Verën e kaluar, pikërish më 15 korrik, kur kishte mjaft diskutime në mediat tradicionale amerikane për “listën e klientëve” të Xhefrit të Epsheve, postova një shënim timin të titulluar “Xhefri i Epsheve dhe bota jonë“ me idenë qëndrore “Who cares?!” Atë kohë nuk mu duk se ishte një shkrim “marrok”, ndonëse pata përgëzimet nga një ”trumpist”, që deri atë kohë kundërshtonte çdo shkrim timin për situatën në botë. Por as kundërshtimet dhe as përgëzimi i tij nuk më linin ndonjë mbresë, se e dija që “aq kishte në kokë“ nga historia dhe politika ndërkombëtare.
Shënimi im është në linkun më poshtë:
http://kuendemi.blogspot.com/
Këmbënguljen rreth listës e shihja si një përpjekje të Superkorporatave për të tërhequr vëmendjen nga problemet e vërteta të publikut amerikan, që janë standarti i jetesës dhe kufizimi i lirive. Muaj më vonë, pasi nisën të hapeshin një nga një “petët e lakrorit” kuptova se pata gabuar. Në dosjet e lidhura me figurën e jashtëzakonshme të Epstein, kishte shumë më shumë se miliarderë “ndezakë“ dhe “shantazhe” njerëzish me pushtet nga Mosadi, CIA apo të tjerë. Brenda tyre është një mori pasqyrash magjike ku mund të shohësh se si funksionon politika ndërkombëtare. Në “shtretërit e masazheve” të Xhefrit, ku vajzat e reja cullak, ju fërkonin muskujt burrave të pushtetshëm të këtij globi, janë gatuar shumë e shumë “gjellë të qelbura” që kanë ndikuar në Fatet e Njerëzimit gjatë këtij shekulli.
Kur kisha shkruar shënimin e parë, kishte më se katër javë që ishin mbyllur bombardimet e Iranit dhe as më kishte shkuar në mendje se mund të kishin lidhje me kërkesat e vazhdueshme të publikut amerikan për bërjen të njohur të “listës së klientëve”. E mendoja që një ditë ajo do ndodhte, sepse ishte diçka e lakuar shumë gjatë presidencës së parë të Trump, edhe pse ai tallej atë kohë me këshilltarin e tij Xhon Bolton, që “kërkonte të bombardonte Iranin”. Por jo vetëm retorika e vazhdueshme e Trump më kishte bërë ta prisja atë bombardim të qershorit 2025. Kërkesat shumëvjeçare të Netanjahut, që kishte dështuar vazhdimisht ta përfshinte Amerikën në ato sulme, të cilat nuk i bënte dot vetë, më kishin sjellë në përfundimin se gjatë mandatit Trump 2 do ndodhte. Megjithatë edhe sot nuk i lidh me Listën e Xhefrit.
Prej korrikut e deri tani, ato çka kanë dalë në dosjet që mezi u hapën pas një rezistence titanike të Shtëpisë së Bardhë kanë nxjerrë një botë shumë herë më të fëlliqur se sa e kemi dyshuar. Tani kuptoj pse ato nuk janë hapur as nga Obama, as nga Trump 1 dhe as nga Xhoja i përgjumur. Më shumë se “pedofili” dhe orgji të shfrenuara atje janë të vërtetat që pakkush i dinte. Të gjitha shpien në atë:
Si qeveriset bota e sotme!
Në këtë kuadër, më shumë se sa një përpjekje për të mbuluar me gjethe fiku “perversitetet e tij seksuale” unë e shoh shkallëzimin e luftës në Iran nga Trump. Sigurisht që arsyet janë edhe më komplekse dhe lidhen edhe me interesat e Izraelit për të zgjeruar territoret, edhe me interesat e kompanive të naftës, edhe me interesat e Arabisë Saudite për të goditur rivalin e saj të botës islamike. Varen shumë edhe nga “humori i mirë apo i keq” i një kllouni tepër të pastabilizuar, që i gëzohet si një fëmijë Fuqisë së Jashtëzakonshme që i dha votuesi amerikan.
Por sërish këmbëngul, që po mos kishte ndodhur “ujëvara” e dosjeve që hapen (më të shumtat janë ende të vulosura) lufta në Iran nuk do kishte ndodhur, ose do vinte më vonë dhe më shumë si një periudhë e shkurtër bombardimesh, si ajo e “luftës 12 ditore” të qershorit. Krahas presioneve të vazhdueshme, bllokadës të fortë ekonomike do shoqërohej me protestat e vazhdueshme të popullit iranian, dhe mund të sillte edhe regjimin e Mullave.
Por jo.
Trump me langorët që ka pas kanë një padurim për të zgjatur sa më shumë këtë konflikt të armatosur, duke llogaritur edhe futjen e këmbësorëve në Persi.
I duket vetja si Aleksandri i Madh?
Cdo marrëzi mund të shkojë në këkën e sëmurë të këtij narcisisti sharlatan, por them se skandali i Xhefrit detyron shumë qarqe të shtyjnë “idiotin e dobishëm” drejt një lufte katastrofike për popujt dhe që mbart edhe rrezikun e një Lufte Botërore.
E thjeshtoj shumë shpjegimin e rrënjëve të kësaj lufte?
Se dikush mund të thotë, që në mënyrë semplifike unë mendoj se po mos kishim etjen e Xhefrit për vajza nën moshë dhe po mos kishim epshet e shfrenuara të Klintonit, Ehud Barakut, Ndreçkës të Anglisë, Trump dhe ca të tjerëve nuk do kishim luftë në Persi.
Më duhet të them i sigurt që kush mendon kështu e ka mendjen vetëm në ato “dy organet” që “çmenden” kur bashkohen me njëri tjetrin.
No comments:
Post a Comment