Friday, 13 February 2026

Arkitektët nuk u “shkelën” që ditën e parë


Ndërsa shkruaj rreth raporteve të arkitektëve me pushtetin në Shqipëri, bluaj në mendje se si rrodhi, që arkitektët ishin më të nënvleftësuar në kohën e Lirisë se sa në kohën e Diktaturës. Kam pasur përvojën time prej 1991 deri më 1997 dhe ç’ka ndodhur më pas e kam kuptuar nga rrëfimet e kolegëve, nga shtypi ose e kam parë shkurtimisht në vizitat që kam bërë në Atdhe.

Mund të them se ishte një proces jo shumë i shpejtë, por i përditshëm dhe i ndihmuar edhe nga vetë ne, arkitektët.

Edhe pse nuk ka një kohë dhe një vend të caktuar, lidhet më tepër me fillimin e punës së Ramës si Kryetar Bashkie në Tiranë.

Por në këtë shënim të shkurtër nuk kam ndërmend të merrem me Tiranën dhe Ramën. Merr shumë kohë dhe faqe. Do përmend diçka që ka të bëjë me Korçën.

Në prill të vitit 2011 qëlloi që isha për një vizitë në qytetin e lindjes, kohë që përkonte me fushatën për zgjedhjet vendore. Kishte një përplasje të madhe të arkitektëve me Bashkinë dhe veçanërisht me kryetarin Peleshi (Ai ende nuk quhej Di Lana, se kjo i takon periudhës Tironse të tij.) Ishin thuajse të gjithë arkitektët kundër pavarësisht nga bindjet politike. Nuk jam i sigurt se si pat rrjedhur përplasja dhe se cila ishte arsyeja thelbësore. Në bisedat me disa syresh edhe unë mora krahun e kolegëve (Kishte ndodhur problemi i MAM si dhe pata këmbyer shpesh rreth Planit të Qendrës të Peter Uilson, por ende ruaja marëdhënie me dyshen Peleshi-Filo) Premtova edhe se do i bashkohesha takimit të arkitektëve në Muze dhe deklaratës në TV, por duke kërkuar që konfrontimi i jonë me Bashkinë të shmangte karakterin politik, meqë fushata ishte e nxehtë. Një koleg e përcolli idenë time tek arkitektët organizatorë, por një prej tyre tha: “Nuk do na e bëjë ligjin Naumi këtu!” Më humbi dëshira për tu bërë pjestar i një loje jo aq “arkitekturore” dhe nuk shkova në takimin në fjalë, i cili u krye me sukses dhe u transmetua në TV-të kombëtare.

Po ato ditë pyeta një koleg se pse ishte aq i acaruar me Peleshin. Mu përgjigj se gjatë vitit 2010 kishte arritur të fitonte një shumë qesharake, pasi Peleshi ju thoshte privatëve se nëse bënin projekte tek ai nuk do t’ju aprovoheshin. U skandalizova! Një Kryetar Bashkie vërtet mund të sugjerojë tek disa investitorë të bëjnë projekte në “filan arkitekt” (edhe kjo e kundërligjshme), por nëse ka vendosur të lërë dikë “pa bukë“ atëhere nuk bën vetëm shkelje të ligjit por edhe një poshtërsi të pakufi.

Mendova se si do kisha reaguar nëse do ndjehesha në vendin e kolegut tim dhe pas edhe një deklarate të Filos në TV, kundër arkitektëve u shpreha hapur kundër Bashkisë. Në atë shkrim (në blog) ze fill cilësimi i Filos si Ligavec Gollash dhe u bë ndërprerja e plotë e marëdhënies me Peleshin.

Për fatin e keq të Korçës dhe të arkitektëve, Peleshi u rizgjodh Kryetar Bashkie dhe e shtoi presionin ndaj “arkitektëve armiq”. Por profesionistët në vend të solidarizoheshin më tepër, të protestonin më hapur dhe të kthenin gjithnjë e më shumë opinionin e Korçës në dobi të tyre u dorëzuan. Dikush u largua nga Korça, disa të tjerë filluan të mosbëzanin dhe ndonjëri filloi “tratativat” me Nikon 2. Ky i fundit u ndje Pasha i Korçës, më pas u bë zv.kryeministër dhe la zv. Pasha Raqkën deri sa arritëm tek Kulla Vrojtuese, Biblioteka dhe plot monstra të tjera të ndërtuara në qytet. Kolegët e mij “rebelë“ heshtën!

Kjo ishte historia e shkurtër e “proçestit” të vënies së Korçës plotësisht nën kontrollin Peleshi dhe “prekjeve magjike” urbano-arkitekturore të fantazmës australiane Uillson. Nuk nisi që ditën e parë.

Unë nuk jam ndjerë as i vetmuar dhe as i tradhëtuar nga kolegët në “luftën e vogël” që kam bërë kundër uzurpimit të rolit të urbanistëve dhe arkitektëve të Korçës nga Nikollaqi i Peleshëve. Kam ndjerë keqardhje për ta dhe ndonjëherë i kam justifikuar se “nuk kanë nga ja mbajnë!”

Po ata vetë besoj se duhet të kenë nxjerrë një mësim:

“Po lejove të të shkelin pak, disa vite më vonë do ndjehesh si një m.. i shtypur! Edhe pse në llogarinë bankare mund të kesh 3-400 mijë euro!”

No comments:

Post a Comment