Tuesday, 3 March 2026

Kreshma, iftari dhe ngritja shpirtërore


Ndonëse me disa ndryshime në kohë, në varësi të kalendarëve të ndryshëm, duket se tre fetë abrahamike, kanë shumë pjesë të riteve të tyre të ngjashme. Unë këtë e di jo se jam ndonjë studiues i feve dhe as militant ateist, që dua t’ju gjej të metat, por se këtë vit vendosa të mbaj kreshmë. Dhe dy ditë pasi nisa kreshmën filloi edhe Ramazani. Besoj se agjërim të ngjashëm në këtë periudhë duhet të kenë edhe hebrejtë (ata që nuk janë majë avionëve bombardues).

Arsyeja kryesore që nisa kreshmën këtë vit (e kam bërë edhe ndonjë vit tjetër) është se ndjeva që muajt e fundit isha bërë shumë agresiv në shkrimet e mija. Kanë qënë jo vetëm më të shumtë në numur, por edhe denigrues në shumë raste. Veçanërisht ndaj politikanëve të të dy anëve të oqeanit, këngëtarëve të serenatave dhe lepujve të butë. Nuk mbante më ujë pilafi sepse kishte shumë yndyrë shtazore, ndaj duhej të nisja menjëherë një katharsis.

E nisa me një Ndjesë të fortë dhe të pashembullt për natyrën time, që i drejtohej Niko Peleshit dhe të nesërmen “e preva” mishin. Një javë më vonë, sipas konsultimeve edhe me një njohëse të mirë të proçedurave kreshmore, ndërpreva të gjitha ushqimet që mund të kishin edhe përmbajtjen më të vogël shtazore. Nuk di nëse këto me pak shtazorkë, i quanim “të burbuletura” në fëmijëri, por pavarësisht nga cilësimi unë nuk i vura më në gojë. Në frigoriferin e pastruar kam vetëm karrota, panxhar të kuq, repka, lakër arme, hallvë susami dhe karrota. Nuk e kam bërë gabim që i kam shënuar dy herë karrotat, por kam dy lloje, një palë të qëruara e të lara dhe të tjerat si “i ka bërë i paçim Uratën!” Renditja në fjali është sipas rradhës që kanë në raftet e frigoriferit tepër kreshmor.

Pas katër ditëve të para që kam ngrënë të përpunuara dhe bruto, ushqimet e sipërpërmendura, ndjeva një lektisje në trup dhe mendova se sa mirë që është që nuk kam origjinë islamike. (Mendimi nuk ka aspak lidhje me Iranin apo me Khameinin rahmet pastë!) Agjërimin e detyruar të fesë së Muhametit do e kisha shumë të vështirë, sepse që sa lind dielli dhe deri sa perëndon duhet tëndërprisja çdo veprim që lidhet me gojën përveç frymëmarrjes. Madje edhe ato që lidhen me ndonjë karshillëk, që vazhdon me ca komplimenta të shumëpërdorura dhe që përfundon në shtrat. Edhe këto veprime lejohen vetëm kur është natë dhe kur ka rënë muzgu është shumë e vështirë t’i bësh isharete dikujt të gjinisë tjetër. Le që ku bën dot isharet kur je pa ngrënë! Do lëshohesh për iftar sa të dëgjosh topin e ramazanit dhe kur të ngrihesh nga sofra i nginjur do pëlcitesh të flesh menjëherë si derr i kënaqur. (Tuberstakfurallah, edhe derri na duhej këtu për të përdhosur agjërimin.)

Por megjithë lehtësinë e kreshmës ortodokse nëse e krahasojmë me agjërimin muhamedan, unë nuk ndjehem mirë. Nuk kam as ngritjen më të lehtë shpirtërore. Jam aq i zhytyr në mëkatin e mendimeve, sa nuk gjej rastin më të parë qët’i lëshohem dikujt! Dhe këta dikujtshat, janë njerëz tepër fetarë, si Donald Trump, një mbrojtës i zjarrtë i Krishtërimit; Bibi Netanjahu, një hebre i ardhur nga prindër ateistë por i përkushtuar për çështjen çifute dhe Edi Rama një katolik që ja kalon edhe Papës nga besimi në doktrina fetare. (Nuk po e përmend...in, Kalorësin e Ortodoksisë se s’ka nja 10 ditë që i kërkova ndjesë.)

Kjo më shqetëson pa masë!

Se le sakrificën që po bëj duke ngrënë vetëm karrota, panxhar të kuq, repka, lakër arme, hallvë susami dhe karrota, por është një sakrificë që nuk po sjell asnjë dobi. Unë jam po aq “i ngarkuar” sa kam qënë edhe në muajt para fillimit të kreshmës dhe jo vetëm që bëhem i bezdisur për të tjerët, por nuk ndjej as më të voglin afrim me Qiellin. Më duket sikur hyj thellë e më thellë zgafellave të Nëntokës. (Të mos përmend këtu dhe që në sytë e lexuesve në Mëmëdhe nuk po shndërohem dot akoma në Faktor.)

Dikush, me përvojë në çështjet kreshmore, mund të thotë se nuk duhet të humbas as durimin dhe as besimin, se edhe po mos ngrihem shpirtërisht deri të Shtunën e Madhe, mund të pastrohem nga mëkatet Ditën e Gjyqit të Fundit.

Kjo është vërtet ngushëlluese, por këtu mund të arrija edhe po të mos haja vetëm karrota!

No comments:

Post a Comment