Saturday, 28 February 2026

Ku është fundi politik i Ramës?


Do rrekem më kot të parashikoj të paparashikueshmen duke analizuar të paanalizueshmen dhe që është gjendja politike e Shqipërisë e pandarë nga fati i një njeriu – Edi Ramës.

Do mundohem edhe të shkruaj me seriozitet për një çështje karagjozo-tragjike, sikundër është qeverisja e vendit tim, që prej vitit 2013, që ka kulmuar për keq gjatë viteve të fundit.

Pyetja e parë është: C’mund të bëjë një njeri me kaq shumë pushtet, tani që skandalet janë aq të mëdha dhe të pranishme, sa edhe sikur të ketë një grimë të një administrimi të mirë edhe kjo nuk mund të duket as me lentet zmadhuese të sahanlëpirsave të tij?

Eshtë një pyetje logjike por edhe që të dëshpëron, se normalishte duhej pyetur – C’farë do bëjë opinioni publik dhe i gjithë populli para kësa gjendjeje skandaloze? Po opozita? Po partia e tij?

Por pyetjet e mësipërme janë deri diku të kota, se populli si edhe opozita, si edhe partia e tij , janë plotësisht impotentë!

(Në kohën e Diktaturës po të guxoje të ngrije pyetje të ngjashme të pëlcisnin mbi 10 vjet brenda edhe pse të gjithë e dinin se në Shqipëri bëhej ç’theshte Enveri.)

Për të ndihmuar veten t’i përgjigjem pyetjes së parë, po ngre një tjetër pyetje:

-Kujt i trembet Edi Rama?

Unë mendoj se Rama nuk ja ka askujt frikën në Shqipëri pikërisht se e njeh impotencën, që preka më lart.

Atëhere mbetet të themi se ai i trembet vetëm Amerikës dhe krerëve të Bashkimit Europian (veçanërisht Gjermanisë.)

Por duke qënë një nxënës i mirë i “intrigave politike ndërkombëtare”, në sajë të Toni Bler dhe këshilltarëve të tjerë të huaj, që ka pasur gjatë viteve të qeverisjes, ai e di situata në vend apo dhe ajo ndërkombëtare nuk është e tillë, që nga Shtëpia e Bardhë apo nga Brukseli t’i vijë urdhëri : Ti nuk mund të qeverisësh më!

Jo se shpikësit e “demokracisë moderne” kanë ndonjë skrupull, por hë për hë, në “ dy fshatrat e mëdha sshqiptare” (Shqipëri dhe Kosovë) duan stabilitet. Cdo fuqizimi i ndikimit rus në Ballkan apo vende të tjera ish-socialiste, ju prish punë të dy qendrave të fuqishme të politikës botërore. Për rregulla të ndershme demokratike as bëhet fjalë, se europianët këto i ruajnë vetëm faqe opinionit dhe i shkelin rëndë në prapaskenë, ndërsa amerikanët tani nuk i ruajnë as faqe opinionit.

Për të larguar sa më shumë mundësinë e largimit nga “kamzhiku i huaj”, Rama po përdr gjithë lidhjet me të huajt, duke nisur me Netanjahun dhe të tjerët, duke premtuar jo vetëm 1 miliard dollarë për Bordin e Paqes, por edhe shumë favore të tjera “palaçove” administratës së sotme amerikane.

Me Gjermaninë kjo nuk mund t’i ecë, por frika e tij mund të lidhet vetëm me një bllokim të ekonomisë shqiptare nga ndalja e kredive dhe ndihmave financiare europiane. Unë nuk e di se sa peshë kanë këto kredi dhe ndihma në ekonominë e vendit, për të gjykuar se sa frikë mund të ketë Rama. Sepse (pa patur shifra) mendoj se 40-50% e ekonomisë së sotme shqiptare është rrjedhojë e financimeve që vijnë në vend nga trafiqet e drogës. Dhe në mbështetje të këtij arsyetimi duhet nënvizuar sjellja e tij në dy muajt e fundit ndaj Izraelit, Bordit të Paqes, OKB-së, të gjitha në kundërshtim të hapur me politikat e një Europe ku shtiret se ka dëshirë të hyjë.

Sa për pezullimin e procesit të integrimit, apo shtyrjen pa afat, Ramës nuk i bëhet vonë për sa kohë mbetet në krye të vendit. Ai ka mësuar nga përvoja e Erdoganit për këto lloj pezullimesh apo shtyrje afatesh.

Ndaj edhe pse nuk them se Rama do rrijë me duarlidhur dhe nuk do vihet në lëvizje të plotë, mendoj se ai ka ende “shumë karta në dorë“ për të luajtur në lojën e pokerit të politikës europiane.

Një nga më kryesoret mendoj se është “shpallja e zgjedhjeve të parakohshme me një qeveri teknike” në muajt e vjeshtës për t’i treguar europianëve se ka mbështetjen e popullit! Kështu mbështetësit e tij në BE mund të thonë : “E dimë që ka vjedhur, por e voton populli!” dhe të lehtësojnë në maksimum trysninë e Gjermanisë. Kjo më bën të mendoj se Gjermania nuk do kërkojë më pas me ngulm që të ngrihen akuza nga SPAK ndaj Ramës.

A ka frikë nga ministrat e tij, se i bëjnë lojë të dyfishtë dhe venë nëdispozicion të të huajve dosje të korrupsionit?

Të tilla paranoja janë të pranishme gjatë karrierës jo të shkurtër të një Autokrati apo Diktatori. Bëhen më të theksuara sa më shumë kohë të ketë qëndruar në pushtet. Por për ata që e shohin nga jashtë pa patur komplekset e Ramës, është e qartë se e keqja e tij nuk i vjen nga brenda. Edhe pse mund të ketë shumë kundërshtarë që pëshpërisin në veshin e njëri tjetrit, korridoreve të PS-së apo të Kuvendit Popullor. Ndaj dhe lëvizjet do jenë ato të zakonshmet – shkarko të vjetrit dhe emëro të rinj anonimë.

Por të gjitha këto nuk ndikojnë në veprimin e rëndësishëm dhe final të tij dhe që do lidhet shumë me se çdo bëjë në rast të një fitoreje të ngushtë në zgjedhjet e vjeshtës, që unë po i supozoj?

Deri këtu më arrin imagjinata ime e thjeshtë, e pastërvitur në prapaskenat e politikës së fëlliqur shqiptare.


Duke dëgjuar Ticiano Ferron

Dhe nuk mund të jem më se i kënaqur

Nuk do mundem kurrë!

Dikush nuk mund të lagë buzët

Nën rrënojat pas një bombardimi,

Një i ri krejt marrëzisht vdes

Nga mbidoza,

Jo se është i sëmurë.

Nuk mund të jem

Dhe asnjëherë nuk kam qënë;

As ditëve të bukura plot diell,

    As muzgjeve të mrekullueshme erëkandë

        As netëve ndriçuar nga një magjike hënë.

Fëmijë i vogël dikur ndjeva

Se të jesh i lirë është kaq zor,

Edhe sikur në shtrat një ëngjëll të jetë shfaqur,

Diku njerëzit i vrasin se duan të jenë të lirë,

    Diku të jetosh duhet puthësh një horr,

        Diku as të jetosh nuk mundesh,

Ndaj kurrë s’do jem më se i kënaqur!

“Të korruptuarit” që nuk pyesin për ligjet ndërkombëtare


Ka disa miq dhe të njohur, që reagojnë në kundërshtim me shkrimin e sotëm rreth sulmit të Amerikës dhe Izraelit ndaj Iranit. Më vjen mirë që kjo ndodh, sepse edhe unë jam në gjendje të kuptoj më mirë jo vetëm këndvështrimet e ndryshme, por edhe thelbin e të vërtetës të ngjarjeve të tilla, të cilat nuk janë kaq “clear cut” (të prera me thikë).

Argumenti më i fortë, i bazuar në faktet reale, është që një pjesë e mirë e popullit iranian i mirëpret bombardimet, sepse jo vetëm janë dërmuar nga gati 50 vite të sundimit të mullave, por edhe për të shpëtuar nga masakrat e tre muajve të fundit, ku flitet se janë vrarë mbi 100 mijë njerëz.

Me një fjalë thonë:

E mira e madhe e ndalimit të masakrave dhe rënies së regjimit qëndron mbi “të keqen” e shkeljes të ligjeve ndërkombëtare.

Një nëntekst i këtij përfundimi (deri diku të logjikshëm) është që njerëzit e këqij (Trump, Netanjahu, Rama) mund të bëjnë edhe gjëra të mira.

Nuk është diçka tërësisht e gabuar, se edhe tiranët kanë bërë ndonjë gjë të mirë, por unë them se nuk është e vlefshme për rastin e bombardimeve të sotme, që mund të kthehen edhe në një luftë të madhe rajonale.

Për të mos shkuar shumë larg, problemet kryesore me Iranin (projekti nuklear, sponsorizimi i terrorizmit, shkelja e të drejtave të njeriut etj.) u prekën gjërë e gjatë në mandatin e dytë të Obamës dhe me pjesëmarrjen e Bashkimit Europian, Rusisë dhe Kinës. Me kërkesën e Netanjahut (kundërshtar i negocimeve), Trump u tërhoq prej tyre që në fillim të mandatit të tij të parë, pa i zëvendësuar me një përpjekje tjetër diplomatike (dhe presioni). Edhe pse në atë kohë nuk kuptohej qartë, më vonë, analistë seriozë kanë argumentuar se ka qënë pjesë e planit izraelit për të zëvendësuar nëpërmjet luftës regjimet që mbështesnin çështjen palestineze, Planet e tilla, të realizuara në Irak, Libi, Somali dhe Siri kanë sjellë jo vetëm ndryshim të regjimit, por edhe shkatërrim të ekonomisë dhe strukturës politike të këtyre vendeve.

Për interesin e ngushtë të Izraelit (që nuk përkon me atë të Njerëzimit) këto luftra kanë funksionuar për bukuri.

Sigurisht që Irani, si “kockë e madhe” u la për në fund pasi kundërshtarët e tjerë të Izraelit ishin dobësuar dhe marëdhëniet me vendet më të korruptuara arabe ishin përmirësuar. (Marëveshja e Abrahamit). Në këtë kuadër ishte edhe i gjithë “inkurajimi” i Hamasit për të bërë masakrën e tetorit 2023, që solli edhe genocidin e Gazës. Tashmë vetëm Irani kishte mbetur pengesë për të realizuar planin Izraelit për të marrë edhe më shumë toka “nga Nili në Eufrat”.

Në këtë kornizë duhen parë bombardimet e sotme.

Por le të bëjmë “avokatin e djallit” dhe të themi se pavarësisht nga interesat e Izraelit, ky ndryshim i mundshëm i regjimit është i mirë edhe për popullin iranian.

