Saturday, 21 February 2026

Një dibran i drejtë?


Para një jave u nda nga jeta Xhelil Gjoni. E mësova vetëm para disa orësh nga dhëndri i tij, që është koleg dhe mik i imi. Më bëri përshtypje heshtja në Shqipëri për largimin e tij. Më tepër u çudita me portalin Lapsi,al, i cili është i vetmi që lexoj nga mediat tradicionale shqiptare në këto 3 vitet e fundit.

Lapsi është në bashkëpronësi të dy gazetarëve të njphur, njëri prej të cilëve është Andi Bushati. Dihet nga të gjithë që Andi është nip i Hysni Kapos, dhe Lume Kapo, e motra e Hysniut ka qënë gruaja e Xhelil Gjonit. Shumë befasuese që në një portal që merret me jetën politike të vendit mos kishte dy rrjeshta për një njeri që ka qënë në nivelet e larta të politikës.

Po le mos harrojmë të ndjerin, kur flasim për të gjallët.

Unë nuk e kam takuar kurrë dhe përshtypjet i kam nga sa e kam parë në televizor gjatë viteve 1989-1993. Pra një periudhë shumë e shkurtër për të krijuar një përshtypje të përafërt për dikë me të cilin nuk ke këmbyer ndonjë fjalë.

Kur Diktatura po merrte të tatëpjetën, Xhelil Gjoni u thirr nga Dibra në Tiranë dhe u komentua se ishte i ashpër dhe do mbante fort Partinë për të mos u dorëzuar. Sigurisht që tek kundërshtarët e atij sistemi, që ato vite ishin të shumtë, kjo krijonte antipati dhe urrejtje. Vetë kisha një lloj rezerve, se Ramiz Alia atë kohë pat ngritu Foto Camin, Piro Kondin dhe ndonjë tjetër, të gjithë njerëz të krahut më të moderuar të Partosë së Punës. Të gjithë, përfshi edhe Xhelilin, kishin punuar në sektorin e propagandës dhe kishin drejtuar edhe Komitete Partish në rrethe. Nuk vinin as nga qarqet e Sigurimit që kishin lyer duart me gjak dhe as nga grupi i “injorantëve” si Simon Stefani apo Lenka Cuko.

Xhelil Gjoni kishte qënë për më shumë se një dekadë, gazetar dhe në një sistem të ashpër Diktatorial, gazetarët nuk janë kurrë më të këqijtë.

Por duke mos njohur me hollësi as se çka ndodhur në mbledhjet e Byrosë të asaj kohe dhe as bisedat me Ramiz Alinë, nuk mund të gjykoj dot se a ka qënë Xhelili në rolin e nxitësit të reformave apo frenues i tyre. Fjalët dhe diskutimet e tij të mëvonshme në Kuvendin pluralist, më kanë bërë të mendoj, se ka qënë nxitës i reformave dhe përkrahës i idesë se “pushteti nuk mund të mbahet më“.

Por ka dhe disa gjëra të tjera të kohëve të pas largimit të tij nga politika, që më kanë bërë të mendoj, se ka qënë i logjikshëm edhe më i drejtë se të tjerët. Në një intervistë të tij të shumë viteve më parë, pata lexuar rreth telefonatës që Dritëroi i kishte bërë pas diskutimit të tij të famshëm në Kongresin e formimit të PS-së. Shkrimtari i njohur dhe mik i Xhelilit që në kohët e “Zërit të Popullit” i kishte kërkuar këtij të fundit ta mbante në Kryesinë e PS-së. Sigurisht që thënia e të vërtetave të tilla dh e të tjerave të ngjashme, nuk të bëjnë të dëshëruar për politikanët e karrierës.

Heshtja rreth vdekjes të tij më bën të mendoj se ka qënë më i logjikshëm dhe më i drejtë se të tjerët. Këto cilësi të bëjnë të të quajnë “i vështirë“ veçanërisht në një shoqëri tepër të korruptuar sikundër është shoqëria shqiptare.

Dibrani i lindur në Maqellarë, kishte shkëlqyer në shkollë ndaj dhe i ishte akorduar e drejta për të studiuar filozofi në Moskë dhe Leningrad. Edhe shkallët brenda Partisë i kishte ngjitur gradualisht, pa pasur mbështetjen e të kunatit, Hysni Kapos.

A ka qënë një komunist i bindur në filozofia marksiste dhe në dobinë e Diktaturës së Proletariatit për vendin tonë?

Këtë nuk di ta them. Por jam i bindur që nuk ka qënë dikush që shkonte andej nga fryn era.

Ka qënë një dibran i mençur dhe i drejtë.

Prehu tani në Paqe Xhelil Gjoni!

Me mëkatet e të larguarve le të merret Krijuesi i njerëzve mëkatarë!

No comments:

Post a Comment