Wednesday, 11 March 2026

Sindromi i Elena Causheskut


Kush do rreket të kërkojë në Google apo ChatGPT sindromin e Elenës, është mirë mos lodhet kot se ky sindrom është i krijuar nga unë.

E ndjera grua e Nikolaes, ose e “Caushit” si e quante me përbuzje Dulla jonë, kishte “nën” hyqëm të gjithë botën shkencore rumune. Elena vinte nga një familje fshatarësh të varfër dhe kishte shkuar në Bukuresht ku kishte punuar si laborante. Më pas, si kishte hyrë në lëvizjen komuniste dhe ishte martuar me Causheskun, kishte ngjitur shkallët në Partinë komuniste rumune dhe pasi Nikolae ishte vënë në krye të Rumanisë, kishte marrë edhe një Master në kimi pa shkuar në Universitet. Më pas bëri edhe një dorë me shpikje në kimi dhe fizikë, deri sa për shkak të shkak të veprimtarisë së vazhdueshme shkencore, ushtarët rumunë e pushkatuan.

Duke lexuar për jetën e saj më lindi idea për sindromin. Sepse e kisha vuajtur vetë në mërgim. Kur mundohesha të shpalosja sa më mirë personalitetin tim, ju tregoja kolegëve kanadezë se nuk isha “ndonjë çapaçul” por kisha botuar edhe libra në Shqipëri. Dhe ju tregoja librat e babait. Ata dyshonin kur shihnin emrin në kopertinë, por e kaloja shpejt duke ju thënë se ishte emri im letrar. Më pas e pashë, që kjo duhet të ishte si punë sëmundjeje, se nisa t’ja u tregoja edhe ca miqve shqiptarë, që e dinin se nuk kisha qullosur ndonjëherë ndonjë libër. Ndaj shkova në një psikolog, i cili më shpjegoi se nuk ishte sëmundje shumë e rëndë dhe se kishte nisur nga ëndërra fëmijërie të parealizuara dhe nga një formë latente e “kompleksit të Edipit”. Kur e pyeta për mjekimin më tha që më i miri është të nisësh e të shkruash libra vetë. Dhe kështu bëra.

Por pas disa kohësh takova një mikun tim të fëmijërisë, që jetonte në Amerikë dhe kur nisëm të kujtonim adoleshencën më tregoi se si një pedagog i Mjekësisë nga Korça i ishte lutur që të shkonte të studionte për Mjekësi, por ky e kishte refuzuar. “Obobo paska edhe ky sëmundjen time!” -thashë me vete, se e dija që ai e kishte pasur mesataren rreth 7.5, por nuk i rashë në sy, Nuk doja t’i tregoja meselenë e librave të tim eti. Dhe nëse ai kishte pasur ëndërr të bëhej mjek, këtej nga Amerika nuk i bëhej dot derman.

Jo më shumë se para dy vjetësh, një tjetër shoku im në SHBA, më tregonte për një të njohurën tonë nga Korça. Ajo nuk rrinte shumë larg nga pallati jonë dhe ishte një infermiere shumë e talentuar. Shpesh, kur e shihnim që kthehej e lodhur nga spitali e pyesnim si e kishte kaluar ditën dhe na tregonte se sa kishte dalë nga Salla e Operacionit, pas një operacioni 4-5 orësh

Mirela (ky është emri i vërtetë i saj) pat emigruar në Amerikë dhe jetonte në të njëjtin qytet me këtë shokun tim. Një ditë, kur ishin takuar dhe me dy të tjerë, e lodhur nga jeta e emigrimit, ajo ankohej se si duhej të punonte në një punë jo shumë të kualifikuar në sistemin e shëndetsisë të Miçiganit, kur kishte qënë një specialiste aq e mirë në Mëmëdhe, pasi ishte diplomuar dy herë në Universitetin e Tiranës. “Mirela!!”-i theshte shoku jonë me ton për t’i tërhequr vëmendjen, që ai ishte nga e “njëjta kaza” dhe e dinte që kishte qënë një infermiere plot talent. Por Mirela ishte e bindur, që dy diplomat i kishte marrë dhe madje në kohët që për infermiere nuk duhej universitet.

E kishte kapur edhe atë të shkretën sindromi i Elena Causheskut.

Eshtë një sëmundje e ngjashme me “gripin e pulave” dhe që kap kryesisht emigrantët, pas një lodhje të vazhdueshme dhe një keqtrajtimi psikologjik nga “bullistët” vendas.

Të paktën unë ja hodha me dy libra që botova në Tiranë dhe mund t’i shënoj në fjalën e largimit nga jeta, që po përgatit.

Edhe pse në Shqipëri nuk i ble kush.

No comments:

Post a Comment