Monday, 9 March 2026

Cili është SUKSESI, që duhet t’ju ngulitim në kokë fëmijëve


Kjo ka qënë një ide, e cila më është rrotulluar në kokë, që në fillimin e viteve ‘90, kur fëmijët përgatiteshin të shkonin në shkollë dhe në vend kishte liri ekonomike, shoqërore, ideologjike dhe të karrierës. Në rininë time nuk kishte shumë mundësi për të përcaktuar nëse “je i suksesshëm apo jo”. Për shembull kujtoj, që një i afërm i familjes ku kisha hyrë, mendonte që djali i tij, që ishte “pykë në shkollë“, pas ushtrisë të ishte aktiv në organizatat e masave dhe më vonë të “organizohej” dhe të bëhej ndonjë “shef kuadri”, që mund të quhej vërtet “i sukseshëm”.

Idea e fjetur (unë kisha bërë ç’dija për të mbrujtur tek fëmijët ç’ka quaja “sukses”) doli në sipërfaqe kur pashë një stendë me foto të ish-nxënësve të shkollës “Themistokli Gërmenji” që cilësoheshin “histori suksesi”. Unë nuk dua të hyj në meritat e atyre që kanë fotot në stendë, sepse me siguri që e meritojnë dhe atyre vetë, fotoja tek “të dalluarit” as ju shton dhe as ju a ul “suksesin”.

Dua të theksoj se sa e mençur apo idiote është idea e dikujt në shkollë, që të frymëzojë adoleshentët me fotot e “të suksesshmëve”.

T’ju mësosh brezave jo vetëm dijet, por më të rëndësishmen, se KUSH duhet të jenë në jetë është sa fisnike aq e vështirë dhe delikate. Ndaj një ideje të tillë, si kjo e stendës, një edukator i mençur i rri larg. Sepse në rradhë të parë duhet të dijë në kokën e tij se ç’është suksesi. Kështu që kur të nisë dhe të seleksionojë emrat e ish-nxënësve me “karriera të sukseshme” të ketë të qartë që vërtet një 15 vjeçar, që vjen nga një familje e varfër( e pasuskseshme) të shohë dikë, që ka qënë po në të njëjtat bango si adoleshent dhe ka “fluturuar lart, në qiejt e suksesit”, të frymëzohet prej tij.

Sepse në shtëpi dhe përreth mund të ketë dëgjuar, që “duhet të kesh PARANE“ për të qënë dikush në këtë jetë dhe nëse këtë e gjen të konfirmuar edhe nga mësuesit që i sheh si “të zbritur nga Olimpi” atëhere do bëjë gjithshka në jetë për të kërkuar PARANE.

Ndaj nëse ti, drejtor apo nëndrejtor i shkollës mendon se në krye të stendës duhet të jetë Gimeja i Red Bullit, atëhere i ke thënë 15 vjeçarit të drobitur, “mëso më shumë se ç’ka bërë Gimeja për të arritur në këto maja dhe bëji edhe ti.” Po njëlloj mund të vije krahas Gimes foton e një shoku tim të klasës, që ishte specialisti më i mirë i vizave fallco në Korçë dhe ishte shumë “i suksesshëm” për më se një dekadë në qytet.

Gimen e mora për shembull si mund të merrja edhe të tjerë, që merren me biznese apo kanë karriera partiake, të cilat dashje pa dashje i kanë përlyer me “para korrupsioni”, por nuk është këtu qëllimi i këtij shkrimi.

Nuk mund të vendosim në muret e shkollave tona “histori suksesi” sepse është shumë delikate dhe mund të “shkatërrojë“ moralisht shumë fëmijë dhe adoleshentë, thuajse të shkatërruar nga kanalet televizive, që propagandojnë të tilla “histori suksesi”. Dhe kjo nuk vlen vetëm për shoqërinë shqiptare, që është mjaft e çoroditur, por për të gjitha shoqëritë e vendeve të lira. Shkolla në asnjë mënyrë nuk duhet të bëhet “ortake” me “psikologjinë e ushqyer nga mediat tradicionale dhe sociale”. Në Itali, kur janë pyetur mijëra fëmijë dhe adoleshentë se kujt duan t’i ngjanë kur të rriten më të shumtit kanë shkruar “Flavio Briatore”. Briatore, bir i dy mësuesve filloreje, u bë i pasur dhe i famshëm duke përdorur të gjitha mënyrat me të cilat mund të ngjitesh si “raketë“ në qarqet e më të “sukseshmëve” që lëvizin me jahte dhe flenë me gra të reja të bukura. Ishin shumë të pakët ata që shkrojtënn emrin e Roberto Beninit apo të Umberto Ekos. Por në shkollat ku ka mësuar Flavio nuk u ngutën të vinin foton e madhe të tij.

Unë nuk shqetësohem as për Gimen, as për Zamirin dhe as Shefqet Kastratin. Ata dua apo nuk dua unë, do jenë model për shumë fëmijë meshkuj, ndërsa gratë dhe të dashurat e tyre (nëse kanë të tilla) do vazhdojnë të zilepsin plot vajza adoleshente, që mendojnë se në jetë vlen më shumë se çdo gjë, një pallat, një Ferrari apo një Roleks.

Por jo shkolla.

Shkolla duhet të përpiqet edhe pse mund ta dijë se është shumë e vështirë, të futë në mendjet e nxënësve cilësitë mendore dhe morale që ju bëhen mur mendësive që përmenda. Por kuptohet, që drejtori, nëndrejtori apo mësuesi duhet të mos ketë në kokën e tij të tilla mendësi.

Ndaj i sugjeroj atyre që përgatitën atë stendë të shohin skenën finale të filmit “Aromë gruaje”, skenë që edhe pse e kam parë dhjetra herë, kur e rishoh përsëri më emocionon.

Pasi ta shohin le të mendohen edhe një herë se ç’duhet të bëjnë me Stendën e Suksesit.

No comments:

Post a Comment