Në vitin e largët 1941, kur trupat e motorizuara gjermane përparonin në territorin e Bashkimit Sovjetik, jo vetëm që masa të tëra me ukrainas dhe rusë i shihnin si diçka që do i shpëtonte nga Diktatura e Stalinit, por edhe një pjesë e opinionit botëror e quante si “shpëtim të popullit rus nga Xhelati”. Mos harrojmë se sa kishte vrarë Diktatori i majtë gjatë viteve ‘30.

Por e mira e Njerëzimit nuk ishte në krahun e Hitlerit.

Edhe pse nuk është një përsëritje identike, duhet të mendohemi thellë kur përkrahim ndërhyrjen e sotme ushtarake ndaj një vendi tjetër. Historia na ka dhënë mësime për këtë.

Trump është duke vepruar jo vetëm në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare, por edhe me ligjet amerikane, madje edhe në kundërshtim me premtimet e tij gjatë fushatës elektorale.

Për më tepër bombardimet vrasin njerëz të pafajshëm dhe nuk dimë nëse do sjellin apo jo ndryshimin e regjimit.

Politikanët e këqij mund të bëjnë vetëm vepra të këqija!

Edhe mbështetja që i bën Rama dhe hajdutë të tjerë të kallëpit të tij, duhet të na bindë se është diçka që bie erë shumë të keqe.

Erë gjaku njerëzish të pafajshëm të vrarë.

Na mbetet vetëm...Qielli!


Një shoku im, në mënyrë të përsëritur gjatë dy muajve të fundit më ka thënë, që gaboj kur kritikoj apo “denigroj” njerëz të kallëpit të Aleksandër Meksit dhe Armand Vokshit. ”Nuk shef derrat e mdhej qi jan rrotll!” më thotë dhe përmend nga Trump tek Rama dhe nga Xhefri i Epsheve tek Princ Endrju. Unë këmbëngul (me kokëfortësi) që më shqetësojnë ata që i kam menduar të mirë dhe janë “bastarduar”, sepse të këqijtë i njoh edhe unë dhe gjithë të tjerët dhe nuk ka nevojë t’ju “përvishesh”.

Ai përsëri mundohet të më shpjegojë, se të parët kanë bërë disa gjëra të mira duke nisur nga kërkimet në botimet e librave e të tjera dhe në fund të fundit nuk “kanë lyer duart me kaq”. Përsëri unë nuk tërhiqem dhe ai më le “në të zezat time”.

Këto mendoja sot kur më thanë se sulmi i paralajmëruar ndaj Iranit pat nisur!

A duhet t’i harxhojmë energjitë mendore dhe emocionale për të kundërshtuar “mëkatet e vogla” të njerëzve “pakëz të korruptuar” apo duhet të bëhemi bashkë kundër Kryebastardëve?

Ka dhe një rrugë tjetër, që është rruga fataliste e dorëzimit : “Kështu është e shkruar!’

Edhe pse mund të tingëllojë tërësisht patetike, unë nuk kam ndërmend të dorëzohem. Edhe pse mund të bëj fare pak. Eshtë e mjaftë edhe sikur ta bëj të mendojë dikë që thotë me bindje: “Mirë ja u bëjnë atyre islamikëve!”

Shihni ç’ka ndodhi në më pak se 10 ditë nga firmosja pompoze e Bordit të Paqes. E përrallave për fëmijët e shkretë të Palestinës dhe promovimin e paqes dhe zhvillimit.

Trump dhe Netanjahu bombardojnë Iranin me arsyet më absurde dhe më të pajustifikuara.

Edi Rama bashkohet me Trump dhe Netanjahun dhe i bën thirrje Europës që të jetë në një linjë me Amerikën dhe Izraelin.

Më të shumtit e Bordit të Paçes së Korminës gjithashtu po solidarizohen me Trump se janë Autokratë dhe Diktatorë dhe mbi të gjitha Hajdutë!

Nëse të gjithë do rrimë duarlidhur dhe do mendojmë se “le të ngrihet ekonomia pa Khamenei me mullat e meriton!” duhet t’i thërresim mendjes se pas atyre që e “meritojnë“ vjen edhe radha jonë.

Regjimi iranian është një regjim kriminal, por nuk është detyra dhe drejta e Amerikës dhe Izraelit ta ndryshojë. Prej Luftës së Dytë janë miratuar ligje ndërkombëtare që rregullojnë çështjet e ndryshimit të kufijve dhe regjimeve.

Njerëzimi nuk ka caktuar as “The Donald”, as Bibin e Korruptuar dhe as Ramë Hajdutin të vendosë se kush duhet të jetë në fuqi dhe kush duhet të ikë.

Të paktën të kundërshtojmë hapur edhe pa frikë!

Të paktën mos i justifikojmë!

Të paktën t’ja hapim sytë njëri tjetrit!

Ndryshe na mbetet vetëm t’i drejtohemi ..Qiellit! Por si thoshin të vjetrit - Qielli na ka dhënë mend se si të vreprojmë!

(Të paktën deri në mbyllje të kësaj lufte nuk kam për të përmendur më as Meksin, as Vokshin...madje as Ligavecin Gollash.) 

Friday, 27 February 2026

Zhani që kam njohur unë


Sot kanë përcjellë për në banesën e fundit aktorin Zhani Ziçishti. Nuk kam ç’të shtoj nga ato, që thonë profesionistët për të, sepse i kam jo shumë të gjalla në sytë e mij, interpretimet e tij në teatër dhe kinematografi. Do them dy fjalë për dikë, që e kam njohur herët dhe që gjithmonë e kam quajtur të afërm të familjes.

Unë e kujtoj, kur ai kishte ardhur nga Tirana, pasi kishte mbaruar studimet për aktrim në shkollën e aktrimit “Aleksandër Moisiu”. Nuk ishte krijuar ende Instituti i lartë Arteve. Ishte ndër aktorët e parë me shkollim të plotë. Deri në ato vite, Teatri i Korçës kishte patur shkëlqimet dhe uljet e tij në sajë të aktorëve të talentuar , por amatorë. Të vetmit që kishin bërë shkolla arti ishin regjisorët Sokrat Mio dhe më vonë Piro Mani, të cilët dinin të merrnin interpretimin më të mirë të aktorëve profesionistë, por që kishin vetëm përvojë artistike dhe jo shkollim.

Zhani kishte mësuar nga pedagogët-aktorë të mirënjohur Loro Kovaçi, Naim Frashëri, Kadri Roshi, Drita Pelinku e të tjerë dhe sigurisht që nuk do e kishte të vështirë për të luajtur bukur krahas më të mirëve të Korçës.

Por njohja ime me të ishte në rrethana familjare. Ne hynim shpesh në atë shtëpi të Vasilit dhe Konstandines, ku hynte “pa teklif” e gjithë mëhalla dhe të tjerë. Ishin njerëz shumë mikpritës dhe Zhani i bënte të gjithë miqtë të ndjeheshin mirë. Nuk e hiqte buzëqeshjen dhe fjalën e mirë nga goja. Duke qënë edhe shumë “i ndorshëm” për të rregulluar nga paisjet e thjeshta shtëpiake dhe deri tek televizorët, ishte i gatshëm të shkonte te cilido që i kërkonte ndihmë. Nuk di se sa herë ka erdhur edhe tek ne, i palodhur, i pakursyer dhe duke mos ndenjur as për të pirë kafe. Kishte vërtet bujarinë e një kavalieri.

Duke qënë njeri i hapur dhe i drejtpërdrejtë, natyrisht që kishte edhe “përplasjet” e tij në karrierën artistike. Teatrot e të gjithë vendit në ato kohë kanë pasur probleme që lidheshin me egot e artistëve, me ndarjen e roleve, me preferencat e regjisorëve dhe deri në qasjet në mënyrat e interpretimit. Zhani i përkiste shkollës të realizimit të figurës nëpërmjet një analize psikologjike, larg deklamimit dhe interpretimit të sipërfaqshëm. Në vitet ‘70 , ballafaqimi i dy stileve të ndryshme, solli largimin e shumë aktorëve të Teatrit të Korçës drejt Kinostudios “Shqipëria e Re”. Mes tyre edhe Zhani.

Atje karriera e tij mori me të vërtetë hov. Edhe pse përgjithësisht luante në ato që në botë quhen “supportive rol” (rol mbështetës) ashtu si shumë aktorë të shquar të kinemasë botërore, Ziçishti bënte që protagonisti të interpretonte edhe më mirë, por pa e lënë në hije. Ishin shumë figura të spikatura, që krijoi dhe kishte edhe mjeshtërinë e duhur për të luajtur role negative dhe pozitive. (Kinemaja e kohës së Diktaturës nuk kishte figura komplekse, që mund të ishin edhe pozitivë edhe të mbartnin të meta apo vese).

E takoja më rrallë, sepse më të shumtën e kohës nuk ishte në Korçë, edhe pse “firmën në bordero” e vinte në teatrin “Andon Zako Cajupi”. Edhe më rrallë shkoja në shtëpinë e tij, se edhe prindërit e tij ishin moshuar.

Na pëlqente të gjithëve kur e shihnim që nga një film në tjetrin mjeshtëria e tij rritej. Ndoshta nuk e pengonin më edhe kërkesat e shumta të miqve dhe komshijve për t’ju rregulluar televizorët, radiot dhe makinat qepëse.I ishte kushtuar më shumë artit të ekranit pa harruar edhe atë të skenës.

Më pas, me rënien e Diktaturës, gjithshka ndryshoi dhe Zhani emigroi me gjithë familjen në Greqi për t’ju dhënë një të ardhme më të mirë fëmijëve dhe ata vërtet shkëlqyen në profesionet e tyre.

Herën e fundit e takova në Bibliotekën e qytetit, në prillin e vitit 2022, gjatë një takimi për të kujtuar babanë tim nëpërmjet diskutimit rreth librit “Biseda të pakryera me babanë“. Nuk di se nga e kishte mësuar, por qëlloi që kur erdhi me pak vonesë, u ul pranë meje. U përqafuam dhe më pëshpëriti në vesh “Dua të ble një libër edhe unë“. E pashë me buzëqeshje. Njeriun që kishte ardhur shumë herë në shtëpi për të riparuar televizorin apo lavatriçen. Pa ndenjur as për të pirë kafe. Me ngutjen për të ndihmuar dikë tjetër.

Njeriun që e kam quajtur gjithnjë të afërm të familjes, aktorin Zhani Ziçishti.

I qoftë dheu i lehtë!

14 sekonda

Unë rrëshqas mbi asfaltin e Kohës,

Me zemër të dridhur.

Bora përjetësisht e bardhë

Drejt qiejve shkon,

Cuditërisht drejt qiejve

Kur isha i ri në tokë binte

Kurrë se pata parë drejt shukave të reve ngjitur.

Një zë i largët në vesh më rri;

A mos është ëngjëlli im mbrojtës?

Pezull do të më mbajë këtu

Në këtë errësirë në të bardha veshur,

Pa vendndodhje,

Diku,

Abstraktisht e papërcaktuar

Midis qielli që pret borën

Dhe Tokës?


