Edhe pse i druhem një lloj mbivlerësimi, që ndodh jo rrallë tek bijtë kur flasin për etërit më duhet t’i shkruaj këto rrjeshta, tani që kam mbushur 67 vjeç dhe nipi im po afron tetë. Ka qënë një episod në jetën time në shkollën fillore, që më tronditi për disa muaj, dhe të cilin nuk e kam harruar kurrë. E kam prekur jo shkurt në librin “Biseda të pakryera me babanë“.
Për të mos e zgjatur shumë, se ka lexues të blog-ut që e kanë lexuar librin, një të hënë të nëntorit 1967, pas orës së parë të mësimit, u zgjata nga banka e parë tek e treta dhe godita një shokun tim të pallatit dhe të klasës. I ra gjak nga hundët dhe një mësuese jo e klasës sonë, i tregoi nëndrejtorit të shkollës dhe ky i fundit më shpuri për veshi në sallën e mësuesve për t’ju treguar të gjithëve “monstrën” e vogël gjakderdhëse. Isha 8 vjeç dhe shtatvogël, por duhet të kem qënë agresiv deri sa nëndrejtori më mbajti për veshi deri në katin e dytë.
Mësuesja ime, pasi më ktheu në klasë, më tha para nxënësve që pa sjellë babanë në shkollë nuk mund të vazhdoja mësimin. Ishte një ditë e ftohtë nëntori dhe si isha, pa marrë as pallton dola nga shkolla me frikën se si do i thesha babajt. Ishte shumë autoritar edhe pse më deshte shumë dhe luante me mua. Zbrita rreth dy kilometra, atje ku ishte Radio-Korça e vjetër dhe nuk guxoja të trokisja në dera e atij institucioni. U ktheva dhe shkova në lulishtja në Shën Mëria, për të qënë jashtë mundësisë të takimit të ndonjë të njohuri, që do më nxirrte në shesh “horllikun” e madh. Edhe pse ditë e ftohtë, binte diell dhe gjithë kohën shihja galat dhe gallofët që uleshin e ngriheshin në rrapin e madh. Kështu deri sa ora shkoi 12 dhe pas saj shkova në klasë mora pallton dhe çantën, dhe si “burrë i mirë“ shkova në shtëpi. Për fatin tim nuk kishte mësuar gjë as ime motër, që ishte në klasën e 7-të të së njëjtës shkollë.
Të nesërmen u zgjova me temperaturë të lartë dhe nuk di se si ishte “zbuluar” bëma famëkeqe e goditjes dhe “fshehja” e gjithë ngjarjes nga prindërit. Veçanërisht “moszbatimi” i urdhërit të mësueses së fillores.
Por si gjithnj, qëllova me fat (muk më është ndarë fati i mirë gjithë jetën). Im atë në vend të më ndëshkonte, u “xhindos” me mësuesen, që pat dërguar një fëmijë 8 vjeç rrugëve për të marrë të jatin nga puna. Kishte shkuar të takonte drejtorin e shkollës dhe i kishte kërkuar që ta thërriste mësuesen dhe t’i tërhiqte vëmendjen për këtë gabim të pafalshëm sipas tij.
Unë u ndjeva mirë, se me dinakërinë e një kalamani, kuptova që nuk isha më i akuzuari. Një i rritur kishte gabuar dhe im atë më kishte dalë në mbrojtje.
Drejtori nuk e kishte parë të udhës t’i “kërkonte hesap” mësueses dhe pas 3-4 ditësh, kur babai e kishte pyetur se si ishte diskutuar çështja, ai i kishte thënë që mësuesja nuk kishte patur faj dhe se e gjithë përgjegjësia për ngjarjen (përfshi edhe të sëmurët nga e ftohta) binte mbi mua. Atëhere im atë, duket i revoltuar, i kishte kërkuar, sipas rregullores të shkollës, që të mblidhej këshilli pedagogjik dhe të merrte në diskutim sjelljen e mësueses madje dhe të vetë drejtorit. Kjo nuk mund të shmangej dhe mbledhja e famshme u bë, ndërsa unë isha ende në shtëpi i sëmurë dhe me një ndjenjë të rëndë faji se futa tim atë në një konflikt trepër të madh. Nuk ndjeja më që “ja kisha hedhur pa lagur”. Ndoshta të njëjtën gjë si unë mendonte edhe ime më, sepse nuk i pëlqente konfrontimet, por nuk mund ta kundërshtonte babanë. Autoriteti i tij në familje ishte absolut.
Mbledhja “e pazakontë“ kishte vazhduar disa orë dhe me siguri që më të shumtët e mësuesve nuk kishin folur dhe ata që ishin ngritur kishin mbajtur anën e drejtorit dhe mësueses. Ndoshta të gjithë(me përjashtime të vogla) e quanin kërkesën e Andon Marës absurde, sepse koha ishte e tillë, që autoritetit i jepej të drejtë edhe kur gabonte. Por jam i sigurt gjithashtu që argumenta të kundërshtonin mençurinë e tim eti nuk kishin.
Ajo ngjarje më mbeti si “tatuazh “ i keq në kokë, se gjithmonë mendoja që kisha vënë babanë tim në një pozitë të vështirë ndaj opinionit të kohës dhe mësuesve. Ndoshta kjo pat ndikuar edhe në namin tim prej “shejtani” në të gjithë trupën mësimore, por isha i sigurt se ai nam do më dilte edhe pa mbledhjen në fjalë.
Vetëm kur u bëra vetë baba dhe kisha nisur të kuptoja më shumë nga jeta (sistemi shoqëror pat ndryshuar) kuptova se sa i mençur dhe “perëndimor” në botkuptim ishte im atë. Ai nuk mbronte të birin, por një krijesë të vogël, në procesin e rritjes që abuzohej marrëzisht nga të rriturit. Nuk ishte e rastit që ai lexonte Rusonë dhe mësuesit e gjorë nuk lexonin as Makarenkon.
Mund ta kishte patur shumë të lehtë të shkonte të nesërmen dhe të takonte mësuesen dhe t’i thoshte “djali im ka gabuar rëndë, por nuk do e përsërisë se do i flas unë!” dhe të gjithë “të rronin të lumtur dhe të gëzuar”. Ai zgjodhi rrugën e vështirë, atë të përballjes me opinionin e prapambetur dhe që i kishte sjellë jo pak telashe në jetë. Zgjodhi rrugën e drejtë edhe pse kjo mund të ndikonte në notat e mia dhe të sime motre.
Ishte 45 vjeç dhe kishte pjekurinë që unë nuk e kam edhe sot, edhe pse kam mësuar shumëprej tij.
Zgjodhi dinjitetin, që më bën të qaj me dënesë ndërsa i shkruaj këto rrjeshta.
Sepse ishte ndër njerëzit më të drejtë dhe më perëndimorë që kam njohur!

❤️👏🫶
ReplyDelete