Tuesday, 17 February 2026

Liria ka emër...por jo atë të Hashim Thaçit


Kemi ardhur në një kohë që duhet të jemi të ndershëm me veten. Për gjithshka. Për ato që kemi bërë, për ato që mendojmë, për familjet tona, për rënjët tona, për popullin të cilit i përkasim, për vendin tonë dhe për të gjithë botën.

Nëse shkruajmë dhe themi të kundërtën e asj që mendojmë, jemi po të njëjtit “pahlavi”, sikundër janë më të shumtit e politikanëve sot në botë.

Sot festohet Pavarësia e Kosovës, që është vërtet një ngjarje me shumë rëndësi për popullin tonë të vogël. Ishin një sërë rrethanash, kryesisht ndërkombëtare, që ëndërra (sidomos e shqiptarëve të Kosovës) u bë realitet. Kishte më shumë se 140 vite që kishte mbetur ëndërr, edhe pse ishte derdhur shumë gjak.

Nëse do ishte e njëjta situatë ndërkombëtare si e sotmja, gjatë viteve të rëndësishme të luftës së UCK-së, Pavarësia nuk do ishte marrë sepse nuk do na e kishin dhënë. E megjithatë le të pranojmë jo me shumë modesti, se Liria e ka një Emër dhe ai është UCK-ja.

Emri i Ushtrisë Clirimtare të Kosovës nuk duhet njehsuar as me emrin e Hashim Thaçit dhe as me atë të udhëheqësve të tjerë të saj. Mund ta njehsojmë me ata kosovarë që dhanë jetën në luftë kundër një Pushtonjësi dhe këtu mund të përmendim Adem Jasharin dhe familjen e tij, si dhe shumë e shumë dëshmorë të tjerë.

Por nuk duhet t’ja fshehim vetes, që përsëri, si në kohën e Luftës së Dytë Botërore, lufta për çlirim pati edhe aspektin e keq të luftës për pushtet. Fraksionet ushtarake shqiptare u përplasën me njëri tjetrin se kush do e gëzonte pushtetin pas PAVARESISë. Dhe me këtë pushtet kishin parasysh mundësitë e mëdha që të jep pushteti për të mbushur xhepat. “Gjarpëri” me shokë e dinin mirë këtë. Krimet e ndërsjellta mes kosovarëve ndodhën edhe në territorin shqiptar. U reflektuan edhe në përplasjet e mëdha dhe vrasjet në Tropojë. Ishin vrasje që kishin zanafillën edhe tek trafiqet e armëve dhe tek paratë që fitoheshin.

E megjithatë udhëheqësit e UCK-së nuk janë në gjyqin e Hagës për korrupsionin apo për luftën mes fraksioneve. Ata akuzohen për vrasje, persekutime, tortura dhe zhdukje të njerëzve në fund të Luftës dhe pas saj. Por askush me shtirje patriotike të zjarrta nuk duhet të thotë se Bota po ve para gjyqit UCK-në. E përmenda më lart që UCK janë dëshmorët dhe luftëtarët e thjeshtë të atij formacioni, që sot ndoshta kanë emigruar në botë për të kërkuar një jetë më të mirë.

Ndaj le mos i bashkohemi palaçove si Edi Rama e ndonjë tjetër, që na shet patriotizmin e tij prej hajduti, duke thënë :”Më vjen keq vëlla që nuk mund të bëj më shumë“.

Edi vërtet mund të bëjë më shumë nëse ka edhe një fije ndershmërie brenda qënies së tij.

Të dorëzohet në SPAK si hajdut i madh dhe përsëritës dhe të marrë dënimin që meriton.

Për hir të Shqipërisë.

Them se nëse kemi pesë para mend, duhet të kemi arritur në një bindje, se Hajnija dhe Patriotizmi nuk kanë asgjë të përbashkët. Kush do thotë haptaz ose fshehtaz se “vërtet kam vjedhur më vonë, por për Shqipërinë isha gati të jepja jetën!”, po ja u them me bindje që gënjen.

U futë në atë çështje me synimin e qartë të merrnin një pushtet të madh për veten dhe mbi shpatulla morrën riskun që merr një hajdut që niset të vjedhë një bankë-fortesë që mbrohet me armë.

Po e përsëris si në një shkrim të mëparshëm, që nëse Prokuroria nuk është në gjendje të provojë akuzat, se Thaçi me shokë kanë urdhëruar që të kryhen krimet dhe Gjykata i nxjerr të pafajshëm, unë i uroj Komandantit një kthim të qetë pranë familjes. Sepse besoj që sistemi i Drejtësisë duhet të funksionojë dhe jo se kam bindjen që është i pafajshëm.

Por para shqiptarëve Thaçi e ka humbur betejën morale. Dhe jo sot që është para gjyqit, por shumë e shumë vite më parë.

Liria e Kosovës nuk mban emrin e tij!


No comments:

Post a Comment