Poezia

Ti e ke humbur shijen e saj,

Ashtu si nuk dëgjon më Hendelin,

S’prek më tablotë në vaj,

I frigesh Kalatravës,

Pasditeve të gjata nuk lexon më Hegelin.

Duke hyrë thellë

Pusit të dhimbjes tënde

Ku gati mbytesh në lotë,

Ti shkel mbi kumtet në vargje

Të duken të marrë,

    Të rremë,

        Të dyshimtë,

Si të vijnë nga e nëntokës botë.

Ndaj shkruaj gjithnjë e më rrallë

E di që dhe me hirin e magjishëm,

Ato nuk të ndihin më të ndjesh.

Ti s’prek dot më mrekullitë përreth,

Nuk sheh dot me të perënduarit mbi ballë,

Tingujt të përplasen në të palosurin vesh

Belb:

-Fundi kur do vijë vallë?!


Thursday, 26 February 2026

Skunk


Edhe pse në foto është Kristiano Malxholio, “skank” nuk ka lidhje as me poetin e famshëm homoseksual italian dhe as me Europën. Eshtë një kafshë që rritet vetëm në kontinentin amerikan dhe veçanërisht në vendet e ftohta të Amerikës së Veriut. Eshtë shumë e paraqitshme edhe pse vetëm bardh e zi në më të shumtën e rasteve, Diçka tepër e ngjashme me foton e Malxholios.

Në disa raste të rralla ka edhe skank pa ngjyrë, ose “bardho” si i quanim në Shqipëri albinot, po mua nuk më ka zënë syri asnjë të tillë. Dhe nuk e di as nëse janë po aq arrogantë dhe të rrezikshëm, sa gjitarët e zakonshëm bardhezi.

Të mos më keqkuptojnë lexuesit shqiptarë, që nuk e kanë kapërcyer ndonjëherë Atlantikun dhe e kanë parë kafshën simpatike vetëm në filmat vizatimorë të Diznit. Skank nuk i sulmon njerëzit, por për tu mbrojtur prej tyre lëshon nga prapanica një “birko solucion”, që po të kapi në sy të verbon. Por edhe pa të verbuar (se ndoshta nuk e drejton dot tamam bythkën drejt syve të tu) po të kapi pak nga lëngu magjik që i lind në zorrën e trashë, të duhen 6 muaj që edhe pasi të përdorësh të gjithë llojet e deodorantëve dhe pluhurave larës, sërish era tmerrësisht e keqe nuk të shqitet nga trupi. Bëhesh i padurueshëm për të tjerët.

Aq i rrezikshëm është edhe për vetë kafshën sekrecioni në fjalë, sa një prej tyre, që e kishte përdorur vend e pa vend, pat patur një problem tepër serioz në fundin e zorrës së trashë. E megjithatë nuk na duhet të shqetësohemi aq shumë për kafshën që “shurron nga by...” pa kriter dhe sëmuret, por për të gjorët që preken nga era e saj.

Një i njohuri im , bie fjala, humbi makinën e tij të re sepse brenda saj kishte hyrë një skank (femër apo mashkull nuk jam i sigurt) dhe që kishte “shatërvanuar” lëngje posa i zoti i makinës pat hapur derën. Kafsha donte të mbrohej, por nuk morri parasysh se Kompanitë e Siguracioneve këtej Atlantikut nuk të dëmshpërblejnë nëse makina qelbet nga kutërbimi i skankut dhe nuk mund të përdoret më. Me siguri që kafsha e makinës në fjalë nuk ka ditur “të navigojë” në politikat siguruese, që janë aq të shumta dhe të çuditshme në Amerikë.

Edhe pse bajagi e pamshme, kafsha konsiderohet nga lëkurëkuqtë e Amerikës, si një diçka që reagon keq edhe ndaj veprave të artit. Sigurisht këtu ata nuk kanë parasysh Pikason apo Mozartin, por në legjenda të tyre përmenden që skank lëshon sekrecionet erërënda, gjatë recitimeve pranë zjarrit, kur indianët e Amerikës shpalosin filozofitë e tyre në mënyrën më artistike të mundshme. Unë nuk i besoj këtyre legjendave se më duket krejt pa lidhje, që një kafshë, që bredh natën të gërmojë plehrave, mund të ndjehet e rrezikuar nga poezitë?! Mund të ketë qëlluar krejt rastësisht në një nga mbrëmjet e “Llullës së Gjatë“, kur lëkurëkuqtë e fisit Ceroki meditojnë dhe thurrin vargje të mrekullueshme, por reagimi i sknkut artpërçmues mund të ketë qënë i shkaktuar thjesht nga tymi i duhanit.

Po është vërtet një skank kaq agresiv dhe i bezdisshëm?

Varet se si e përkufizojmë termin “agresiv” dhe atë i bezdisshëm. Nëse kafsha mbrohet, por në mënyrë të shpërpjestuar mund ta quajmë “të bezdisshme”, por jo agresive. Se nuk ka filluar të pjerdhë lëngësisht pa asnjë motiv. Diçka e ka detyruar. Madje një komshiu im në Shën Katerinë, që kishte një bashtë shumë të madhe pas shtëpisë, ku një çift serioz skankësh kishin bërë folenë e tyre, më tregonte që ishin kaq të butë dhe zemërgjërë, sa jo vetëm nuk bythpërmirnin, por kishin adaptuar edhe një skank të vogël të gjetur në një kosh plehrash. Sipas tij femra kishte pjellë vetëm një herë dhe meqë skankbiri kishte ikur larg, e kishte parë me logjikën e një kafshe, që do ishte e mira që të rriste një vogëlush tjetër. Diçka aspak skankore, por tepër humane.

Po si të veprosh kur sheh në një distancë prej dy-tre metrash një skank?

Futja me vrap dhe ikë nga sytë këmbët, se sa të kuptosh në është i zakonshëm apo nga këta skankët filantropë, do jesh përmjerë nga koka në këmbët me lëngun e tmerrshëm.

Dhe nuk i del nga para, por nga by...jo rrallë difektoze!

Quhet NewsIn


Duke kërkuar në internet për një piktor të kohës së Diktaturës, me emrin Vaskë Jole, i vetmi shkrim që përmbante emrin e tij ishte në një “portal” të quajtur NewsIn. Nuk kishte gjë për piktorin e ndjerë, po duket vetëm atje ishin gjetur bashkë emrat e përveçëm Jole dhe Vaskë. Ishte një shkrim i shkurtër i ish-prefektit të Korçës, që është edhe djalë i djalit të Vaskë Joles. Shkrimi nuk kishte lidhje me të gjyshin, por më shërbeu si hyrje në botën “gazetareske” të qytetit tim të lindjes.

Ka emrin “NewsIn”, sikundër kanë shumë e shumë ndërmarje, portale, studio, klube, shoqëri anonime në atdhe. (Këto të fundit edhe pse anonime kanë të ngjitur një anglishtkë.)

U gëzova, se gjithnjë kam ndjekur me shqetësim gjendjen e publiçistikës dhe informacionit në Korçë prej kohës së ndryshimit të sistemit. Para se të “hynte Partia”, Korça kishte disa gazeta dhe “Gazeta e Korçës” ishte e njohur si më e mira në Shqipëri. E kuptueshme sepse qyteti ishte më i madhi dhe më i përparuari.

Në vitet pasdiktature, por para largimit tim, më ngjan se kishte një ose dy , të cilat nuk ishin të përditshme dhe financoheshin nga ndonjë parti. Nuk i kisha lexuar ndonjëherë, veç një rasti, që “më kishte djegur” se roja i Bashkisë, një djalë nga Veriu i Shqipërisë ma dha duke më thënë se kishin shkruar për mua. (Llafe jo të mira për aftësitë e mia profesionale dhe unë nuk mund t’i përsëris këtu edhe pse përpiqem të jem sa më i tejdukshëm. Se vetëm një herë më ka dalë emri në gazetë dhe jo për mirë.)

Gjithsesi as gazetarë nuk kishte dhe të gjithë lexonin dy-tre vitet e para gazetat e Tiranës, dhe nuk kishte thuajse fare interes për shtypin lokal.

Ndoshta më vonë pati gazeta të tjera, madje kur kisha vizituar Korçën kisha parë edhe një zyrë, që shkruante Gazeta “Korça”, po nuk kisha lexuar sërish ndonjë gjë. Dukej se Korça nuk kishte gazetarë, ose ata më të mirët kishin ikur në Tiranë. Por gazetarët janë një “specie” që mund të rritet shumë shpejt në kushtet e lirisë së fjalës dhe kërkesës për informacion. Për këtë u binda më mirë kur pashë, se NewsIn ishte formuar nga një grup gazetarësh. Dhe jo vetëm që ishin një grup, por ishin edhe të pavarmë, një dukuri tepër e rrallë në anët tona.

E kuptova nga titulli që bëhej fjalë për Lajme, por nuk isha i sigurt se flitej për Lajme Brënda, Lajme Ndërkombëtare apo Lajmë të Inkorporuara. Po kjo është magjia e gazetarisë së pavarme dhe objektive, se ka shumë e shumë ngjyrime. In mund të jetë edhe shkurtimisht për “ink” dhe që ka kuptimin “bpjë shkrimi”, pra “Lajme Mellan”.

Gjithsesi, në takimin e parë me këtë portal, u mundova të kuptoja sa më shpejt se ku e ka fokusin. Mu duk që objekti kryesor ishte Korça, madje edhe në lajmet nga Bota kishte vetëm rreth Greqisë. Ndoshta në numura më të hershme ka dhe pak Maqedoni, por kaq mjafton se këto janë dy shtetet me të cilët ka kufij rrethi i Korçës. Kolonja dhe Skrapari nuk kanë gjasa të bëhen shtete më vete.

Kalimthi, pa i lexuar, pashë që kishte edhe esse filozofike rreth kohëve që jetojmë nga Ilir jano, që duhet të jetë politolog ose pedagog i filozofisë, por unë jam larguar prej gati 30 vitesh nga Korça dhe nuk i njoh intelektualët e rinj.

Më ra në sy edhe një shkrim për një thuajse bashkëmoshataren time, Jorgjeta Lalazi. Gjeta ka qënë këngëtare e talentuar që e vogël dhe këndon edhe tani që po afron të 70-tat. Nuk kam pasur rastin ta dëgjoj në Korçë, por nga shkrimi i qëndisur me shumë frymëzim nga një autor me mbiemër Tollkuçi, mësova se cilësohet si “”Trëndafili i bardhë i Mëhallës së dëfrimit ordiner”. Një frazë e shkurtër po me thellësinë e një poezie. Atje jo vetëm Gjeta ngrihet në lartësinë e Mbretëreshës Geraldinë, e cila cilësohej “Trëndafili i bardhë i Budapestiti”, por del në pah edhe cilësia e një Mëhalle, që unë nuk e kam ditur kurrë. Ndoshta se nuk kam qënë pjesë e saj.

