Saturday, 7 March 2026

I Mënçuri


Në këtë ditë të mbushur me lule, ngazëllime, urime dhe “respekte” në rrjetet sociale, dua të shkruaj sërish për mësuesin tim të 8-vjeçares. Kam shkruar dikur për ë shkrimin “I Pari dhe i Fundit” dhe nuk dua të përsëris ato ç’ka kam përmendur atje. Ishte vërtet “i Pari” mes gjithë mësuesve që kam pasur, dhe me të vërtetë “i Fundit” nga edukatorët e vërtetë. Besoj se në Atdhe “edukatorët e vërtetë“ si ai janë një specie në zhdukje e sipër.

Për Zhani Pilikën kisha dëgjuar nga ime motër, që e kishte pasur për katër vite mësues, por edhe nga të tjerë shokë të shkollës “Themistokli Gërmenji”, të cilët ishin 2-3 vjet më të mëdhenj se unë. E kisha parë edhe në stadiumin “Skënderbeu” teksa luante si mbrojtës me fanelën nr.4 dhe ishte kapiten skuadre. Nami i tij si njeri ishte i njohur në qytet, por ato vite mezi prisnim të kthehej nga ushtria i vëllai, Alekoja, që ishte sulmues shumë i mirë dhe luante në Tiranë me “Dinamon”.

Ky ishte në mendjen e shumë nxënësve të shkollës së re, Zhani, mësuesi i matematik-fizikës, ezmer dhe i pashëm, por me sy të menduar dhe njëkohësisht depërtues.

Kur nisëm klasën e 5-të dhe mezi prisnim të mësonim “magjitë e shkencës” prej tij edhe pse e dinim që nuk ishte dorëlëshuar në notë, u befasuam. Nuk kishim parë dhe nuk pamë më një mësues si ai, që të mbante gjithë kohën ta dëgjoje gjithë sy e veshë, të admiroje se si shkruante në dërrasë formulat dhe se si e organizonte atë, pa i lënë asnjë cep pa shfrytëzuar. Dhe nuk ishin të vogla sipërfaqet e patinuara në klasat e shkollës sonë, që i kishin lyer me bojë të zezë dhe të gjithë i quanin “dërrasa të zeza”. (Prej dërrase ishte vetëm korniza rreth e rrotull dhe mbajtësja e shkumësave dhe “këmbkës të lepurit”).

Thuajse të gjithëve na mjaftonte të ishim të vëmendshëm në shpjegimet e tij dhe më pas, në shtëpi nuk kishim nevojë t’i hapnim librat e aritmetikës dhe gjeometrisë. Ndonjërit, që pas disa lajmërimeve për të “mbajtur mendjen” në mësim, përsëri vazhdonte të merrej me ndonjë gjë poshtë bankës, i hidhte me shumë lehtësi një copëz shkumës nga ato që mbante në dorë. Edhe pse shumë i kujdeshëm nç gjithshka, kur mbaronte shpjegimin (gjithnjë të llogaritur me zilen e mbarimit ) duart dhe një pjesë të rrobave i kishte me pluhur shkumësi.

Ne e adhuronim. Bënim shumicën e lëndëve të sakta me të dhe nuk i bënim kurrë bisht mësimit. Veçanërisht në klasën e 6-të, kur na mori në kujdestari njohëm gjithë cilësitë e tij prej edukatori të përkushtuar ndaj nxënësve. E kam përmendur në shkrimin e parë, që tradita në Shkollën e Muzikës, ishte që Zhani të merrte në kudestari klasën e 8-të. që ishte dhe më e rëndësishmja për nxënësit e 8-vjeçares, se mbyllej me atë që quhej “Dëftesa e Lirimit”. Atje mbyllej arsimi i detyruar sipas ligjit, në vitet tona.

Klasa jonë ishte bërë shumë problematike gjatë vitit të parë pas fillores dhe dukej që shumë mësues nuk parapëlqenin të na bënin mësim. Edhe pse kishte shumë nxënës të mirë mes nesh, duket që një pjesë ishim më të përkëdhelur se sa duhet dhe ishte e vështirë të na “shtroje”. Detyra e “disiplinimit të arsyeshëm” i ishte caktuar Zhanit, i cili për herë të parë mori në kujdestari një klasë të 6-të, të cilën do e shpinte deri në fund të ciklit.

Me të gjithshka ishte e bukur për të gjithë. Shkuam në më shumë eskursione se të gjithë klasta e tjera. Vizituam plot pjesë të rëndësishme të qytetit më shumë se klasat e tjera. Dolëm në më shumë foto kolektive se klasat e tjera. Duke pasur gjithnjë në krye dhe në qëndër mësuesin tonë të dashur. Nuk di të bënim ndonjë “çapkënllëk” në praninë e tij se nuk donim të përballeshim me vështrimin e tij qortues. Nuk qortonte me fjalë. Mjaft të të vështronte dhe ta kuptoje se po e zhgënjeje.

U larguam nga 8-vjeçarja të përgatitur prej tij, të mbrujtur me cilësi të mira prej tij, duke marrë sadopak nga Mënçuria e tij. Thuajse të gjithë shkëlqyen në shkollat e mesme ku shkuan. Një notë 7 e Zhanit, ishte lehtësisht e kthyeshme në 9 madje edhe në 10 në shkollën e mesme. Më shumë se 80% e shokëve dhe shoqeve tona mbaruan studimet e larta. Për fat të keq numuri nuk ishte më i madh, se disa nga nxënësit më të mirë, i la pa studiuar famëkeqja “lufta e klasave”.

E përshëndesnim me shumë dashuri kur ishim në të mesme, madje edhe kur u bëmë burra. Me dashuri na fliste, por për pak minuta. Kishte ditur gjithë jetën të ishte i afërt me ne, por pa e kaluar distancën që duhet të ndajë mësuesin nga nxënësi. Mbetëm gjitnjë nxënësit e tij edhe në jetë.

Unë nuk di se cilat çmime i janë dhënë gjatë jetës mësuesit tim.

Por di që për mua dhe dhe shokët e mij meriton:

Mësuesi më i mirë i të gjitha kohërave”.

No comments:

Post a Comment