shtresat e popullsisë. Ky lloj qëndrimi nuk ishte pa bazë. “Clirimtarët” kishin qënë më së shumti ortodoksë dhe kështu patën “zaptuar” thuajse të gjitha postet partiake dhe administrative. Korçarët e “matanë Lumit” kishin të drejtë të theshin që “gjithë drejtorët janë Kiço, Vaskë, Maqo, Taqkë etj.” sepse kjo ishte e vërteta. Edhe pse në numur të ngjashëm të popullsisë, “kaurët e derrit” kishin shpërpjestueshmërisht vende të rëndësishme në qytet. Nga ana tjetër, mes të krishterëve ekzistonte mendësia “këta muhamedanët bëjnë shumë për njëri tjetrin”, gjë që të ngatërronte. se nuk dije se cili komunitet bënte më shumë favore për pjestarët e tij. Herë herë, “Partia” mundohej të vinte një farë ekuilibri, por pas vitit ‘67 edhe ajo nuk mund ta bënte se njerëzit do thonin “ku ka fe tani, jemi të tërë njëlloj.”

Vite më vonë kam kuptuar më thellë këtë lloj kompleksi teksa një shok më përmendte për një avokat të krishterë “ai ka marrë një të dorës sonë!”

Ishte përmbysur një ndjenjë “pariteti” midis bashkësive, e cila kishte mbizotëruar gjatë gati dy shekujve të ekzistencës së qytetit. Pjesa muhamedane kishte patur më shumë nëpunës të shtetit si në kohën e Turqisë dhe në atë të Zogut, ndërsa bashkësia e krishterë ishte forcuar më shumë ekonomikisht në sajë të kurbetit. Jo pak korçarë të krishterë kishin emigruar në Misir, ku ishin ndihmuar nga Sundimtari i Egjiptit, Mehmet Ali pasha, që ishte me origjinë nga Zëmblaku i Korçës. Një pjesë e madhe patën ngritur biznese të sukseshme në vendin afrikan dhe në fund të shekullit të XIX dhe fillimin e atij të XX u kthyen në qytet me pasuri të mëdha. Më të njëjtën kohë shumë emigruan në Stamboll. Rumani dhe Bullgari, por nuk patën pasurimin e atyre të Misirit. Me hapjen e emigrimit në Amrikë, Argjentinë dhe Australi, forcimi financiar i të krishterëve u rrit edhe më shumë. Nga bashkësia tjetër, ata që emigruan ishin më të pakët.

Pikat e forta të lidhjes mes dy bashkësive ishin dëshmuar gjatë përjekjeve me armë për Indipendencë, që është edhe koha e Luftrave Ballkanike. Mes dëshmorëve të Orhan Cifligut, që ishin dëshmorët e parë në luftën kundër pushtuesve turq, kishte anëtarë të të dy bashkësive. E fortë u tregua Lidhja në ditët e Luftës së Parë Botërore, kur u formua Republika Autonome e Korçës nën mbrojtjen e ushtrisë franceze. Ishte një përpjekje e shkëlqyer që garantoi përfshirjen e Korçës në hartën e Shqipërisë dhe jo në atë të Greqisë. Një dëshmi më e fortë se uniteti ishte mbi dasitë.

Por gjatë Luftës së Dytë, ndarjet dolën më shumë në pah, pasi shumë fshatra muhamedanë, nën ndikimin e bejlerëve të tyre u rreshtuan me Ballin, ndërsa ortodoksët edhe në qytet edhe në fshat, me ndonjë përjashtim të vogël, ishin me Frontin. Përplasjet e pas Mukjes krijuan armiqësitë, edhe vrasje t[ nd[rsjellta, të cilat u mbartën edhe pas lufte me dukurinë e emërimit të ortodoksëve “ateistë“ në postet më të mira.

Ndaj “dasia” mes komuniteteve u përkeqësuar në periudhën komuniste , krahasuar me gjithë vitet ekzistencës së qytetit, kur edhe pse funksiononin si njësi më vete, ata nuk ishin të acaruara dhe aq më pak në “luftë“. Ngritja e Sahatit të Korçës me kontribut të të dy bashkësive pranë Xhamisë është një tjetër tregues i harmonisë dhe i marëveshjes mes tyre. Filantropët e të dy bashkësive paguanin për martesat e çifteve të varfër, të të dy “anëve të Lumit”. Në financimin e monumenteve të Luftëtarit Kombëtar dhe Themistokli Gërmenjit, të dyja të vendosura në anën Veriore, patën kontribuar edhe shumë familje muhamedane.

Kishte pasur edhe ngjarje të “betejave” me gurë dhe prazhga të fëmijëve të dy mëhallave në anët e ndryshme të Lumit, por të tilla “beteja” mes “bandave: të kalamajve të lagjeve fqinje kanë ndodhur dhe ndodhin në çdo qytet të botës dhe nuk tregojnë ndonjë ndarje apo armiqësi fetare.

Përndjekjet për shkak të luftës së klasave mund të ketë qënë arsyeja kryesore e mosbesimit midis pjesëve më të varfra dhe më fanatike të të dy palëve. Përgjithësisht janë ato shtresa që manipulohen më lehtë dhe ruajnë mllef ndaj atij që është “ndryshe”. Prej tyre dëgjova ato kohë shprehjet përçmuese ndaj muhamedanëve “skurë“ dhe “sqili”(gr.qen), që i shtohet të përgjithshmes “turk”, që ndoshta kishte qënë një dallues për kohë të gjatë. Në qytet përdoreshin toponomiet “varret e turqve” apo “mëhalla e turqve” pa ndonjë ngarkesë negative.

Duke mos patur lidhje të shumta me bashkësinë tjetër, dija që na quanin veç “kaur” edhe “lafshok” për shkak se ne meshkujt e krishterë nuk bëheshim synet. Në ndonjë rast edhe “b..palarë“, sepse traditat higjenike ishin të ndryshme.

Në vitet ‘60 kishte shumë raste të lidhjeve dashurore ndërfetare, të cilat nuk përfundonin në martesa për shkak të rezistencës së madhe të prindërve të të dy bashkësive. Kishte edhe të tjera që kryeheshin, por me “zemër të thyer” të prindërve. Vajza e një familjeje me të cilën babai kishte patur miqësi që në fëmijëri në Stamboll, u martua me një muhamedan. Teta Poli, e jëma e vajzës, kur babai kishte shkuar për të uruar i tha mënjanë në greqisht “Eshtë turk, Andoni!”. Babai me buzëqeshje, po në greqisht i tha :”Turq jemi ne të dy se kemi lindur në Stamboll, kurse ai është shqiptar”.

(vijon)

No comments:

Post a Comment