Sunday, 15 February 2026

Rama nuk ka “vdekur” ende


Ka një optimizëm të dukshëm në rradhët e kundërshtarëve të Ramës, që i përkasin krahut të Berishës. Më të painformuarit dhe njëkohësisht më entusiaztë gënjejnë veten se “Amerika do ja bëjë si Maduros” dhe shumë shpejt “Rama do gdhihet në një burg në Nju Jork, ndoshta në qelinë e Xhefrit të Epsheve” . Më të informuarit dhe me pesë para mend më shumë, e quajnë “të mbaruar” dhe se shumë shpejt do i thuhet nga ndërkombsit “të hapë krahun”.

Këtu hyn edhe një dibran i mençur, i sojit të Pekave, i cili ndoshta aspiron edhe të marrë postin e Ministrit të Jashtëm në qeverinë që do zëvendësojë Ramën 4. Në një intervistë të gjatë në televizionin “Qiklopi” ai shpjegoi me hollësi të gjitha ngjarjet e muajve të fundit, që vërtetonin izolimin që po i bënin të huajt e rëndësishëm Palloshit të Gjatë. Ishte vërtet i informuar shumë mirë dhe njohës i marëdhënieve ndërkombëtare, i organizmave zyrtare dhe jo zyrtare të SHBA dhe EU, i lëvizjeve të Ramës dhe axhendave të tij. Edhe shumë i përmbajtur në optimizmin e tij. Kishe ç’mësoje prej atyre ç’ka thoshte.

Me përjashtim të faktit, që e quante kryeministrin shqiptar pak a shumë “të vdekur politikisht”. Nuk e përmendi kurrë këtë cilësor, por nënvizonte përfundimin se tashmë ata që vendosin në planin botëror i kishin larë duart me të.

Nuk di nëse ishte plotësisht i bindur në konkluzionin e tij, apo donte të nxisë shikuesit e “Qiklopit” të ngrihen me forcë për të rrëzuar Ramën. Ai nuk bëri një thirrje të tillë dhe ishte tepër perëndimor në mënyrën si fliste dhe argumentonte. Edhe nëse i theksonte për arsye propagandistike e bënte në mënyrë shëmbullore. Por unë dua të marr të mirëqënë se ajo ishte bindja e tij dhe të paraqes kundërshtimin tim për çështjen e “fundit të Ramës”.

Unë mendoj se në “lojën e pokerit” për të mbijetuar si kryeministër, Rama nuk është “krejt pa karta”. Edhe pse para një presioni dhe izolimi të dukshëm ai ende ka disa në dorë, që mund t’i luajë përballë atyre që kanë rëndësi në këtë botë dhe që në rastin tonë janë përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Europian dhe veçanërisht krerët e Gjermanisë.

E theksoj që goditjen përfundimtare Ramës mund t’ja japë vetëm BE-ja!

Administrata e sotme e SHBA-së është pak e interesuar të rrëzojë drejtuesin e një vendi të vogël europian, që është në prag të hyrjes në BE. Gjithashtu ajo ndjek një politikë të jashtme të “negociimit”, e cila i jep dorë udhëheqësve autokratë të tipit të Edvinit. Rama i di këto ndaj edhe po bën të gjitha përpjekjet për të siguruar një ftesë nga Uashingtoni.

Në raportet me Bashkimin Europian, edhe pse Rama nuk ftohet në Davos apo nuk siguron dot takime dypalëshe në Konferencën e Mynihut, nuk është “i djegur” për deri sa thirret nga Kosta në Bruksel dhe të pranojmë se i jepet një ultimatum. Një udhëheqës që BE e quan “të vdekur” nuk e thërret t’i japë ultimatum.

Ndaj intriganti Edi, edhe në këtë rast, shumë shpejt do bëjë atë që i kërkuan. Të lëshojë bashkëpunëtorët e afërt, të cilët akuzohen nga SPAK. Dje lëshoi të parën, drejtuesen e AKSH-it. Bela “Piçinina” do lëshohet me pak rezistencë duke u përdorur si kartë për tratativa.

Një “kartë“ tjetër në dorën e Ramës është mungesa e një udhëheqësi shqiptar për një të ardhme të afërt. BE dhe SHBA nuk mund të lenë “tufën e deleve shqiptare” pa “çoban” apo të një “çobani” pa mbështetje tek “delet”. Rama ka prerë çdo kokë brenda PS-së, që mund të konsiderohej nga të huajt si një pasues i mundshëm i tij. Shihni gjendjen e kupolës socialiste. Më lart nga të gjithë është Niko Peleshi. E dyta është Elisa Spiropali e me rradhë.

Tek forca më e madhe opozitare, lideri është ende Saliu me damkën “non grata” në SHBA dhe Angli dhe pasuesi i tij i drejtpërdrejtë është Flamur Noka.

Udhëheqësit e tjerë, të mirë a të këqij, të mençur apo kastravecë, nuk kanë elektorat.

Ndaj edhe nëse ultimatumi, përfshin zgjedhje të parakohshme brenda këtij viti, Rama ende nuk është “i vdekur politikisht”. Për mendimin tim , një gjë e tillë atij i intereson edhe nëse qeveria e tij tërhiqet dhe shkohet në zgjedhje me një qeveri teknike. (E theksoj qeveri teknike shqiptare!)

Ndaj duke ndarë dëshirën e zjarrtë nga logjika e ftohtë, edhe unë, një kundërshtar i Edvinit, qysh në kohët kur ishte Kryetar Bashkie them se ky “monstër” do jetë edhe disa vite në skenën politike shqiptare. Sikundër nuk “vdiq politikisht” edhe Sali Beu, që u godit hapur edhe më ashpër nga SHBA dhe BE.

Por më duhet të shtoj edhe diçka.

Në jetën politike të një vendi ndodhin jo rrallë ngjarje krejtësisht të pa parashikueshme që sjellin ndryshime edhe më të mëdha se rënia e një kryeministri.

Ndaj le të presim dhe të shpresojmë!

No comments:

Post a Comment