Friday, 6 February 2026

Vitet ‘80 në arkitekturën e Korçës (2)

 


(vijim)

Një zgjidhje amatoreske (edhe pse më e mirë se e sipërpërmendura) pati edhe blloku i madh i banimit në zonën pas Stadiumit (e njohur si ajo e Varreve të Francezëve). Përsëri i njëjti problem. ZUP që duhet të bënte një studim paraprak për të krijuar detyrën e projektimit, nxitohej të fillonte hapjen e shesheve të ndërtimit për NN dhe planifikohej sipas parimit “sa më shumë banesa duke respektuar distancat”. Për mua përgjegjësia nuk ishte vetëm e autorit (ark.V.Bellani), por edhe e urbanistëve të sektorit të Urbanistikës në Institutin nr.1 Tiranë, të cilët jepnin këshilla rreth projektit.

Por shumë shkëndija interesante profesionale pati në arkitekturën e qytetit edhe pse investimet ishin të pakta. Blloku i banesave kolektive ku ishte Merkatoja (sot me duket se quhet Blloku Rinia) u projektua mirë dhe me shije nga ark. Ylli Nashi edhe pse kishte kufizime nga kërkesa për të realizuar konstruksionin me parafabrikate. Punë me nivel profesional edhe pse në kohën e mungesave të materialeve cilësore ndërtimore, bëri brigada e NN-së e drejtuar nga ing. Oli Plaku dhe tekniku Vladimir Katro.

Nashi bëri edhe disa projekte të tjera të vogla, ku tregoi profesionalizëm të mirë dhe koncepte moderne të arkitekturës si ishin Klubi i Gjuetarëve dhe rikonstruksioni i restorantit “Valbona”. Në vitin 1983 ai u transferua në Tiranë dhe rolin e tij, si arkitekt kryesor i qytetit (i paemëruar) e mori ark. Aleko Papakozma. Lekoja kishte dëshmuar dëshirën për të projektuar mirë edhe më parë dhe edhe pse nuk pati mundësi për objekte shumë të mëdha, tregoi profesionalizëm në projektet e shtëpisë së çlodhjes në Moravë, zyrave të Doganës në qytet dhe atë të stadiumit të Korçës (projekt i pazbatuar). Projekti më i plotë i tij ishte kompleksi i banesave kolektive pranë Xhamisë, i cili nuk u realizua i gjithi, sepse ndryshoi sistemi politiko-shoqëror. Më parë ai pat projektuar bukur edhe Komitetin e Partisë në Korçë, në punë-diplomën e tij, i drejtuar nga arkitekti i njohur Sokrat Mosko.

Sikundër e përmenda në shkrimin për vitet ‘60-’70, arkitekti i parë (në kohë) i em[ruar n[ qytet, Vangjush Bellani, edhe pse me zell për punë, nuk ishte ngritur dot mbi nivelin mesatar të kohës. Ka objekte të tij kryesisht në zonat industriale, që janë të pranueshme, por tek projektet brënda qytetit, dështimet patën pasuar njëri tjetrin.

Nën mesataren është projekti i Komitetit të Partisë, për të cilin nuk mund të justifikohesh vetëm me formën dhe vëllimet e detyruara (prej studimit urbanistik t[ Institutit). Në kohën kur objekti u realizua, të dukej që kishte një lloj “kapsllëku” në projektimin e tij.

Më i gabuar ishte projekti për godinën e Postë- Telekomunikacionit, i projektuar të ndërtohej pasi të prisheshin ndërtesa e “BOP-it” dhe fqinjet e saj në sheshin pranë Luftëtarit Kombëtar. Për fat të mirë projekti u hodh poshtë në Këshillin Teknik, nga një lloj konsensusi i të gjithë arkitektëve të asaj kohe, anëtarë ose jo të këshillit. Objekti ju ngarkua menjëherë Papakozmajt për tu realizuar në parcelën më tej dhe qëndron mirë edhe pse u projektua në kohë rekord dhe nuk është ndër veprat më të mira të tij.

I atyre viteve është projekti i Pallatit të Kulturës, i cili nuk ishte lënë në dorën e ZUP -t, por i ishte ngarkuar arkitektit me përvojë Koço Comi. E kam parë atë projekt (përfshi edhe maketin) dhe kam folur me Koçon në atë kohë. Edhe pse i detyruar nga një zgjidhje “pompoze” urbanistike (ide e Hoxhës nëse nuk është legjendë) për mendimin tim modest, ai ishte projekti më i mirë arkitekturor i projektuar për Korçën pas Luftës së Dytë. Mungesa e fondeve e shtyu vazhdimisht nisjen e ndërtimit të tij dhe si rrjedhojë objekti nuk u realizua. Nuk mund të them me bindje se do qëndronte shumë mirë në atë zonë tepër delikate, sepse gjykimi i vërtetë për një vepër duhet ruajtur për kohën pasi ndërtohet, por them se i gjithë kompleksi qëndror do ishte më i mirë se sa është sot.

(vijon)

Foto- Restorant Valbona autor ark, Ylli Nashi

No comments:

Post a Comment