Sot kanë përcjellë për në banesën e fundit aktorin Zhani Ziçishti. Nuk kam ç’të shtoj nga ato, që thonë profesionistët për të, sepse i kam jo shumë të gjalla në sytë e mij, interpretimet e tij në teatër dhe kinematografi. Do them dy fjalë për dikë, që e kam njohur herët dhe që gjithmonë e kam quajtur të afërm të familjes.
Unë e kujtoj, kur ai kishte ardhur nga Tirana, pasi kishte mbaruar studimet për aktrim në shkollën e aktrimit “Aleksandër Moisiu”. Nuk ishte krijuar ende Instituti i lartë Arteve. Ishte ndër aktorët e parë me shkollim të plotë. Deri në ato vite, Teatri i Korçës kishte patur shkëlqimet dhe uljet e tij në sajë të aktorëve të talentuar , por amatorë. Të vetmit që kishin bërë shkolla arti ishin regjisorët Sokrat Mio dhe më vonë Piro Mani, të cilët dinin të merrnin interpretimin më të mirë të aktorëve profesionistë, por që kishin vetëm përvojë artistike dhe jo shkollim.
Zhani kishte mësuar nga pedagogët-aktorë të mirënjohur Loro Kovaçi, Naim Frashëri, Kadri Roshi, Drita Pelinku e të tjerë dhe sigurisht që nuk do e kishte të vështirë për të luajtur bukur krahas më të mirëve të Korçës.
Por njohja ime me të ishte në rrethana familjare. Ne hynim shpesh në atë shtëpi të Vasilit dhe Konstandines, ku hynte “pa teklif” e gjithë mëhalla dhe të tjerë. Ishin njerëz shumë mikpritës dhe Zhani i bënte të gjithë miqtë të ndjeheshin mirë. Nuk e hiqte buzëqeshjen dhe fjalën e mirë nga goja. Duke qënë edhe shumë “i ndorshëm” për të rregulluar nga paisjet e thjeshta shtëpiake dhe deri tek televizorët, ishte i gatshëm të shkonte te cilido që i kërkonte ndihmë. Nuk di se sa herë ka erdhur edhe tek ne, i palodhur, i pakursyer dhe duke mos ndenjur as për të pirë kafe. Kishte vërtet bujarinë e një kavalieri.
Duke qënë njeri i hapur dhe i drejtpërdrejtë, natyrisht që kishte edhe “përplasjet” e tij në karrierën artistike. Teatrot e të gjithë vendit në ato kohë kanë pasur probleme që lidheshin me egot e artistëve, me ndarjen e roleve, me preferencat e regjisorëve dhe deri në qasjet në mënyrat e interpretimit. Zhani i përkiste shkollës të realizimit të figurës nëpërmjet një analize psikologjike, larg deklamimit dhe interpretimit të sipërfaqshëm. Në vitet ‘70 , ballafaqimi i dy stileve të ndryshme, solli largimin e shumë aktorëve të Teatrit të Korçës drejt Kinostudios “Shqipëria e Re”. Mes tyre edhe Zhani.
Atje karriera e tij mori me të vërtetë hov. Edhe pse përgjithësisht luante në ato që në botë quhen “supportive rol” (rol mbështetës) ashtu si shumë aktorë të shquar të kinemasë botërore, Ziçishti bënte që protagonisti të interpretonte edhe më mirë, por pa e lënë në hije. Ishin shumë figura të spikatura, që krijoi dhe kishte edhe mjeshtërinë e duhur për të luajtur role negative dhe pozitive. (Kinemaja e kohës së Diktaturës nuk kishte figura komplekse, që mund të ishin edhe pozitivë edhe të mbartnin të meta apo vese).
E takoja më rrallë, sepse më të shumtën e kohës nuk ishte në Korçë, edhe pse “firmën në bordero” e vinte në teatrin “Andon Zako Cajupi”. Edhe më rrallë shkoja në shtëpinë e tij, se edhe prindërit e tij ishin moshuar.
Na pëlqente të gjithëve kur e shihnim që nga një film në tjetrin mjeshtëria e tij rritej. Ndoshta nuk e pengonin më edhe kërkesat e shumta të miqve dhe komshijve për t’ju rregulluar televizorët, radiot dhe makinat qepëse.I ishte kushtuar më shumë artit të ekranit pa harruar edhe atë të skenës.
Më pas, me rënien e Diktaturës, gjithshka ndryshoi dhe Zhani emigroi me gjithë familjen në Greqi për t’ju dhënë një të ardhme më të mirë fëmijëve dhe ata vërtet shkëlqyen në profesionet e tyre.
Herën e fundit e takova në Bibliotekën e qytetit, në prillin e vitit 2022, gjatë një takimi për të kujtuar babanë tim nëpërmjet diskutimit rreth librit “Biseda të pakryera me babanë“. Nuk di se nga e kishte mësuar, por qëlloi që kur erdhi me pak vonesë, u ul pranë meje. U përqafuam dhe më pëshpëriti në vesh “Dua të ble një libër edhe unë“. E pashë me buzëqeshje. Njeriun që kishte ardhur shumë herë në shtëpi për të riparuar televizorin apo lavatriçen. Pa ndenjur as për të pirë kafe. Me ngutjen për të ndihmuar dikë tjetër.
Njeriun që e kam quajtur gjithnjë të afërm të familjes, aktorin Zhani Ziçishti.
I qoftë dheu i lehtë!
No comments:
Post a Comment