Sunday, 22 March 2026

Sa më shumë “bonistë“ aq më mirë!


Nuk jam i sigurt nëse jeta në një qytet, ku njoh pak njerëz, apo udhëtimet e gjata me makinë më kanë krijuar mundësinë të mendoj më shumë. Jo se më parë nuk kam pasur mundësi të mendoj, por një pjesë e atyre që më shkonin në mendje ishin për gjëra nga më të zakonshmet, që nisnin me projektet për të cilat punoja dhe bitisnin me pyetjet e kota “përse ma tha këtë x-i apo y-greku?”. Tani e kam jetën shumë të lehtë dhe pasi kam kryer “adetet e mëngjesit”, zakonisht shkoj në “Starbucks-n” e preferuar “ku më njohin banakierët”. Me ta shkëmbej një “si je” dhe një buzëqeshje dhe ze vendin tim, po mos e ketë zënë dikush para meje. Pa folur me njeri, pa vështruar kënd. (Prever e ka përdorur dendur tek “Ngrënia e mëngjesit”, por unë betohem që nuk e kam kopjuar nga simbolisti i mrekullueshëm.)

Herë herë, dikush kalon para tavolinës sime dhe më thotë pa u ndalur “hi” dhe unë i përgjigjem në shqip “përshëndetje!” që ta ngatërroj dhe njëkohësisht të futem në atmosferën e një kafeneje shqiptare.

Më pas filloj dhe mendoj se nuk kam se ç’të bëj tjetër dhe pres kalimtarin e rradhës të më thotë “hi” duke buzëqeshur. E di që janë “bonistë“ me mua, sikundër jam unë me ta, sepse nuk ka asgjë që mund të “ndajmë“ dhe nuk ka asnjë arsye t’i themi njëri tjetrit “plaç!”

Por duke qënë një ballkanas tipik, kokëshkretë dhe torolloz, kur këmbej me bashkëatdhetarët, qoftë në telefon, në mediat sociale, apo edhe kur vizitoj Shqipërinë, më pëlqen më shumë të më thonë “Plaç!” Nuk e di pse, por ndjehem më mirë se sa kur përballem me “bonistët” që më thonë “përshëndetje”, “je i plotësuar” apo “kam respekt për ty dhe familjen tënde!” E di edhe që kjo që po shkruaj është një “budallallëk me brirë“, por ja që kështu e kam. Këtë hyq ma dinë edhe shokët më të afërt (sikundër e di dhe unë për ta) dhe jo rrallë më thonë “sa cazzo je!” apo “m’a ha m...!”

Ndoshta jemi përfaqësuesit e fundit të një brezi “hipi”, që e ka pasur të vështirë të thotë nga këto fjalët plot mirësjellje, që ndonjëherë nuk përdoren as në kuptimin që kanë. E kam shkruar dikur një episod të shkurtër me një “grua të kënduar”, që duke qënë boniste, ndërsa këmbeheshim një ditë në një nga “trotuaret” e qytetit tim dhe unë isha vërtet i veshur si “lanxho” më tha: “Sot dukesh tamam inxhinier , tamam arkitekt!” Dhe u ndjeva më mirë se të më kishte thënë : “Po ç’je veshur më këtë ditë o gomar!” Ikja rrugës dhe qeshja me vete.

Një tjetër “bonist”, të cilit i dërgoja një shkrim timin rreth arkitekturës së Korçës, pasi më përgëzoi më shkrojti se ai vetë kishte vrapuar më kot rreth ca fitimeve të thjeshta me projekte të shpejta, në vend të merrej me shkrime të kësaj natyre. E kuptoja që donte të më shkruante se “ti je një hajvan që merresh me këto shkrime pa bereqet”, por ai gjeti mënyrën më të bukur për të më bërë të ndjehesha mirë. Dhe vërtet u ndjeva mirë, se jo vetëm u gajasa, por telefonova menjëherë avokatin tim. që nuk ishte në Lion, dhe ja tregova.

Ndaj them se nuk ka asgjë të keqe të kemi rreth e rrotull sa më shumë “bonistë“. Sepse edhe se na thonë ndonjë të pavërtetë, e thonë aq bukur sa të bëjnë të ndjehesh mirë. Dhe nuk të intereson se ç’mendojnë në të vërtetë, apo se ç’rrëfejnë rreth teje pasi je ndarë. Rëndësi ka që janë aq të mirë! Që janë aq pozitivë! Që të falin aq shumë dashuri!

Kështu që edhe kur jam i rrethuar nga shumë “bonistë“ unë nuk ndjehem asnjëherë “i veledisur”. Sheqeri që buron nga buzët e tyre, të shkon menjëherë në mendje, sepse është produkti më i asimilueshëm nga gjaku. Dhe ndjehesh “i plotësuar”. Se je i rrethuar nga një atmosferë e ngarkuar me pozitivitet të pashembullt.

Madje edhe nëse të vijnë ndonjëherë rropullitë rrotull, përmbahesh dhe nuk ja u derdh zorrët e barkut në fytyrë, sepse ai do jetë veprimi më i turpshëm që mund të bësh ndaj një “bonisti”!

Dhe unë për ta lë kokën!

No comments:

Post a Comment