Mëhalla e Dëfrimit Ordiner nuk është diku në Katavarosh, ku tradicionalisht ka pasur dëfrime me këngë, orgji dhe seks të paguar, por në zemër të Korçës dhe pikërisht në pjesën më të vjetër të saj, në lagjen 3. Për këtë është vendosur edhe një pllakë me dy kitara dhe dy pikçuditëse, që japin qartë karakteristikat e kësaj ‘thagme” të qytetit tim të Lindjes. Pikërisht këtu është kënduar më shumë se kudo dhe jo vetëm nga Raqi Lalazi, Kol Peleshi dhe Kondilët e hershëm , por edhe nga gjithë pasuesit e tyre.

Dhe kanë kënduar jo vetëm bukur, por edhe në mënyrë ordinere.

Sa më mungon muzika e qytetit tim dhe veçanërisht gazetaria e tij e ringjallur dhe e pavarme.

Që në vizitën e parë do shkoj në atë mëhallë i shoqëruar me dy shokë dhe me dy kitara, të rrëmbejmë edhe dy pikçuditset që ka pllaka. Ato ngjasin me dy shkopa bejsbolli dhe nuk di nëse do ja u jap shokëve të mij të ma valojnë me to në kokë, apo t’ja ngjeshin kokës së Peleshit dhe të gazetarëve të tij të pavarmë.

“Kooperativa” e piktorëve (fund)

 


(vijim)

Eshtë një histori shumë e çuditshme , kjo e trajtimit të njerëzve të talentuar nga regjimi feudo-komunist. Në njërën anë, ai e kishte të domosdoshme të kishte njerëz të penës dhe penelit, se i duheshin për propagandë, por edhe nuk i vlerësonte si duhej . Rrogat e piktorëve të dekorit ishin mizerabël dhe në disa procese ju vendoseshin ndonjëherë edhe normë prodhimi. Në ratet e punimeve të parrullave vertikale apo portreteve të mëdha, piktorët duhet të hipnin edhe majë shkallëve që lëkundesshin, sepse kushtet në mjediset e punës nuk ishin aspak të përshtatshme. Megjithatë, njerëzve ju dukej si punë “luksi”. Kështu ju dukej më shumë funksionarëve, që ndonjëherë refuzonin t’ju jepnin bojë të bardhë, “sepse e bardhë ishte letra apo bezeja”!!

Piktorët nuk kishin talente të njëjta. Disa ishin më të mirë në shkrimet, disa në përgatitjen e shpejtë të sfondeve dhe të tjerë në kompozimin e ndonjë pllakati gjigand. Psh Dhimitraq Kolevica shkëlqente në portretet, dhe atë të Sekretarit të Parë të PPSH mund ta bënte përmendësh edhe në gjumë. Mjedisi dhe puna “qesharake” që bënin sillte edhe situata humori dhe batuta, aq sa mund t’ju besohej atyre me të cilët punonin. Disa vinin nga familje të pasura dhe që nuk shiheshin me sy të mirë nga autoritetet vendore, por i mbanin se kishin talent. Midis tyre kishte edhe anëtarë partie,por përgjithësisht, si artistë, ata nuk ishin militantë dhe bënin shaka me luftën kundër imperializmit dhe revizionizmit, apo me slogane të tjera, nga të cilat ishin lodhur duke i shkruar me gërma të mëdha.

Në vitin 1966, pas Letrës së Hapur të Komitetit Qëndror dhe modelit kinez të demaskimit me “daci-bao” u hap periudha e Fletë- Rrufeve. Kudo, edhe në qoshet më të humbura të Shqipërisë duhet të ngrihej Këndi i Fletë Rrufeve, që duhej bërë nga piktorët. Më pas, edhe një pjesë e madhe e fletë rrufeve, ju jepej t’i shkruanin piktorët e Riparim-Shërbimeve, sepse njerëzit donin t’i kishin të shkruara bukur, me gërma të mëdha dhe të lexueshme edhe për pleqtë mbi të 80-tat. Sipas porosisë të Enverit “Cilido, me zë të lartë dhe me gërma të mëdha të thotë dhe shkruajë atë që mendon për punën dhe njerëzit.”

Nuk di detaje të “gallatës” q] bënin piktorët kur shkruanin në kartona të mëdha marrëzitë e njerëzve (shumë herë të drejta), por që ngjallnin ilaritet. Unë kujtoj shumë të tilla që prej vitit 1967, sepse Këndi i Fletë-Rrufeve të qytetit ishte përballë me pallatin ku jetoja dhe kisha mësuar të lexoja. Por më shumë dëgjoja nga të rriturit që komentonin përgjigje me humor që jepnin njerëzit e kritikuar. Nuk ishin vetëm nga Kor]a. Kështu psh rasti i një plaku që kritikohej nga të rinjtë se kishte dy gra dhe që përgjigjej: “O moj rinia me fletë-rrufe/ Po ju jap dy plakat më jepni një të re!”

Në vitet ‘70 dhe ‘80 shumë fletë rrufe bëheshin edhe nga dizenjatorët e ndërmarjeve. Në ndërmarjet e mëdha kishte nisur të mbanin në organikë një piktor për të përballuar emulacionin dhe propagandën. Reparti i Dekorit nuk mund të përballonte më gjithshka.

“Enverët memecë“ të Dhimitraq Kolevicës, ishin të pranishëm jo vetëm në Minierën Mborje -Drenovë dhe sektorët e saj, por edhe në shumë institucione të Kor]ës. Piktori kishte mësuar që ishte më mirë të qeshte se të qante për veten, kur pikturonte tiparet e Djallit- bukurosh. Nuk ishte më e nevojshme të përdorte metodën me “kuti]ka” që ishte më e sigurta për kopjimin e portreteve. I dinte tashmë mirë raportet sy-vetull- hundë dhe buzë të tulta të gjirokastritit gjakatar.

Vangjo Manjati kishte filluar të mbante beretë si piktorët francezë, Maqo Lakrori bënte pllakate për propagandën shëndetsore, Pandi Nandoja bënte ]anta plastike të dekoruara me lule, Mihallaq Kita vazhdonte të ishte përgjegjës, ndërsa Krisanthi Turtulli ishte bërë Krisanthi Kocibelli dhe bashkë me Pandi Luarasin e ndonjë tjetër, ishin në repartin e pikturës të Artistikes, ku pikturonin grila prej kashte gjithashtu sipas modelit kinez.

Të gjithë këta njerëz të talentuar, që mund të ishin peisazhistë dhe portretistë shumë të mirë, ishin të detyruar të lodheshin mbi piktura dekorative pa ndonjë vlerë. Vetëm pas rënies të Diktaturës, disa e ndoqën pasionin e rinisë dhe hapën edhe ekspozita personale.

Në një kohë Lirie, edhe pse ende mund të kishte nevojë për vizatime dhe piktura komerciale, ishte shumë më e lehtë të bëje art të vërtetë. Shumë syresh nuk arritën ta bënin për shkak të moshës apo se tashmë kishin vdekur. I kishte lodhur “e kuqja “ e shumtë që përdorej për gjithshka propagandistike në atë sistem absurd.

Nuk ishte e kuqja e Ticianit. Ndoshta i shkon më shumë ta quajmë “e kuqja e Shejtanit”!

Wednesday, 25 February 2026

“Kooperativa” e piktorëve


Unë nuk jam i sigurt se kur i “kolektivizuan” piktorët dhe se ç’lloj shërbime i bënin ata “miletit” të qytetit. Nuk jam i sigurt edhe cilët ishin të gjithë të parët, që nuk punonin më si privatë pas Luftës së Dytë, por nisën të bënin shërbimet e tyre ndaj enteve shtetërore dhe private me gjithshka që ofronte talenti i tyre brenda një kooperative.

Mundet që ndër të parët ishin Guri Madhi, Rafail Demboja dhe Vangjo Frashëri (Manjati), që kishin punuar me rrogë si piktorë të kinemave “Majestik” dhe “Luksi”. Në gjithë “dritaret-reklamë“ të tyre vendoseshin piktura të “kopertinave” të filmave të huaja, të njëjta me “posters” origjinale që shoqëronin filmat e Hollivudit dhe më pas ata italianë dhe gjermanë.

Guri (Vëthka) u shkëput më shpejt, se shkoi të studionte në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë dhe menjëherë sa mbaroi liceun shkoi në Leningrad për të studiuar në Akademinë e Arteve të Bukura. U kthye si një nga piktorëët më të mirë shqiptarë, por nuk punoi më në Korçën ku kishte lindur dhe ishte rritur.

“Manjati” dhe Rafaili vazhduan dhe bashkë me ta edhe Pandi Nandoja, Vaskë Jole dhe më vonë edhe shumë të tjerë. Pikturonin gjithshka për të cilën kishte nevojë qyteti, nga tablotë e kopjuara, me të cilat korçarët donin të zbukuronin “dhomat e pritjes” dhe deri në parrullat “Bashkim- Vëllazërim”, “Rroftë Mareshali Tito” dhe portretet e Stalinit, Titos, Enverit dhe Gjergj Dimitrovit. Madje, pa ikur misionet angleze dhe amerikane, edhe portretet e Curçillit dhe Rusveltit.

Ishin shumë dhe disa shumë të talentuar. Korça kishte qënë një qytet i zhvilluar dhe Mioja, Spiro Xega, Dhimititër Cani dhe Vangjush Tushi kishin ndikuar tek shumë të rinj të përqafonin artet e bukura. Shpesh kishin dhënë edhe mësime falas për djemtë e apasionuar pas vizatimit dhe ngjyrave. Kështu që një brez i tërë të rinjsh korçarë, të lindur në vitet ‘20 dhe që kishin talent për pikturë e kishin ndjekur ëndërrën të bëheshin të famshëm si impresionistët apo piktorët modernë bashkëkohës.

Më pak kishin patur mundësi të mësonin vajzat nga piktoret e njohura korçare motrat Androniqi dhe Sofia Zengo, të cilat kishin studiuar për pikturë në Athinë dhe Paris. Të dyja kishin përvojë të veçantë në ikonografi, por pas studimeve, Androniqi jepte vizatim në Institutin Femëror në Tiranë, ndërsa Sofia ndenji për një kohë të shkurtër gjatë luftës në Korçë dhe në fund të saj u martua në Tiranë.

Nga djemtë e talentuar të “kooperativës”, pas Guri Madhit, edhe Rafail Demboja shkoi të studionte në Leningrad. Grupi rritej sepse rriteshin edhe kërkesat për shërbimet e tij. Kjo nga numuri më i madh i organizatave të masave, ndërmarjeve shtetërore dhe institucioneve të ndryshme, të cilat kërkonin gjithnjë e më shumë “kënde emulacioni”, “parrulla mobilizuese” dhe portrete të sho Enver (portrete të anëtarëve të Byrosë Politike gjithashtu porositeshin, por ishin më të pakët). Në kooperativë ishin shtuar Mihallaq Kita, Maqo Lakrori, Pandi Luarasi, Llazi Sterjo dhe në vitin 1958 edhe Dhimitraq Kolevica dhe Krisanthi Turtulli.

