Tuesday, 10 February 2026

Liria dhe Kaosi (Arkitektura dhe Urbanistika e Korçës në vitet ‘90) -fund-


 (vijim)

Gabimi më i madh urbano-arkitekturor, ishte ndërtimi i Katedrales “Ringjallja”, në vendin ku më parë ishte menduar dhe projektuar Pallati i Kulturës i Comit. Kam shkruar më gjerë rreth historisë së ndërtimit të Katedrales, i cili kishte më tepër karakterin e një procesi politiko-shoqëror se sa urbano-arkitekturor. Projekti (jo i përshtatshëm për Korçën) ishte menduar të ngrihej në Parku “V.Mio”, por pas protestës të disa politikanëve vendorë të Bashkësisë Myslimane, nga Tirana u dha zgjidhja që Katedralja të ngrihej atje ku është edhe sot. Me gjithë një “rezistencë“ të lehtë të disa profesionistëve, që objekti të paktën duhet të kishte cilësitë e arkitekturës së Korçës, Katedralja nisi të zbatohej shpejt mbi një projekt të një kishe greke të ndërtuar diku në Kavalla apo në Aleksandropulos. Objekti ju imponua gjithë sheshit kryesor të ë qytetit dhe me ndërtimet ekzistuese dhe ato të shtuara më vonë, krijoi një hapësirë, për të cilën mund të them pa frikë se duhet të shërbejë për studentët e arkitekturës, për t’i mësuar se si nuk duhet të projektojnë. Të tre objektet e ndërtuar para hyrjes së shekullit të ri (Prefektura, Katedralja dhe një Kullë ndërtesë biznesi), nuk kanë asgjë të përbashkët as nga gjuha arkitekturore, as nga konceptimi vëllimor dhe deri tek materialet e përdorura në eksterier. Objekte të tjera janë shtuar këtë shekull, që e kanë kthyer atë hapësirë, në diçka, të cilës nuk i gjej dot as një shembull në arkitekturën europiane, por ndoshta as në qytetet e çoroditura të Afrikës.

Për të mos “nxirë“ gjithshka, Liria ekonomike edhe ajo ndërtimore krijuan mundësinë edhe për projekte të mira, që u zbatuan me besnikëri nga investitorët privatë. Të tillë ishin rikonstruksioni i një kompleksi banesë-dyqan, i kthyer në Hotel (Regency) me autor ark. Koço Kaskaviqi, Kisha Katolike e ark. Arben Spaho, si dhe shumë banesa individuale të projektuara nga ark. Aleko Papakozma dhe ark. Raqi Themeli. Banesat kolektive ishin të pakta në numur dhe nuk patën ndonjë përmirësim të dallueshëm nga arkitektura e viteve ‘80. Madje disa të tilla të ndërtuara në Bllokun e Varrezave të Francezëve, vuajnë edhe nga konceptimi vëllimor, por edhe nga zgjidhja konstruktive, se çuditërisht u zgjidhën me konstruksion tulle edhe pse 6-7 katëshe. Investitori (një firmë vendase ndërtimi) imponoi mjë zgjidhje që kishte për bazë vetëm arritjen e një kostoje të ulët për m2.

Paqartësitë në legjislacion për pronësinë, por dhe të Drejtën e Autorit, sollën ndërhyrje të dëmshme në objektet ekzistuese. Më flagranti ishte ai i ndarjes së Hotëel Turizmit në dy pronarë (vendim gjykate me mbështetje ekspertësh ndërtimi), që solli transformimin e plotë të një objekti të projektuar mirë. Tani askush, as autori vetë, nuk është më në gjendje të dallojë objektin fillestar të transformuar.

Një investim i rëndësishëm si kompleksi Xhami dhe shkollë tek lagja e ish-Kazermave u realizua mbi një projekt të bërë diku në Lindjen e Mesme dhe që nuk merr parasysh asgjë nga arkitektura europiane apo më tepër akoma nga arkitektura e Korçës.

Ky ishte një problem për të gjitha objektet e kultit, të cilat duheshin shpejt për të krijuar kushtet për ritet e besimtarëve dhe zbatoheshin me projekte tip të bëra jashtë. Vërtet që arkitektët shqiptarë nuk kishin përvojë për projektimin e tyre, por nuk ishin ndërtime tejet të komplikuara që nuk mund t’i arrrinin dot t’i projektonin me cilësi. Nëse do vinin dorë, arkitektët vendas (ish ateistë) do kishim një tjetër frymë ndërtimi, atë që Korça e kishte dëshmuar me Shën Gjergjin dhe kishat e tjera.

Në fushën e Urbanistikës pati pak ndërhyrje të rëndësishme. Një shpërndarje e Pikave të karburantit (njësi ndërtimore krejt të reja për Shqipërinë) u bë pa ndonjë studim të mirëfilltë, por vetë me shpërndarje disi logjike të tyre. Një pjesë e tyre sot nuk ekzistojnë më. Edhe në rrjetin rrugor ose në sistemin e qarkullimit të automjeteve, edhe pse pati përpjekje nuk u arrit ndonjë gjë e madhe se mungonin investimet publike dhe paqartësia e problemeve të lidhura me Kthimin e Pronave sillte probleme për realizimin e tyre. Ndaj mbeti psh e parealizuar hapja e arteries që lidhte Sheshin e Luftëtarit Kombëtar me rrugën e Kolonjës, e parashikuar kohë më parë në Planin Rregullues.

U zhvillua konkursi i vetëm për një vepër urbanistike, Studimi për Lagjen e re të banimit në Shetro, që u fitua nga pjesëmarrësja e vetme, urb. Pandika Pleqi, por që nuk u realizua si projekt zbatimi dhe më pak akoma të zbatohej në vend.

Shteti ishte i varfër dhe në fushën e restaurimeve kishte shumë më pak fonde se më parë ndaj edhe nuk pati ndonjë vepër që të shkëlqente sikundër kishte ndodhur në vitet ‘80. Por u vazhdua me të njëjtat koncepte të përparuara, kryesisht në Pazar dhe të financuara nga privatët me një kontribut nga shteti.

Stanjacioni në zhvillimin ekonomik të Korçës (madje vazhdimi i rënies) i gërshetuar edhe me largimin në masë të banorëve drejt vendeve perëndimore ishte hapi i mëtejshëm drejt rënies së Korçës si qytet.

Tashmë kishte mbetur pas jo vetëm ndaj qyteteve fqinje greke (Kostur, Follorinë) të cilët dikur e kishin zili, por edhe ndaj Fierit, Vlorës, Elbasanit dhe Durrësit, që në prag të Luftës së Dytë ishin edhe më të vegjël dhe shumë më pas Korçës në çdo drejtim.

Mijëvjeçari i ri e gjeti qytetin në “lëngim”. Nuk dihej se si mund të shpëtonte nga ajo gjendje.

No comments:

Post a Comment