Monday, 9 February 2026

Fati i Shqipërisë në dorën e Peleshit


Ka pika “kyçe” në Historinë e Shqipërisë, që kanë sjellë ndryshime të mëdha në fatin e saj dhe të popullit, që ka jetuar në trojet e tij dhe ka folur gjuhën që flasim sot. Për shembull e tillë ka qënë vrapimi me trokth i Skënderbeut me 300 kalorës dhe një ferman të falsifikuar drejt Krujës; dacka që një deputet turk i dha Ismail Qemalit në Mexhlisin e Perandorisë; vrasja e Esat Pashës dhe hakmarrja e Ahmet Zogollit; ftesa rastësore e Enver Hoxhës në mbledhjen e formimit të Partisë Komuniste e të tjera më pak ose njëlloj të rëndësishme. Ato sollën ndryshime tërësisht thelbësore për milionat e shqiptarëve.

Në një pikë të tillë jemi edhe ne sot, kur e ardhmja e vendit varet shumë nga qëndrimi që do mbajnë parlamentarët socialistë për arrestimin e Ballukes. Dhe më saktësisht nuk është në dorën e parlamentarëv, madje as të Udhëheqësit të ndritur të PS-së, Edi Rama.

Eshtë në dorën e Niko Peleshit, Kryetarit të sotëm të Kuvendit të Shqipërisë!

E ardhmja e jonë në dorë të Peleshit!

Dhe këtu nuk bëhet fjalë për një palë pantallona, që unë mund t’ja besoja pa u tutur dikur për të m’i qepur xhaxhai i tij i ndjerë Ilka. (Rrobaqepësi me emër ishte aq i dashur me popullin sa të gjithë meshkujve ju thërriste “e mo kushëri!. Nuk e përdorte për femrat këtë.)

Peleshi nuk ka trashëguar gërshërët e Ilkës, po dashurinë për popullin e ka të ngjashme. Veçanërisht në kohë fushatash. Mund të veçoj zellin e tij për të mësuar një nga dialektet rome, me qëllimin fisnik që të komunikonte në gjuhën e tyre me “kurbetët”. Nuk e mësoi me shkrim se romët e përndjekur kudo në botë nuk kishin alfabet.

Por le të përqëndrohemi në dashuria e tij për popullin punonjës dhe që e bën të mendojë këto ditë e netë se si të veprojë për Balluken.

Të shtyjë mbledhjen e Komisionit deri sa të kalojë afati tremujor si e urdhëron “zadrazemi” apo të ndjekë ligjin si ja kërkon ambasada pa ambasador amerikane?

Ta shtyjë a mos e shtyjë, kjo është çështja!

Nuk është kaq e lehtë sa mund të pritet me gërshërë dhe për më tepër ai gërshërët nuk i ka trashëguar.

Nga njëra anë sheh popullin që e do dhe nga ana tjetër i fanitet udhëheqësi “popullor” Edvin Kristaq Rama!

Nuk do doja kurrë të ndodhesha para një dileme të tillë!

Për më tepër më vjen keq për Nikon, se e kam edhe si në “sërë krushqie”. (Jo kushëri!)

Shqipëria ndodhet në udhëkryq se ç’rrugë do marrë pas goditjes apo jo të Drejtësisë.

Në rrugën e duhur mund ta çojë vetëm Nikoja, me vendimin e tij të mençur dhe në përputhje me Ligjet.

(Dhe ai do e marrë për dore sikundër duhet, pa ja futur aspak dorën tek mollaqet.)

No comments:

Post a Comment