Prej më se 25 vitesh më ka rënë rasti të flas me iranianë, që punojnë në Kanada. Të gjithë të arsimuar mirë, të zgjuar dhe tepër perëndimorë. Të gjithë akuzonin “Regjimin e Mullave” për prapambetjen ekonomike dhe shoqërore të Iranit. Më të shumtët e atyre me të cilët kam folur kanë qënë me emra myslimanë. Nuk di nëse ishin apo jo praktikues të fesë, por ishin shumë të lidhur me vendin e tyre dhe me familjet atje.
Gjithnjë kam pasur bindjen se Revolucioni Islamik iranian ka qënë një hap pas në historinë e një vendi me histori të lashtë, por kam kuptuar edhe ndjenjën antiamerikane të shkaktuar tek shumica e popullsisë kundër Shahut. Ishte një rregjim i korruptuar i mbështetur nga Amerika dhe që lejonte shfrytëzimin e pasurive të vendit nga korporatat amerikane.
Por tani e kaluara(sado e afërt) nuk ka ndonjë vlerë, sepse jemi në një situatë absurde, kur Amerika dhe Izraeli, në mënyrë të njëanshme kanë nisur një luftë të vërtetë me Regjimin e Mullave.
Dhe për të pasur sukses në këtë luftë absurde, gjoja për të ndalur një Luftë Bërthamore dhe për të ndihmuar popullin e shtypur të Iranit, Trump thirri para 4 ditësh në Zyrën Ovale një tufë me Mulla Evangjelistë të luteshin për të!
Eshtë e turpshme, e rrezikshme dhe e rremë.
Eshtë e rremë, sepse Kllouni që i mban sytë mbyllur në pritje për të marrë “ndriçimin hyjnor” për të cilin po luten teleevangjelistët, nuk beson as në Djalli, por vetëm në Dollari me ngjyrën e “xhybes” jeshile.
Eshtë e turpshme, sepse përdoret një Zyrë e rëndësishme Laike, për lutje fetare, gjë që bie në kundërshtim të plotë me parimin e ndarjes së Shtetit nga Feja.
Eshtë e rrezikshme, se krijon në gjithë botën, përshtypjen e gabuar se kemi të bëjmë me një konflikt të armatosur që ka rrënjë fetare. Për më tepër, tek të rinjtë fanatikë islamikë kudo në botë, ju shton bindjen që kristianët janë ata që i kanë shtypur, shfrytëzuar dhe tani edhe po i vrasin. I radikalizon dhe i bën të kthehen në kamikazë.
Unë nuk kam njohuri të plota për të krahasuar Mullat iranianë me Pastorët evangjelistë amerikanë. Nuk di se cilët janë më fanatikë dhe cilët janë më të moderuar. Nuk e di se cilët janë më pro Luftës dhe cilët janë më pro Paqes.
Gjithashtu nuk jam një “militant ateist” që gjen tek feja burimin e të këqijave të këtij Globi.
Por di që më të shumtit e atyre Pastorëve që “shtiren” se luten për “ndriçim hyjnor”, janë sharlatanë që përdorin fenë dhe dobësitë e njerëzve për të jetuar në luks, Shumë prej tyre kanë arritur në Uashington me avionët e tyre personalë.
Në kohën kur kjo kategori evangjelistësh ka më shumë e më shumë peshë në jetën politike amerikane, veç të këqija mund t’i vijnë SHBA-së dhe si rrjedhim të gjithë botës.
Këta nuk përcjellin tek njerëzit mesazhin e Krishtit!
Bëjnë të kundërtën. Se në rast se do ishin mesazh përcjellës të Zotit, do flisnin për paqen, do flisnin për faljen, do flisnin për vetpërmbajtjen, do flisnin për diplomacinë.
Por mesazhi i Krishtit nuk ju shkon për shtat korporatave dhe qarqeve industrialisto-militare që kanë fuqi financiare.
Dhe pastorët sharlatanë e dinë që një jetë do jetojnë dhe është më mirë ta jetojnë në luks. Dhe pa para nuk ka luks.
Edhe pse shumë iranianë dhe amerikanë të rinj në moshë do i”hajë dheu” për luksin e tyre.

No comments:
Post a Comment