Në fund të viteve ‘50 dhe në fillimin e viteve ‘60, reparti i pikturës , si pjesë e Ndërmarjes së Artizanatit ishte në mjediset e katit përdhe të banesës së Vasil Katros, prapa Hotel “Pallas”, emri i të cilit ishte ndryshuar në “Krimea”. Ndërmarja e Artizanatit përfshinte një gamë të madhe të profesioneve, duke filluar me samarxhinjtë dhe kallanxhinjtë e duke përfunduar me “elitën” që ishin piktorët e repartit pikturë-dekor. Nga zanatet e tjera kishte ende edhe privatë, por më 1966 me ligj u ndaluan të gjitha veprimtaritë ekonomike private dhe të gjithë u përfshinë në disa ndërmarje, që më parë ishin nën ombrellën “kooperativat e Artizanatit”. Më të shumtët ishin pjesë e Ndërmarjes Komunale të Riparim Shërbimeve, por pati edhe reparte që u bënë pjesë e Ndërmarjes Artistike, apo edhe të Ndërmarjes s Prodhimeve të Ndryshme.

Disa piktorë shkuan në Ndërmarjen Artistike, ndërsa pjesa më e madhe e grupit mbeti brenda Riparim-Shërbimeve dhe ishin transferuar tashmë në katin përdhe të një banese të madhe me dyqane poshtë, përballë krahut perëndimor të Godinës së Mitropolisë. Më pas grupi i madh sërish u nda në dy pjesë, një pjesë e quajtur reparti i Dekorit u përfshi në ndërmarjen Komunale Banesa dhe një pjesë më e vogël mbeti në Riparim – Shërbimet. Mihallaq Kita dhe Pandi Nando ishin nga të fundit e mbetur brenda Riparim-Shërbimeve.

(vijon)

Mos lejoni fëmijë nën 14 vjeç!


Ndoshta nuk janë të shumtë ata që kujtojnë, se në kohën e Diktaturës, në kinematë e vendit shfaqeshin edhe filma që cilësoheshin për të rriturit vetëm. Nën reklamë vihej shënimi “Ndalohet hyrja për fëmijë nën 14 vjeç”. Nuk bëhej fjalë për filma pornografikë, si tani, që veçanërisht në Amerikën e Veriut duhet të shënohen “adults only”(vetëm për të rritur). Ishin filma që mund të kishin skena të dhunshme, ose dashuri pak më të përparuar se ajo që lejonte ideologjia marksiste-leniniste.

Ndjeheshim keq jo vetëm ne, që nuk kishim mbushur të katërmbëdhjetat, por edhe prindërit, që duhet të na “linin në bostan” për dy tre orë. “E vajtura në sinema” ishte një lloj rituali familjar, që bëhej zakonisht në një ose dy javë dhe fëmijët e vegjël, prindërit i merrnin para për të mos prerë biletë ekstra. Se po të ishin 4 vetë në familje, një e “vajtur” kushtonte 80 lekë të vjetra, që nuk ishin “hiçmosgjë“.

Nuk më kujtohen shumë mirë titujt e filmave ku nuk më kanë lënë të hyj, por mund të ketë qënë edhe “Hamleti”, për shkak të disa skenave të errëta e të frikshme me fantazmën e të jatit të Hamletit i vrarë nga i vëllai. Një film tjetër ishte një film gjerman “Një ngjarje e djaloshit Tot me Maria Nos”, të cilin e kam parë kur rikthehej në kinema “Morava”, sa kisha mbushur të pesëmbëdhjetat. Kurrë nuk e kuptova pse pat qënë e ndaluar ajo palo komedi romantike.

Unë nuk kërkoj të ndalohet hyrja e fëmijëve në kinematë e Korçës! (le që ku ka kinema në Korçë)

Disa përvoja të hidhura në lokalet e qyetetit ku këndohen serenata “live”, që më kanë lënë tre-katër ditë pa vënë gjumë në sy, më kanë detyruar të hedh këto rrjeshta.

Nuk dua të bëhem i bezdisur për lexuesit e blogut se kam shkruar shumë herë rreth “këngëve të rrugëve” të cilave ju kemi vënë emrin serenata, emër që ju shkon gjithsej vetëm 3-4 këngëve të krijuara në më se një shekull. Serenatat klasike janë këngë shumë të lehta të kënduara në qetësinë e mbrëmjes për dikë që dashuron. Nuk mund të jenë as “Rrukullisni kadet” as “ O kur dal i pirë moj nga Republika!” E gjithë kjo tufë këngësh mund të quhen këngë mejhanesh, por nuk janë as këto që më shqetësojnë.

Se kur njeriu i rritur shkon të hajë një darkë të lehtë dhe të pijë një gotë verë apo raki, nuk do të dëgjojë këngë me tekste si ky:

“Hapu varr i errësuar

Dhe pranoje trupin tim.

Vdiq ajo që më desh muaaaa

Le të vdes dhe unë taniii.”

Pronarëve të lokaleve tona (përgjithësisht njerëz të shkolluar dhe të lidhur me partitë e të dy krahëve), ju bie përgjegjësia, që nëse në repertorin e grupit që këndon “live” ka këngë të kësaj natyre, të ndalojnë hyrjen e fëmijëve. Mos i tromaksim para kohe!

Se për një këngë tjetër, që dëgjova në një lokal tjetër, bajagi me emër, duhet të ndalohet edhe hyrja e tërriturve. Të jetë vetëm për ata që pëlqejnë “punk rock” dhe kanë mide për këto lloj vargjesh:

O do marr kazmën dhe lopatën

Të vete t’i hap varrëëëë

Të vete t’i hap varrëëëë

Të shikoj se ç’ngjyrë ka marrë.

Mua pas 3-4 netësh më zuri gjumi, por një fëmijë mund të traumatizohet për tërë jetën.

Dhe askush, edhe pronarët e lokaleve me muzikë-live nuk duan që t’ju traumatizohen fëmijët nën moshën 14 vjeç.

Bejte e trishtuar mëngjesi

Për rigon u nisëm

Blemë fara liri,

Në Kurbet bitisëm

Nga Sali qafiri.


Tërë ditën e ditës

S’kemi se ku vemi,

Mëkat përsëritës

Nuk na pret xhehnemi.


Të shkojmë në Korçë -

Esht’ e prishur rruga

Planet bërë çorbë,

I biem nga Struga.


Kur i dërgoj bejte

Vajzës që un’ dua

“Të kam dhj...- më gjegjet

Në vargjet e tua!”


Tuesday, 24 February 2026

Ai është i ve


Ai është i ve. Jo me dëshirën e tij, por sepse ashtu veproi Natyra ose Perëndia. Më shumë mendon për të dytën, sepse e ka edhe më të lehtë të qetësohet. Mund t’i thotë vetes “Të gjorën e mori pranë, sepse ishte më e mirë se unë!” Në çastet kur mendon se është Natyra, e ze një lloj tmerri se ajo që deshte është grimcuar nga veprimi i krimbave dhe të tjerëve agjentë natyrorë dhe është kthyer në Hiç. Në kishë shkon rrallë, se ka një frikë më të vogël, se nëse dëgjon gjithnjë e më shumë predikimet e priftit, me të cilin ka qënë në një klasë, kur ishin të vegjël, do i largohet edhe më shumë Besimit.

Ka katër vjet që i ka kaluar të 70-tat dhe jeton i vetëm. Fëmijët janë martuar dhe kanë ikur larg. Flet përditë me ta dhe shpesh këbejnë biseda me video. Edhe ata e duan.

Ende i zenë duart shumë lloje punësh, ndonëse më tepër di të bëjë instalime elektrike. Në ushtri, kishte punuar si ndihmës i një elektriçisti dhe gjithnjë kishte dashur të bëhej i tillë, edhe pse kishte mësuar zanatin e axhustatorit. Edhe kur e pyesin se ç’punë kishte bërë para pensionit, ju thotë “elektriçist”. Kur çdo gjë u kthye private, askush nuk kërkonte të merrte në punë një axhustator, por elektriçistin e merrnin menjëherë edhe pse mund të mos dinte se nga binte Ligji i Omit.

Tani nuk punon më, por nuk i pëlqen të çlodhet. Ndoshta se jo rrallë mendon se në vdekje nuk ka gisht Perëndia dhe shumë shpejt mund të grimcohet dhe të kthehet në Hiç. Po nuk ka asnjë sëmundje, veç njëri vesh i lëshon herë herë një si lloj piskame të lehtë dhe pëlqen, kur ec me dikë ta mbajë nga ana e veshit tjetër. Nuk janë të shumtë ata me të cilët bën shëtitje. Ndaj dhe e ndjen gjithnjë e më shumë mungesën e saj. Ndaj dhe rri gjithnjë e më shumë para një kompjuteri të vogël, që ka blerë vite më parë. I pëlqen të shohë se ç’bëjnë të njohurit dhe të panjohurit në Fejsbuk.

Fejsbuku e ka nxjerrë nga vetmia, më shumë se kafeneja në qoshen e pallatit përballë, ku kthehet për ditë të hedhë një gotë raki e të flasë me të njohurit për ato që thuhen në televizorin e vetëm të kafefenesë së vogël. I pëlqen të rrijë atje, se në të tjerat ka më shumë televizorë dhe të rinj që shohin ndeshje futbolli dhe venë fshehtazi baste. Edhe rakia në kafenenë e tij është më e lirë. Pasi pi dy, ai kthehet në apartamentin e tij të vogël dhe hap kompjuterin. Nuk i pëlqen emisionet telivizive, që tani i quajnë “shou” ndaj ngulet para fotografive dhe komenteve në Fejsbuk. I pëlqen edhe të bëjë “miq e mikesha”, që nuk i ka njohur më parë. Sidomos vejusha. E di që me to mund të këmbejë edhe ndonjë fjalë më shumë në “inboks” dhe t’ju qajë e t’ja qajnë hallin. Se vetëm njerëzit që kanë të njëjtin hall mund të të kuptojnë.

Tre vejusha nga ato që ka njohur rishmë, i kanë pëlqyer edhe nga fotot e vëna në profilet e tyre, edhe pse i kujton që në rininë dhe mesograrinë e tyre. Tani nuk i sheh dot shëtitoreve se ato dalin më rrallë dhe njëra “vozitën” më shumë me makinë se më këmbë. Ju ka dhënë të njohur dhe ato e kanë pranuar si “mik”. I ndjek me njëfarë ankthi se shpesh sheh. që kanë shumë ndjekës dhe shumë janë burra më të rinj se ai. Nuk mënon t’ju bëjë nga të parët “like” ose t’ju shkruajë “respekte” kur postojnë diçka të shkruar, por nuk ja thotë shumë për komente. Disa nga ndjekësit meshkuj, gjithashtu nguten të bëjnë “like” dhe të komentojnë më gjatë, pa harruar të shkruajnë në fund “respekte”. Ai ndjehet jo mirë, se i mendon vejushat me mollëzat e tyre pa tualet, që fillojnë e ju marrin nga pakëz ngjyrë trëndafili kur lexojnë komentet e admiruesve dhe atij i vjen të shkruajë me kapitale “MOS I BESONI!”, por e di që kjo mund t’i vejë në rrezik marëdhëniet e tij me to. Për më tepër nuk do edhe të përplaset fizikisht me ndonjë prej admiruesve, që jetojnë në të njëjtin qytet dhe që janë më të rinj dhe më të fortë se ai.

