Tuesday, 3 March 2026

Shtëpia e Kondilëve


Nuk di nëse emri “shtëpia” i shkon banesës së Kondilëve, e ndërtuar në kohn e lulëzimit të Korçës. Ndoshta është më mirë ta quajmë Palacina e Kondilëve.

Falë një shokut tim arkitekt, mjaft i vëmendshëm ndaj fotove të vjetra në Internet, herë pas here marr foto të vjetra të Korçës, të cilat jo vetëm më çmallin me qytetin e lindjes, por dhe më bëjnë të kuptoj më mirë fazat e zhvillimit të tij urbanistik dhe arkitekturor.

Gjithashtu, thuajse të gjitha pjesët e qytetit të paraluftës, më sjellin kujtime, që lidhen me mua ose me prindërit e mij. Ndërtesa në foto më sjell jo pak.

Si u shtetëzua, banesa e Kondilëve ishte caktuar të bëhej Muzeu i zonës së Korçës. Ishte një orientim nga lart, që në qytetet e mëdha të ngriheshin muzeume, të cilat nuk kishin ekzistuar deri në atë kohë në Shqipëri. Drejtor i Muzeut ishte shkrimtari Nella Sinaeri, por nuk kishte ende muze, por vetëm një dhomë-depo me një inventar të kufizuar. Babanë e shkarkuan si drejtor të Radio-Korçës dhe e vunë drejtor të Muzeut, ndërsa Nella u caktua në vend të tij në Radio.

U bë një punë e madhe për grumbullimin e materialeve nëpër gjithë rrethin, ku Andon Mara u ndihmua nga disa vullnetarë të apasionuar pas historisë, si dhe nga nëpunësit e lokaliteteve të Korçës. Pas një viti e gjysëm pune grumbulluese dhe sistemuese, babaj i ndihmuar nga vullnetarët, bëri edhe shpërndarjen dhe vendosjen e eksponateve dhe Muzeu hapi dyert për vizitorët. Në disa dhoma të katit përdhe jetonte ende një nga familjet e pronarëve. Të gjitha këto në harkun kohor 1950-1952.

Në vitin 1992, nuk di se pse rrija në një stol në lulishten përballë spitalit. Edhe tani çuditem sepse ishte një vend ku nuk më ka qëlluar ndonjëherë të pres. Ishte fund dimri, por ishte një mëngjes me diell dhe pranë meje në stol, po merrte rrezet e diellit në Lindje edhe një i moshuar. Ishte fjalëpak, por duket se po rrinim më tepër se 15 minuta dhe një çast më pyeti se i kujt isha. Kur i thashë, i shndritën sytë dhe më tha: Të jesh krenar për atë baba! Na ka lënë të rrinim në shtëpinë tonë, që ishte bërë Muze kur donin të na nxirrnin.

Më erdhi mirë edhe pse e dija pak historinë. Një teknik ndërtimi i quajtur Pavllo Fundo, ma kishte përmendur një vit më herët. Dukej që kishte lidhje farefisnore me Kondilët.

Nuk e pyeta plakun se si e kishte emrin dhe nuk e pashë më kurrë. I kishte kaluar të tetëdhjetat.

Kur shkruaja librin “Biseda të pakryera me babanë“ mesa materialeve të akuzës dhe mbrojtjes për përjashtimin nga Partia, ishte përmendur edhe ngjarja me Kondilët. Akuzuesit e cilësonin si “rënie në pozitat e borgjezisë“. Një nga “borgjezët” duhet të kishte qënë plaku i gjatë që ngrohej atë mëngjes dimri me mua në lulishten përballë spitalit.

U ndjeva vërtet krenar për babanë tim, që i përkiste atyre komunistëëve njerëzorë, që kishin dashur një botë të njerëzve të drejtë dhe të barabartë dhe për këtë i kishin ndëshkuar. Prej kohës si drejtor i Muzeut nuk kishte mbetur më në Parti dhe kishte pasur edhe telashe të tjera, por nuk e kishte ulur kurrë kokën.

Pat jetuar me dinjitet në një kohë kur të ishe me dinjitet nuk ishte aq e lehtë.

Kondilëve duhet t’ju ketë qënë kthyer prona që në fillimet e viteve ‘90. Por kurrë nuk e kishin harruar një të mirë të vogël që ju kishte bërë shkrimtari Andon Mara. 

No comments:

Post a Comment