Sunday, 1 March 2026

Grimca të një kohe “të vdekur” (I)

 


...

Në kishë i dukej se shënjtorët e shikonin që nga muret. I kishin sytë e mëdhenj dhe i dukej sa ja kishin ngulur dhe diçka donin t’i thoshin. Rrinte tërë kohën më këmbë, se lodhej duke u ngritur dhe ulur sa herë të mëdhenjtë e bënin gjatë meshës. Edhe kryqin harronte ta bënte ndonjëherë, po nuk mendonte se shënjtorët me rrobat me ngjyra të forta do e qortonin. Shikimet e tyre ishin të mbushur me një dashuri të mistershme që e tërhiqte më shumë se sa e frikësonte. Kur ishte rritur edhe pak, e jëma i kishte thënë që i kishin zografisur njerëz që quheshin zografë. Nuk kishin qënë gjithnjë në ato mure.

Mure të tjera kishin nisur të ngriheshin pranë kishës dhe të mëdhenjtë theshin se do bëhej një kishë më e madhe se ajo e Shën Gjergjit. Ai e kishte parë një herë kur shkonin në Pazar dhe i ishte dukur shumë e madhe dhe nuk e besonte se mund të bëhej një më e madhe. Ajo e Shën Gjergjit i kishte këmbanaret që e kalonin qiellin. Më e madhje duhet edhe këmbanaret t’i kishte më të mëdha. Si do i dëgjonin këmbanat që aq larg?! Po ai e besonte të gjyshin edhe më shumë se të jëmën, se ai ndonjëherë vinte një palë syze dhe lexonte libra. Libra të vjetra greke. Në to duhet të ishin tërë sekretet. Edhe ato të këmbanareve që ngriheshin më tutje se qielli.

I vogël nuk kuptonte se ku ishte i jati. E dinte që nuk ishte “matanë Lumit, se e jëma i kishte thënë, që andej rrinin muhamedanët, po i dukej çudi që mund të kishte edhe më larg se matanë Lumit dhe shtëpive të muhamedanëve. Amerika duhet të ishte shumë larg dhe duhet të kishte edhe Pazar më të madh me shumë dyqane, se rrobat më të mira prej andej ju kishin ardhur. Edhe pse Pazari i dukej i pafund dhe nuk i kishte parë të tëra dyqanet e tij. Këpucët e të djelës me ngjyrë kafe, “pe Amerike”, i kishte pak të mëdha, por e jëma e siguronte se “këmba do i rritej shpejt” dhe ca pambuk që mbushte majën e këpucës nuk do e linte ta vriste.

Ditëve të tjera kur luante në oborrin e shtëpisë, apo dilte jashtë tij dhe shkonte pranë plepave ndanë Lumit, mbathte këpucë të tjera. Me to luante edhe futboll me një top prej lecke me tre katër shokë të moshës së tij. E jëma i kishte thënë që kur të rritej do i kërkonte të jatit t’i dërgonte një top të vërtetë prej lëkure nga Amerika. Dhimitraqi i vogël qeshte me vete se Amerika i dukej e largët dhe më e largët i dukej dita që do rreitej e do luante me një top të vërtetë. Vançi Tomçoja, që rrinte jo shumë larg prej tyre dhe luante me top të vërtetë me brekëverdhët e “Skënderbeut”, i dukej shumë i madh.

Skënderbeun e kishte parë në një fotografi në dhomën e të gjyshit. Nuk kishte parë kurrë njeri me kapelë të atillë në kokë. Mjekrën e kishte të gjatë, si të Papa Janit, por në kokë nuk kishte kamillaf po një si kokë dhie me dy brirë. I gjyshi i kishte thënë që ajo nuk ishte kapele e zakonshme, por quhej përkrenare dhe ai e vinte kur luftonte me turqit po ai nuk e kuptonte se ç’duheshin brirët në luftë. Nuk e kishte pyetur plakun Nikolla. Po më mirë Skënderbeu që kishte përkrenaren me brirë në kokë se kamillafi i Papa Janit, që i dukej si një daullkë e lartë e zezë dhe që mund të binte nga çasti në çast përdhe.

Një kokë dhie kishte qënë nga gjërat e para që kishte vizatuar i vogël. Një bri kishte dalë më i vogël se tjetri, po i gjyshi e kishte ngritur në krahë dhe kishte puthur. “Do bëhesh zograf!” i kishte thënë dhe atij i ishin kujtuar sytë e shënjtorëve që e shihnin nga muret e kishës. Ai me emrin e të gjyshit kishte një mjekër të bardhë , më të gjatë edhe se të Skënderbeut po në kokë nuk kishte dhinë me brirë, por një brerore. Edhe të tërë shënjtorët e tjerë. Me mendje kishte thënë që të parin do “zografiste” Shën Nikollën, pastaj Shën Naumin dhe në fund Shën Dhimitrin. Në kishën e madhe që po ngrihej përkrah të voglës dhe që do ishte më e madhe se ajo e Shën Gjergjit.

...

No comments:

Post a Comment