Madje njëra prej tyre, të cilës i shkroi në “privat” -”MOS E BESO SE AI GENJEN!”, i bëri bllok për dy javë të gjata.

Me njërën syresh, ajo që ka mbajtur syze që në rini dhe që tani i ka lentet e trasha, kuptohet më mirë. Herë herë shkon edhe bën ndonjë meremetim në varrin e të shoqit të saj të ndjerë, por nuk e ka takuar ende. E ftoi për “një kafe” në Ditën e të Dashuruarve, madje në lokalin më me emër të qytetit, por ajo ju përgjigj se i shoqi nuk ka bërë ende 3 vjet dhe opinioni i qytetit do e dënonte për një “tradhëti” të tillë pikërisht më 14 të shkurtit. Ajo mbush 70 vjet vitin e ardhshëm dhe ai ka menduar që tani se ç’dhuratë t’i blerë për ditlindje, por duhet ta takojë më parë, që të shohë edhe se ç’lloj bizhuterish mban në ditët e zakonshme dhe në ato të festave. Pastaj e di vetë ai se sa do shpenzojë. Për ta bërë të tijën. Për të dalë shëtitje mëngjesave dhe muzgjeve duke e mbajtur në krahun ku ka veshin që nuk i lëshon piskamë. Për të bërë edhe 10 mijë hapat që i ka sugjeruar një vejushë tjetër nga ato të treja të cilat ai i veçon nga aradha e grave të divorcuara dhe atyre me burra të vdekur në Fejsbuk.

Ndaj pret takimin. Ajo gjithnjë e më shpesh i kërkon të shkojë e të bëjë ndonjë meremetim në varri i të shoqit. Ai madje i ka sugjeruar të instalojë edhe një sistem ndriçimi me bateri, për të patur një lloj shkëlqimi mistik në netët e gjata të dimrit, por edhe për të ajo i ka thënë që është i parakohshëm.

Nuk janë mbushur ende 3 vjet!

“Mesjetarët” e Muzeut Mesjetar (fund)


 (vijim)

Më pas unë i humba lidhjet me Muzeun dhe nuk e di se në ç’kohë u ndryshua drejtimi i Muzeut dhe u vendos i ndjeri mësuesi i historisë Lorenc Gliozheni.

Besoj se Muzeu si institucion vazhdoi të kishte një veprimtari të njëjtë dhe me siguri kishte ngarkesë vizitorësh sepse Shqipëria ishte hapur dhe tërë të huajt ishin të etur ta vizitonin. Ishin vlera që nuk i gjeje të grumbulluara në asnjë vend të botës. Ishte krijuar nga Ligji absurd për ndalimin e veprimtarive fetare i periudhës 1966-67.

Edhe personeli pat ndryshuar se disa kishin emigruar në Greqi dhe nuk di as sasinë dhe as cilësinë e ikonave të restauruara gjatë periudhës 1992-1997. Ndoshta të dhënat janë në raportet e drejtorisë së Muzeut dhe unë nuk i besoj thashethemet, se inventari i Muzeut u prek për shkak të abuzimeve.

Por një lloj trysnie ndjehej nga Kisha Autoqefale ortodokse, e cila jo vetëm që mori sallën kryesore të ekspozimit për të kryer ritet fetare, por edhe kërkonte t’i riktheheshin ikonat dhe objektet e tjera dikur pronë e kishës. Nuk mund të rendit përpjekjet e “mesjetarëve” të Muzeut për të mbrojtur statusin e tij, por diçka duhet të kenë bërë përderisa Muzeu vazhdoi të ekzistojë. Përkrah Muzeut po dilte një konkurent privat, që kishte krijuar një koleksion të admirueshëm brenda shtëpisë së tij. Bashkëpunimi i tij me “mesjetarët”, sikundër ka dëshmuar vetë në intervista ka qënë i afërt dhe në disa vite ai u kthye në një nga njohësit më të mirë të ikonave.

Për fat të keq, edhe për të, jeta i solli një kthesë gati “mesjetare” sepse e arrestuan dhe i sekuestruan një pjesë të mirë të koleksionit. Në këtë ngjarje të errët, ku përfshiheshin famëkeqi Koço Kokëdhima, Edi Rama, madje edhe Toni Bler, mungon vetëm rrota mesjetare e torturës.

Por para se të ndodhte arrestim-sekuestrimi i Thimios, unë hyra sërish në lidhje me Muzeun krejt rastësisht dhe këtë e kam prekur në disa shkrime të blogut, por edhe në mediat kombëtare. (Nuk kam ditur kurrë se ç’ësht[ përmendur në mediat lokale, se nuk kam lexuar a parë kurrë ndonjë gjë prej tyre) Kur Peleshi më kërkoi angazhimin tim për të zëvendësuar një projekt grek që i bashkëngjitej fondit grek të akorduar për Muzeun, kërkova detyrën e projektimit dhe mundësisht foto të një pjese të objekteve që do ekspozoheshin. Filoja më dërgoi detyrën e projektimit të hartuar nga “mesjetarët” dhe dhjetra foto m’i dërgoi një punonjëse e Bashkisë e quajtur Orieta Gliozheni për të cilën mendova se do ishte vajza e Lorencit.

Punova itensivisht në bashkëpunim me kolegen Matilda Pando dhe konstruktorin Ferdinand Kosti, për të përgatitur projekt-idenë e avancuar në një kohë sa më të shkurtër, që do siguronte miratimin nga KRRT dhe njëkohësisht dhënien e lejes së ndërtimit. Bashkia pagoi pjesën e arkitekturës dhe nuk i pagoi asnjë qindarkë konstruktorit Kosti. Projekti u publikua jo vetëm në faqen e Bashkisë, por edhe në një përmujorshe që botonte Bashkia Peleshi 1 asokohe.

“Mesjetarët “ e Muzeut ishin plotësisht në dijeni të të gjithë procesit dhe besoj jo vetëm drejtori i tij. Gjithshka ishte në qiell të hapur. Kur punimet patën ngelur dhe unë konstatova se projekti pat përfunduar në koshin e plehrave, u çudita me mungesën e plotë të reagimit nga ana e punonjësve të Muzeut. Ndoshta kishin qënë të tillë edhe më parë, por shekulli i XXI i kishte shëndruar tërësisht në ikona memece, si objektet që restauronin përditë.

Tani(ose dhe më parë) shumë prej tyre kanë arritur në përfundimin se “Muzeu është një kotec”, se “nuk ka kushtet për një institucioni të atij rangu”, se “është plotësisht i dështuar”, se ‘duket si bunker” e të tjera si këto, por jo vetëm janë të vonuar por nuk mund të bëjnë asgjë për ta ndryshuar. Sjellja e tyre prej “bujkrobi” (të marrim rrogën pa varja të tjerave) tregon se nuk kanë qënë asnjëherë intelektualë me dinjitet. Peleshi me veglat e tij mund t’i bënte lehtazi të mos pipëtinin.

Pa dashur t’i denigroj por edhe nuk mund t’i justifikoj plotësisht, në dhjetvjeçarët e parë të shekullit që jetojmë, ata nuk kishin asnjë lloj peshe në vendimmarrje, por zgjidhnin të rrinin e të duartrokisnin pasha Ramën dhe Pelesh beun ndërsa i thurrnin lavde Rilindjes dhe “mimarit” Peter Wilson.

Me “prerjen e bukës” i kanë kërcënuar dikur fshatarët e Vakëfeve, Mirditës dhe Mallakastrës, por ata gjetën kurajën të ngriheshin ndaj tagrambledhësve edhe pse këta të fundit kishin pas pushtetin e fuqishëm të Sulltanit.

“Bujkrobët mesjetarë“ të Muzeut vazhduan të përdornin me kujdes terpentinën, ngjyrat dhe të tjera vegla e solucione për restaurimin e ikonave duke pastruar një kohësisht edhe ndërgjegjet e tyre disi të njollosura nga Heshtja.

Tani më dhimbsen!

Monday, 23 February 2026

Syri magjik


Dyfjalëshi “sy magjik” të mrekullonte në fëmijëri. Sepse nuk ka gjë më të rëndësishme për një fëmijë se Syri dhe mendo nëse është edhe magjik. Kur je fëmijë nuk e kupton rëndësinë e trurit, se aq tru ke. Po syri është gjithshka që të ve në prekje dhe kuptim të botës. Aq sa mund të shohësh dhe mund të kuptosh.

Por kupton ama se sa e mrekullueshme do jetë të kesh një “sy magjik”. Ndaj dhe unë ja ngulja vështrimin tim “syrit magjik” të radios së shtëpisë edhe pse kurrë nuk kuptova se ç’rol luante dhe nëse shihte gjë ç’ndodhte përreth.

Më vonë, kur isha adoleshent mësova se “syri magjik” i theshin edhe një si punë lenteje që vihej në dera e një apartamenti. Po të ngjiteshe mbi kurrizin e një shoku dhe të vije syrin nga jasht, nuk mund të shihje asgjë. Por po të ishe brenda shtëpisë shihje që ç’ke me të. (Unë i ngatërroj këto lentet konvekse me konkave dhe anasjelltas, se me kujtohet Arkimedi që përvëloi anijet në Sirakuzë dhe i trembem syvënies në një lente).

Zakonisht të tillë “sy magjikë“ vinin ata që kishin profesione, të cilat mund të shkaktonin një bezdisje nga “myshterinjtë“ e shumtë që mund të trokisnin në derën e tyre. Mjekët për shembull kishin të drejtë, se në ato kohë nuk kishin telefona të gjithë (e kam fjalën për fikset, se celularët nuk ishin shpikur) dhe pacientët ose familjarët e tyre mund të trokisnin në çdo orë të ditës a të natës. Nga syri magjik, mjekët vetë ose familjarët e tyre shihnin nëse kishin pas dere një të njohur apo ndonjë fshatar nga Belortaja që vinte të kërkonte recetë ose ndonjë këshillë mjekësore. (Kishte raste që fshatari nga Belortaja kishte një tufë të madhe me presh dhe qëndrimi ndaj tij rishikohej, por preshtë kishin një sezon të shkurtër që mblidheshin. Jo më shumë se dy javë).

