(vijim)
Në vitin e tretë patëm edhe “kontaktet e para” me lëndën e Urbanistikës, të cilën gjithashtu e ndiqnim “veresije”, sepse i ndjeri Enver Faja na dukej pak qesharak gjatë shpjegimit dhe njëkohësisht kishim tekst dhe mund ta mësonim për të “hedhur” provimin. Më kujtohet një herë që ktheheshim nga mësimi për në Qytetin e Studentit afër të cilit jetonte Faja si edhe Gent Nishani. E kishim profesorin në mes dhe flisnim për korifejtë e arkitekturës botërore. Mezi mbanim të qeshurën të dy me ekzaltimin e profesorit tonë kur i përmendte emrat e tyre.
Nuk di pse Faja nuk ishte i përfshirë në “zyrën e projektimit” të Katedrës atë vit. Ai kishte kontribuar në disa vepra të njohura në kryeqytet si Galeria e Arteve dhe Muzeu Kombëtar, që atë kohë konsideroheshin ndër veprat më të mira në Shqipëri. Ndoshta angazhimi i tij në lëmin e Urbanistikë e pat lënë disi jashtë veprave arkitekturore të viteve ‘80.
Por “zhgënjimi” më i madh i joni ishte në lëndën e Kompozicionit, të cilën e prisnim me shumë ëndërra qysh në dy vitet e para. Ishte lënda ku mendonim se do “shpërthenin” aftësitë tona krijuese dhe ku do ndjeheshim vërtet arkitektë (të gatshëm për të punuar në ëndërrat tona në studiot e Renco Pianos, apo të Filip Xhonson.)
Për shkak të shpërndarjes së orëve tek pedagogët e Katedrës, kompozicioni atë vit ishte lënë në dorën e pedagogut Isuf Sukaj. E ndjenim që nuk do mësonim dot shumë, se kishim një lloj ideje për aftësië e Isufit, por gjatë lonsultimeve e të zhgënjimi ishte i plotë. Isufi i shkretë, specialist shumë i mirë për ndërtimet bujqësore dhe blegtorale, nuk ja kishte idenë e arkitekturës bashkëkohore. Niveli i tij në drejtimin e projekteve të banesës kolektive dhe kinemasë (dy projektet semestrale të kursit) e them pa frikë që ishte nën nivelin e njohurive tona. Patëm liri për ato projekte, por në mungesë të plotë të udhëheqjes profesionale. Marëdhëniet me të ishin shumë të mira, por ne vuanim nga mungesa e një mentori të mirë, i cili do dinte të na fuste në një udhë të mirë konceptimi vëllimor dhe funksional. Nuk mudn të gjykoj sot për nivelin e projekteve tona, por di që as ne dhe as Katedra nuk ishim të kënaqur. Edhe ata prisnin më shumë nga grupi jonë.
Isufi (ato vite edhe një lloj shefi administrativ i Katedrës), gjatë muajit të praktikës mësimore të bëja projektin e Stacionit të Trenit të Kavajës, Ai ishte vetë kavajot dhe nuk di nëse donte të përfshihej në projektimin e stacionit apo donte të ndihte qytetin e lindjes. Besoj se ato vite Kavaja mbulohej nga ZUP-i i Durrësit në krye të të cilit ishte i mirënjohuri, ark. Koço Miho. Nuk kishte përse të pyesja dhe me plot dëshirë u mundova të bëja diçka, mbështetur edhe në dy projekte shqiptare stacionesh që pedagogu më kishte dhënë. Sërish “sytë m’i hapi” Gon Lufi, kur e pyeta për konceptimin e një stacioni treni. Sukaj nuk mund të më jepte asnjë këshillë. Nuk di ç’u bë me planet dhe fasadat, se nuk ishte një projekt i detajuar, pasi koha në dispozicion ishte vetëm një muaj!
Në vitin e tretë, mbyllëm edhe Vizatimin e Lirë (një semestër). që kur e shoh sot, ishte një lëndë tejet e zgjatur gjatë studimeve. Ne na pëlqente si lëndë se disa prej nesh kishin patur prirje dhe dëshirë për të vizatuar qysh në fëmijëri. Gjatë saj mësuam përdorim të mirë të akuaralit dhe vizatimit me laps, pa u futur në teknika të tjera të pikturës, me përjashtim të ndonjë grafike që provonim vetë në kohën e lirë. Pas studimeve, shumë bashkënxënës dhe studentë të tjerë të arkitekturës zhvilluan prirje të mira për pikturë dhe morën pjesë në ekspozita kombëtare dhe ndërkombëtare. Ishte Vizatimi i Lirë dhe përdorimi i akuareleve, që na kishte ngjitur në Fakultetin e Inxhinierisë nofkën “bojaxhinjtë“. Ne shpesh mendonim se “inxhinierët” e ardhshëm kishin një lloj zilie për ne, ndaj edhe na sugjeronin me ironi, që duhet të ishim përfshirë në Institutin e Arteve dhe jo tek inxhineria. Për fat të mirë kjo nuk ishte konsideruar kurrë si ide e mundshme nga Katedra e Arkitekturës.
Programin tonë mësimor, me shumë përqëndrim tek vizatimet arkitekturore dhe ato të lira, e konstatuam gjatë një vizite të një grupi pedagogësh turq të Arkitekturës të Universitetit të Lindjes së Mesme në Ankara. Ata shfaqën një dokumentar në anglisht (Universiteti ishte me programe dhe drejtim nga profesorë amerikanë) të veprimtarisë së studentëve, ku konstatuam me keqardhje se programet tona ishin ku e ku më të prapambetura. Edhe pedagogët turq, nga ç’kishin parë nga projektet e studentëve dhe nga ndjekja e ndonjë ore mësimi, kishin konstatuar se i kushtohej shumë rëndësi paraqitjes grafike të projekteve, por jo përmbajtjes dhe mundësive të realizmit në praktikë. Me një fjalë ne ju kushtonim shumë rëndësi “bojnave”!
Nuk di nëse këmbimet me turqit ndikuan tek Katedra për përmirësimin e programeve në të ardhmen, por në të njëjtën kohë, shqetësimet e studentëve (dhe të vetë pedagogëve) patën krijuar një lëvizje për ndryshimin rrënjësor të programeve. Asistuam në një mbledhje të shumë arkitektëve të njohur, të ftuar nga Katedra pikërisht për të diskutuar lëndët e reja të domosdoshme për formimin e një arkitekti. Pati diskutime të zjrrta nga ata që dinin dhe nga ata që s’dinin, por gjithsesi ishte një hap i hedhur në drejtimin e duhur. Disa vjet si kishim mbaruar ne, dega e Arkitekturës u nda në dy profile (arkitekturë dhe urbanistikë) pas vitit të dytë. Edhe vitet e shkollimit u bënë pesë nga katër që ishin tonat. Me siguri që ka patur përmirësim në programe dhe tekste, por unë nuk u interesova më kurrë se ç’ndodhte në “botën qe kisha lënë pas”.
(vijon)
No comments:
Post a Comment