U mbushën 15 vjet të këtij blogu mbushur plot e përplot me më shumë postime se komente dhe me më shumë “sharje” se “afirmim të vlerave pozitive”.
“Ku endemi”, si e kam rrëfyer edhe më parë, lindi kot së koti, nga një grindje me një miken time, me të cilën më parë këmbenim rregullisht diskutime rreth “gjërave të rëndësishme të këtij Globi”! Meqënëse nuk i dërgoja dot më drejt e në “kutinë postare” të saj, thashë t’i hedh rrugëve të Internetit, se dikush do i lexojë. Njëkohësisht pata njoftuar avokatin tim, që atë vit nuk kishte shkuar akoma në Berlin, që “marrëzirat” që i dërgoja mund t’i lexonte më “kollaj” në blog.
(Po ishte edhe si “trend” i kohës, për të mos u hequr fare si “inoçent”.)
Mikja ime e pa që isha i “dëshpëruar” dhe më ripranoi në “gjirin e saj”, por mua më kishte hyrë “vedi në qejf” dhe vazhdova të postoj ide, deklarata dhe opinione rreth gjërave që i dija dhe që nuk i dija. E kam përmendur se ishte si një lloj “llomotitje me vete” rrugëve të qyteteve të vogla të Kanadasë, ku nuk më njihte njeri.
Kuptohet, që me të drejtë, shumë të njohur do mendonin se kisha “lajthitur” fare dhe këtë mund ta lidhnin me statusin tim prej të divorcuari, me “dështimin në zanat” apo me temperaturat e ulta të Kanadasë. Disa “me marifet’ më theshin të hiqja dorë, se po “diskretitoja familjen”, po i vija një njollë “Gaqo Tashos dhe shkollës Themistokli Gërmenji” dhe po “turpëroja edhe Korçën dhe Oparin”. Disa “me shumë dashamirësi” më theshin se po bëhesha “gjithollog” madje njëri syresh, “më i quti”, më sugjeroi të shkruaja edhe për “Ditën e Minatorit”.
Unë shkrojta edhe për Ditën e Minatorit, për të treguar faqe Internetit se jo vetëm dija shumë, por nuk më bëhej vonë për insinuatat e miqve dhe dashamirësve.
Pas 15 vjetësh kam kuptuar se as jam bërë më “budall”, dhe as më “ i qut” nga të “shkruarat me vete” ndërsa endem pa e ditur se Ku shkoj.
Një bashkëmoshatare, që ende jeton në Mëmëdhe, një ditë më kërkoi t’i përgjigjesha sinqerisht, se a do kisha shkruar nëse do isha ende në Korçë dhe nuk do kisha emigruar. Ju përgjigja “Nuk e di!” sepse vërtet nuk jam i sigurt nëse kjo do ndodhte. Mes shumë arsyesh që do rrjeshtoja në favor të “mosshkrimit” do ishin “preokupimi me projekte dhe ndërtime”, “pesha konservatore e opinionit”, “një lloj hezitimi për të mos mbetur pa bukë“, por mbi të gjitha, që nuk do e kisha “mendjen e hapur” nga gjërat që mësova në këtë Kontinent.
Fakti që vazhdoj të shkruaj (herë itensivisht dhe herë rrallë) tregon se ende mendoj se “cazzature” që shkruaj janë gjëra të mënçura, ashtu si i duken çdo marroku në Botë, që hap kompjuterin dhe shkruan edhe për të tjerët .
Kam kuptuar edhe se kurrë nuk do mësoj se “Ku endemi”!

No comments:
Post a Comment