Të tjerë mund të ishin funksionarë të lartë të Partisë, teknikë që riparonin televizorë, shitëse bulmeti, shoferë autobuzash dhe të gjithë profesionet më të rëndësishme të asaj periudhe, për shërbimet e të cilëve duhej shumë mik.

Nuk kujtoj të kem trokitur në ndonjë derë me “sy magjik”, por unë kam qënë fëmijë ose i ri dhe nuk më duheshin as mjekët, as teknikët e televizorëve dhe as shoferët e autobuzave. (Më vjen ndërmend i ndjeri Berti Shamia, që kishte një reagim shumë spektakolar kur i kërkoje ndonjë vend të lirë kur nuk kishe biletë, që na bënte të gajaseshim kur shkonim në Tiranë bashkë me shokët).

Po le të kthehem në fakti i sotëm, që më solli në mendje këtë punën e syve magjikë.

Në rrjetet sociale (edhe pse unë nuk jam në shumë të tilla) ka një pjesë nga këta njerëzit e rëndësishëm, që e dinë veten “më të qut” se të tjerët. Rrinë gjithë kohën pas derës së tyre dhe nga “syri magjik” shohin se ç’shkruajnë dhe postojnë të tjerët. Bëjnë ndonjëherë ndonjë “like” apo “respekte”, por përgjithësi mundohen të jenë sa më të “mçeftë“. Nuk mund t’i quaj “tip skuthash” sepse jo domosdoshmërisht në jetë janë të tillë. Por ju pëlqen të “përgjojnë“ jetën sociale të të tjerëve, pa qënë të ekspozuar ndaj “përgjimit” nga të tjerët. Ndjehen edhe superiorë se kanë shumë pak “lajthitje soçiale”.

Në “WhatsApp” operojnë zakonisht duke mësuar “hiletë e settings”, ku fshehin kohën kur kanë qënë në aplikim si dhe nëse e kanë lexuar apo jo mesazhin. Kjo ju jep lirinë të pëgjigjen kur të duan, të mos përgjigjen fare, ose të shtiren se “ua kur më ke marrë në telefon?!”

Përdoruesve të zakonshëm, “nuk ju pëlcet shumë b...” për këtë gjë, por në sy ju bie.

Dhe e kanë në majë të gjuhës, një shprehje që një i njohuri jonë që quhej Tom i drejtoi dikur një shokut tonë:

“T’i kam kuptuar të tëra!”


Kulmi i zhvillimit të Korçës

Duke shkruar librin rreth “shkëlqimit dhe rënies” së Korçës (a Balzak i shkretë sa ta kanë kopiuar këtë titull) bëhem gjithnjë edhe më fanatik në idenë, se Kulmi i viteve ‘30, nuk ka për tu arritur kurrë edhe pse teknologjia dhe shkenca mund të zhvillohen, ose edhe nëse në sajë të Zamirit të Bitijes dhe ndonjë korçari tjetër mund të financohet ndërtimi i një qendre të Inteligjencës Artificiale.

(Ndoshta Grigor Jotit mund t’i ketë lindur kjo ide dhe unë si gjithnjë jam i vonuar, por më mirë i vonuar se dështak.)


Por mbi gjithshka qëndron shprehja “kurrë mos thuaj kurrë“ dhe disa shkëndijime shprese më kanë lindur këto ditë.

Sikundër në vitet ‘30, për të shkuar sa më parë në Korçë duhet përdorur “fusha e aropllanëve”.

Për të mos e idealizuar as periudhën e Zogut, por edhe “kulmin e Korçës” duhet thënë se në ato vite, të shkoje me “automobill” në tiranë merrte mbi 6-7 orë. Rruga e Tiranës nuk ishte e mir[ dhe në pjesë pranë Shkumbinit, kishte edhe vende shumë të vështira për shoferët e asaj kohe. Rrugët i përmirësoi shumë Italia fashiste, por dhe ajo “kodoshkë“ jo se i digjej barku për lidhjen e korçarëve me kryeqytetin e “dumbabistave”, por se i duhej të lëviznin mirë dhe shpejt mjetet e motorizuara ushtarake për ekspansionin në Ballkan.

Duke ju kthyer kohës së Naltmadhnisë, kur u vendos linja me avion Tiranë- Korçë dhe kthim (Ahmeti kishte patur idenë që avionit t’i vinte emrin “Fan Noli”, por dënimi me vdekje i Hirësisë ishte ende në fuqi dhe nuk mund të bëhej), zengjinët korçarë që nuk ishin t[ pak[t në oborrin e Mbretit, donin të bënin ecejake të shpejta dhe ja dolën. Ishte linja e parë n[ Shqip[ri. Nuk di cilët kanë qënë pilotët e parë dhe nga ç’krahinë e Shqipërisë vinin. Ndoshta ishin të huaj.

Për shkaqe të motit të jashtëzakonshëm, të cilësisë jo të mirë të dherave, të ecjes së makinave mbi shpejtësinë e lejuar, rrugët e ndërtuara sipas standarteve më të përparuara europiane, kanë “pjerdhur” përkohësisht.

Rama, ashtu si Naltmadhnia ka për të gjetur një zgjidhje të shpejtë dhe efikase. Me njohuritë e mija prej injoranti në fushën e transportit, them se më e mira është rivendosja e linjës ajrore, Tiranë-Korçë dhe kthim. Mund të bëhet me avionë më të mëdhenj, se edhe populli lëvizës është shtuar. Ose të vendosen shumë helikopterë në Filologjiku dhe të nisen çdo gjysëm ore, si puna e furgonëve. “Hajde kush është për në Korçë“. Nuk di se a është e logjikshme përdorimi i satelitëve që lëshuam në orbitë para dy vitesh. Ndoshta zbritja me parashutë e pasagjerëve prej tyre mund të jetë e vështirë.

Gjithsesi unë besoj verbërisht në kjo Qeveri , e cila i pëlqen sfidat dhe mbi të gjitha mendon për popullin pa dallim feje, krahine dhe ideje.

(Helikopterëve mund t’ju venë emra poetësh të larguar të trevave të Korçës duke filluar me Dritëronë, Skënder Rusin e të tjerë dhe duke e mbyllur me Sulejman Cardhakun.)

Nuk po pres sa të më dalë një rrugë për në Tiranë, që të shijoj udhëtimin ajror të ëndërruar, Tiranë - Korçë dhe kthim. Se historia duam nuk duam ka karakter ciklik.

PS. Rolin e Nikos në këtë rikthim të Kulmit nuk po e prek, se dje i kam kërkuar Ndjesë publikisht.

Sunday, 22 February 2026

“Mesjetarët” e Muzeut Mesjetar


Muzeu i Artit Mesjetar është një margaritar në zinxhirin e muzeumeve të Shqipërisë. Për shkak të vlerave që përmban (edhe të konvertuara në euro apo dollarë) ai është Muzeu më i rëndësishëm shqiptar.

Herë herë kam prekur çështje që lidhen me të, sepse kam pasur një lloj lidhje, që në vitin 1984, kur sa isha dipomuar.

Ish-mësuesi im i vizatimit, skulptori Avni Bilbili, atë kohë drejtor i Muzeut më kërkoi të merresha me organizimin (sot e quajnë kurim) e një ekspozite të përkohshme brenda Muzeut, në një sallë që deri në atë kohë nuk përdorej për ekspozim. Edhe pse e kisha vizituar pavionin e vetëm të Muzeut dhe isha mrekulluar nga eksponatet, kur pashë fondin e madh të Muzeut mbeta pa fjalë. Më pas ekspozita u hap dhe pas vizitave të herë pas hershme në mjediset e Muzeut kisha parë si funksiononte. Ishin disa piktorë që merreshin me restaurimin e ikonave, një inxhinier kimist (Kristaq Balli) që ndihmonte në restaurimin më tepër të objekteve, që nuk ishin ikona, një fotografe e mirë që dokumentonte me foto procesin e restaurimit hap pas hapi dhe një historian dhe drejtori. Dy të fundit rrinin në një zyrë dhe unë nuk e kuptoja se ç’bënin. Duke qënë i ri në punë dhe pa përvojë nuk mund të arrija të kuptoja sa të rëndësishëm ishin drejtori dhe historiani për atë muze.

Muzeu i Artit Mesjetar ishte pikë shumë e rëndësishme për vizitat e të huajve në Korçë, që atëhere ishin të pakët (kryesisht delegacione të partive marksiste-leniniste) dhe rolin e ciceronit e luante historiani, por edhe drejtori. Në mungesë të tyre edhe ndonjë nga piktorët – restaurues.

Idea për krijimin e Muzeut kishte lindur në fillimin e viteve ‘70, për të administruar mirë mijërat e ikonave të mbledhura në kishat ortodokse nëpër Shqipëri. Nuk di nëse kishte lindur në rrethet e Akademisë së Shkencave apo në kokën e Diktatorit, por fakt është që ikonat nuk u asgjesuan, por u ruajtën për vlerat e tyre artistike dhe historike. Sipas thënieve të asaj kohe, u vendos për tu bërë në Korçë, për shkak të ikonostasit të Kishës së Burimit Ujëdhënës, sepse për transferimin e tij në një vend tjetër, do duhej që ai të ndahej në disa pjesë.

Gjithsesi, pas mbylljes së kishave, ngritja e Muzut ishte diçka e mençur. Brenda tij do ishin Onufri, Shpataraku, Zografët dhe shumë piktorë të tjerë me emër dhe anonimë, që kishin pikturuar në mënyrë të shkëlqyer gjatë më shumë se 12 shekujsh. Për të mos e quajtur Muzeu i Ikonografisë, përfshinë brenda tij edhe eksponate (jo ikona) të tjera duke futur edhe pak vlera arti të marra tek xhamitë dhe e quajtën Muzeu i Artit Mesjetar.

Puna brenda muzeut ishte një punë pastërtisht artistike dhe jo me shumë ngarkesë, Thuajse të gjithë punonjësit ishin me orar të reduktuar se ishin anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Nuk futeshin këtu historiani, fotografja dhe pastruesja. Muzeu kishte edhe luksin e të qënit një Institucion i varur nga Ministria e Arsim-Kulturës dhe kjo i jepte pavarësi nga pushtetarët vendorë.

A ishte ngritur në nivelin shkencor të një institucioni kombëtar?

Për këtë kam nuk jam i sigurt dhe kam disa dyshime sepse nuk jam i sigurte ç’farë artikujsh shkencorë kishin botuar Avniu dhe të gjithë vartësit e tij në periodikët shkencorë dhe jo shkencorë të kohës.

Ndoshta objektet e Mesjetës patën ndikuar psikologjikisht tek punonjësit e Muzeut në një lloj “zdërhalljeje”, por në atë kohë pak punohej kudo. Ekzistonte parimi “ne bëjmë sikur punojmë dhe ata bëjnë sikur na paguajnë.” Mendësia e tyre pak“mesjetare” manifestohej më tepër në një lloj servilizmi ndaj autriteteve vendore dhe atyre të Tiranës dhe një lloj mefshtësie intelektuale. Ishin të paktën 3 piktorë, që kishin mbaruar Institutin e Arteve, një skulptor i studiuar në Bullgari dhe një shkrimtar-inxhinier kimist. Megjithatë nuk mund të them se mbanin shumë peshë në kulturë e qytetit.

