Unë nuk jam i sigurt se kur i “kolektivizuan” piktorët dhe se ç’lloj shërbime i bënin ata “miletit” të qytetit. Nuk jam i sigurt edhe cilët ishin të gjithë të parët, që nuk punonin më si privatë pas Luftës së Dytë, por nisën të bënin shërbimet e tyre ndaj enteve shtetërore dhe private me gjithshka që ofronte talenti i tyre brenda një kooperative.
Mundet që ndër të parët ishin Guri Madhi, Rafail Demboja dhe Vangjo Frashëri (Manjati), që kishin punuar me rrogë si piktorë të kinemave “Majestik” dhe “Luksi”. Në gjithë “dritaret-reklamë“ të tyre vendoseshin piktura të “kopertinave” të filmave të huaja, të njëjta me “posters” origjinale që shoqëronin filmat e Hollivudit dhe më pas ata italianë dhe gjermanë.
Guri (Vëthka) u shkëput më shpejt, se shkoi të studionte në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë dhe menjëherë sa mbaroi liceun shkoi në Leningrad për të studiuar në Akademinë e Arteve të Bukura. U kthye si një nga piktorëët më të mirë shqiptarë, por nuk punoi më në Korçën ku kishte lindur dhe ishte rritur.
“Manjati” dhe Rafaili vazhduan dhe bashkë me ta edhe Pandi Nandoja, Vaskë Jole dhe më vonë edhe shumë të tjerë. Pikturonin gjithshka për të cilën kishte nevojë qyteti, nga tablotë e kopjuara, me të cilat korçarët donin të zbukuronin “dhomat e pritjes” dhe deri në parrullat “Bashkim- Vëllazërim”, “Rroftë Mareshali Tito” dhe portretet e Stalinit, Titos, Enverit dhe Gjergj Dimitrovit. Madje, pa ikur misionet angleze dhe amerikane, edhe portretet e Curçillit dhe Rusveltit.
Ishin shumë dhe disa shumë të talentuar. Korça kishte qënë një qytet i zhvilluar dhe Mioja, Spiro Xega, Dhimititër Cani dhe Vangjush Tushi kishin ndikuar tek shumë të rinj të përqafonin artet e bukura. Shpesh kishin dhënë edhe mësime falas për djemtë e apasionuar pas vizatimit dhe ngjyrave. Kështu që një brez i tërë të rinjsh korçarë, të lindur në vitet ‘20 dhe që kishin talent për pikturë e kishin ndjekur ëndërrën të bëheshin të famshëm si impresionistët apo piktorët modernë bashkëkohës.
Më pak kishin patur mundësi të mësonin vajzat nga piktoret e njohura korçare motrat Androniqi dhe Sofia Zengo, të cilat kishin studiuar për pikturë në Athinë dhe Paris. Të dyja kishin përvojë të veçantë në ikonografi, por pas studimeve, Androniqi jepte vizatim në Institutin Femëror në Tiranë, ndërsa Sofia ndenji për një kohë të shkurtër gjatë luftës në Korçë dhe në fund të saj u martua në Tiranë.
Nga djemtë e talentuar të “kooperativës”, pas Guri Madhit, edhe Rafail Demboja shkoi të studionte në Leningrad. Grupi rritej sepse rriteshin edhe kërkesat për shërbimet e tij. Kjo nga numuri më i madh i organizatave të masave, ndërmarjeve shtetërore dhe institucioneve të ndryshme, të cilat kërkonin gjithnjë e më shumë “kënde emulacioni”, “parrulla mobilizuese” dhe portrete të sho Enver (portrete të anëtarëve të Byrosë Politike gjithashtu porositeshin, por ishin më të pakët). Në kooperativë ishin shtuar Mihallaq Kita, Maqo Lakrori, Pandi Luarasi, Llazi Sterjo dhe në vitin 1958 edhe Dhimitraq Kolevica dhe Krisanthi Turtulli.
Në fund të viteve ‘50 dhe në fillimin e viteve ‘60, reparti i pikturës , si pjesë e Ndërmarjes së Artizanatit ishte në mjediset e katit përdhe të banesës së Vasil Katros, prapa Hotel “Pallas”, emri i të cilit ishte ndryshuar në “Krimea”. Ndërmarja e Artizanatit përfshinte një gamë të madhe të profesioneve, duke filluar me samarxhinjtë dhe kallanxhinjtë e duke përfunduar me “elitën” që ishin piktorët e repartit pikturë-dekor. Nga zanatet e tjera kishte ende edhe privatë, por më 1966 me ligj u ndaluan të gjitha veprimtaritë ekonomike private dhe të gjithë u përfshinë në disa ndërmarje, që më parë ishin nën ombrellën “kooperativat e Artizanatit”. Më të shumtët ishin pjesë e Ndërmarjes Komunale të Riparim Shërbimeve, por pati edhe reparte që u bënë pjesë e Ndërmarjes Artistike, apo edhe të Ndërmarjes s Prodhimeve të Ndryshme.
Disa piktorë shkuan në Ndërmarjen Artistike, ndërsa pjesa më e madhe e grupit mbeti brenda Riparim-Shërbimeve dhe ishin transferuar tashmë në katin përdhe të një banese të madhe me dyqane poshtë, përballë krahut perëndimor të Godinës së Mitropolisë. Më pas grupi i madh sërish u nda në dy pjesë, një pjesë e quajtur reparti i Dekorit u përfshi në ndërmarjen Komunale Banesa dhe një pjesë më e vogël mbeti në Riparim – Shërbimet. Mihallaq Kita dhe Pandi Nando ishin nga të fundit e mbetur brenda Riparim-Shërbimeve.
(vijon)

No comments:
Post a Comment