Në vitin jo fort të largët 2021, pata hedhur në blog një shkrim me titullin “Kapini hajdutët!’, që zanafillën e kishte tek një emision i Top Channel, që kisha parë në youtube. E kisha ndjekur me interes se lidhej me rikonstruksionin e Muzeut të Arsimit Kombëtar (Mësonjtores së Parë Shqipe) problemet e të cilit ishin bërë shqetësuese për qytetarët e Korçës dhe më kishin detyruar edhe mua të shkruaja disa herë.
Gjetë emisionit (si mund të lexoni me hollësi në link) drejtori Niko Kotherja dhe drejtoresha Arta Dollani e fshihnin nga gazetarët atë që kishte ndodhur në të vërtetë, por e fshihnin në një mënyrë të turpshme që të revoltonte. Ndaj më vinte të klithja: Kapini mor hajdutët!
I pata harruar Kotheren dhe Dollanin. Madje të turbullt e kisha dhe kujtimin e Mësonjtores. Deri në ditën e sotme, kur tek Lapsi.al, më kapi syri një fytyrë që më kujtonte diçka. Ishte një shkrim i shkurtër i Auron Tares, ku nuk përmendej emri i zonjës së arrestuar, por fakti që pat qënë Drejtore e Institutit të Monumenteve të Kulturës.
Hyra të gjeja shkrimet rreth Mësonjtores dhe mu shfaq i njëjti portret në hyrjen e shkrimit.
A duhet të gëzohemi me fatkeqsinë e Dollanit, që ka burrë dhe fëmijë, madje edhe shumë e shok e miq, me të cilët ka ndarë ose jo para?
Vërtet njeriu nuk duhet të gëzohet kur arrestohet një grua, qoftë zonja Veliaj, zonja Dollani apo larg qoftë zonja Rama.
Po si duhet të reagojmë?
Të themi vetëm “shkon laraska hu më hu dhe një ditë do i hyjë huri”?
Edhe kjo nuk na zgjidh gjë dhe as rënia e gjoksit “ju paralajmërova 5 vjet më parë“!
Që të shpëtojmë nga “hajdutët” dhe t’i shpëtojmë edhe “hajdutët”vetë, ne duhet ta nisim pastrimin nga vetvetja. Të mënjanojmë rolin që luajmë në krijimin e këtij “moçali të qelbur” ku gëlojnë hajnat!
Unë nuk di ku punonte tani Dollani dhe as se përse është arrestuar. Mundet që edhe një ditë të dalë e pafajshme se prokuroria nuk mund të provojë dot akuzat.
Por dua të theksoj rolin negativ të profesionistëve që kanë qënë rreth saj dhe kanë përfituar prej saj. Të ndërtuesve, inxhinierëve, arkitektëve, historianëve dhe Kothereve.
Asnjë ministër dhe drejtor nuk vjedh dot pa krijuar ekosistemin, që e ndih ta bëjë. Dhe pjesë e këtij ekosistemi jemi NE.
Burrecët që i lëpihemi Dollanëve dhe Kumbarove për të marrë një projekt dhe më pas të ndajmë lekët me to.
Them që “hajdutja” Dollani edhe për këtë duhet të ndiqet penalish e lirë dhe jo në burg!

No comments:
Post a Comment