Pika kulmore e servilizmit të tyre Mesjetar, u manifestua hapur në shkurt të vitit 1991, kur nga dera e Muzeut, vullnetarët e Enverit me në krye vëllezërit Bilbili nxorrën bustin prej allçie të Enver Hoxhës dhe e vendosën atje ku qytetarët korçarë kishin rrëzuar shtatoren e Dullës. Nga një institucion shkencor dhe kulturor dilte fantazma e Diktatorit për tu rivendosur nën klithmat histerike të fshatareve të gënjyera: “Kush s’e do Enverë/ Sytë le të nxjerrë!” Në vend që punonjësit e Muzeut të dilnin me një ikonë të madhe të Krishtit e t’i bënin thirrje popullit për liri, ata nxorrën nga Muzeu bustin e Antikrishtit dhe e vendosën mbi piedestalin e mermertë. Nuk di se ç’bënë në orët e mëvonshme vartësit e Bilbilit, por edhe nëse nuk brohoritën bashkë me fshatarët dhe Ollgë Mitrushin, heshtën me një heshtje prej bizantinësh.

(Rastësisht, sot duhet të jetë përvjetori i 35-të i asaj ditë famëkeqe, që po dilte kundër rrjedhës së historisë dhe dëshirës të popullit shqiptar.)

(vijon)

Niko më ndje!


Sot sipas Kalendarit Ortodoks është Dita e Ndjesave. Mund ta përkthejmë edhe Dita e Faljes, por e para tingëllon jë vetëm më shqip, por edhe më e saktë. Se mund të falësh edhe borxhe, mund t’i falësh edhe dashuri kujt e meriton dhe kujt nuk e meriton, mund të falësh edhe pasuri të lujtshme dhe të palujtshme.

Kurse të Ndjesh dikë, ose t’i kërkosh ndjesë, është tepër e veçantë, tepër fisnike, tepër hyjnore. (Nuk duhet ta ngatërojmë as me pyetjen- Që kur ke filluar të Ndjesh për mua?, që një grua e dashur me popullin i bëri dikur një të njohurit tim.)

Po zgjatem me një hyrje të panevojshme dhe nuk po hyj në temën e Ndjesave.

Edhe pse nuk jam një Ortodoks praktikues i fesë sonë (përsëri mendja më kapërdahet në mesele të dëgjuara, kur dikush që i kishte hyrë në hak një mikut tim i theshte- Po jemi ortodoksë o byrazer!) unë kam një javë që e kam prerë mishin dhe po ndjek Kreshmët sipas kalendarit fetar orientonjës.

Për shkak të mosngrënies një javë mish, sot në mëngjes, ndjeva brenda vetes një boshllëk të paimagjinueshëm. Nuk mund të telefonoja udhëheqësin tim shpirtëror, Papa Spiron, se e di që të djelë ka shumë ngarkesë, ndaj telefonova një mikun tim në Korçë dhe ja shpjegova çështjen e zbrazëtisë shpirtërore.

-Janë Ndjesat sot!- më tha dhe menjëherë e kuptova arsyen pse ndjehesha aq ligsht.

Nuk ishte nga mishi.

Duhet medoemos t’i kërkoja dikujt Ndjesë dhe pasi e tërholla në mendje i thashë vetes, që gjatë vitit të kaluar (por edhe më parë) i ke “rënë shumë në qafë“ Niko Peleshit. Gërmova në tërë telefonat dhe kompjuterat e vjetra, por nuk gjeta asnjë numur telefoni apo adresë e-maili. Nisa të pyes miqtë e mij në Korçë, për një nga numurat e celularëve të shumtë që mban (Nikoja ka pasur edhe dyqan celularësh ku shiste dikur Doktori Heshtjeflori, Pëndavinji),

Të gjithë hezituan!Nuk më theshin që nuk kishin numur të tij, por përmendin diçka “tip” – nuk jam i sigurt nëse ende e përdor:- është prishur rruga që të sjell në Korçë dhe- po sikur nuk bën të kërkosh ndjesë me instrumenta dixhitale, që më bëri të kuptoj që nuk donin të ma jepnin. Ndoshta nga frika se patronazhistat do mësojnë se kush është burimi i marrjes të këtij informacioni të rezervuar nga unë.

I vendosur të kërkoja Ndjesë, mendova që të hedh në eter këtë mesazh përulësie dhe le ta dinë të gjithë që unë po i kërkoj falje publike Kryetarit të Kuvendit. Dhe duhet ta dini se askush tjetër nuk ka ndikuar tek unë për të hedhur këtë hap të sinqertë. Dhe as mendoj të fitoj një shpërblim në këtë apo në atë botë pas

Ndoshta do ndihmoj dis alexues të kërkojnë të falur për “gabimet e bëra me dashje apo padashje” dhe “t’i shpëtojë nga i Ligu! Amin!”

Tekstin e mendova të thjeshtë:

“ I dashur Niko më Ndje! Kam gabuar kur të kam sulmuar në mënyrë të paprinciptë për gabimet e vockëla që mund të kesh bërë gjatë karrierës tënde si politikan i klasit të parë!

Djalli pat ndikuar tek unë, duke më zënë sytë me një perde të errët , e cila nuk më linte të shikoja ndryshimet rrënjësore të bëra në qytetin tonë të lindjes, gjatë viteve që ju jini angazhuar për to! Të gjitha këto për hir të Korçës, të Atdheut dhe të kapitalizmit!

Dhe jo vetëm që më pat verbuar, por edhe më ngacmonte të shkruaja të qëna dhe të paqëna për mënyrën se si ke udhëhequr, veçanërisht Rilindjen Urbane!

Shpresoj që kjo ditë e shënuar, të më ndihmojë të shpëtoj nga ngasjet e të Paudhit, dhe të mos i përsëris më fajet e bëra!

E di që me bujarinë dhe zemërmadhësinë, që të karakterizon, si një ortodoks i vërtetë, ti do më Ndjesh.


Mëkatari i përvuajtur,

Naum Mara


Saturday, 21 February 2026

Një dibran i drejtë?


Para një jave u nda nga jeta Xhelil Gjoni. E mësova vetëm para disa orësh nga dhëndri i tij, që është koleg dhe mik i imi. Më bëri përshtypje heshtja në Shqipëri për largimin e tij. Më tepër u çudita me portalin Lapsi,al, i cili është i vetmi që lexoj nga mediat tradicionale shqiptare në këto 3 vitet e fundit.

Lapsi është në bashkëpronësi të dy gazetarëve të njphur, njëri prej të cilëve është Andi Bushati. Dihet nga të gjithë që Andi është nip i Hysni Kapos, dhe Lume Kapo, e motra e Hysniut ka qënë gruaja e Xhelil Gjonit. Shumë befasuese që në një portal që merret me jetën politike të vendit mos kishte dy rrjeshta për një njeri që ka qënë në nivelet e larta të politikës.

Po le mos harrojmë të ndjerin, kur flasim për të gjallët.

Unë nuk e kam takuar kurrë dhe përshtypjet i kam nga sa e kam parë në televizor gjatë viteve 1989-1993. Pra një periudhë shumë e shkurtër për të krijuar një përshtypje të përafërt për dikë me të cilin nuk ke këmbyer ndonjë fjalë.

Kur Diktatura po merrte të tatëpjetën, Xhelil Gjoni u thirr nga Dibra në Tiranë dhe u komentua se ishte i ashpër dhe do mbante fort Partinë për të mos u dorëzuar. Sigurisht që tek kundërshtarët e atij sistemi, që ato vite ishin të shumtë, kjo krijonte antipati dhe urrejtje. Vetë kisha një lloj rezerve, se Ramiz Alia atë kohë pat ngritu Foto Camin, Piro Kondin dhe ndonjë tjetër, të gjithë njerëz të krahut më të moderuar të Partosë së Punës. Të gjithë, përfshi edhe Xhelilin, kishin punuar në sektorin e propagandës dhe kishin drejtuar edhe Komitete Partish në rrethe. Nuk vinin as nga qarqet e Sigurimit që kishin lyer duart me gjak dhe as nga grupi i “injorantëve” si Simon Stefani apo Lenka Cuko.

Xhelil Gjoni kishte qënë për më shumë se një dekadë, gazetar dhe në një sistem të ashpër Diktatorial, gazetarët nuk janë kurrë më të këqijtë.

Por duke mos njohur me hollësi as se çka ndodhur në mbledhjet e Byrosë të asaj kohe dhe as bisedat me Ramiz Alinë, nuk mund të gjykoj dot se a ka qënë Xhelili në rolin e nxitësit të reformave apo frenues i tyre. Fjalët dhe diskutimet e tij të mëvonshme në Kuvendin pluralist, më kanë bërë të mendoj, se ka qënë nxitës i reformave dhe përkrahës i idesë se “pushteti nuk mund të mbahet më“.

Por ka dhe disa gjëra të tjera të kohëve të pas largimit të tij nga politika, që më kanë bërë të mendoj, se ka qënë i logjikshëm edhe më i drejtë se të tjerët. Në një intervistë të tij të shumë viteve më parë, pata lexuar rreth telefonatës që Dritëroi i kishte bërë pas diskutimit të tij të famshëm në Kongresin e formimit të PS-së. Shkrimtari i njohur dhe mik i Xhelilit që në kohët e “Zërit të Popullit” i kishte kërkuar këtij të fundit ta mbante në Kryesinë e PS-së. Sigurisht që thënia e të vërtetave të tilla dh e të tjerave të ngjashme, nuk të bëjnë të dëshëruar për politikanët e karrierës.

Heshtja rreth vdekjes të tij më bën të mendoj se ka qënë më i logjikshëm dhe më i drejtë se të tjerët. Këto cilësi të bëjnë të të quajnë “i vështirë“ veçanërisht në një shoqëri tepër të korruptuar sikundër është shoqëria shqiptare.

Dibrani i lindur në Maqellarë, kishte shkëlqyer në shkollë ndaj dhe i ishte akorduar e drejta për të studiuar filozofi në Moskë dhe Leningrad. Edhe shkallët brenda Partisë i kishte ngjitur gradualisht, pa pasur mbështetjen e të kunatit, Hysni Kapos.

A ka qënë një komunist i bindur në filozofia marksiste dhe në dobinë e Diktaturës së Proletariatit për vendin tonë?

Këtë nuk di ta them. Por jam i bindur që nuk ka qënë dikush që shkonte andej nga fryn era.

Ka qënë një dibran i mençur dhe i drejtë.

Prehu tani në Paqe Xhelil Gjoni!

Me mëkatet e të larguarve le të merret Krijuesi i njerëzve mëkatarë!