Nuk di nëse jam pafat për këto galat, apo qëllimisht nuk më ftojnë, por nëse dukuria përsëritet dhe përsëritet, diçka nuk shkon. Dhe nuk shkon Hiç! Nuk jam ftuar për të 30-tat, të 40-tat dhe të 50-tat!
Bije erë që një komplot me ngjyrime politike ësht duke ndodhurë, se edhe viti është ndryshuar. Unë gjithë gëzim dhe dëshirë udhëtova vjet drejt Ballkanit në shtator, me shpresën se do festohej përvjetori i 60-të, pikërisht në vitin e 60-të. Kisha marrë me vete edhe kostumin bezhë me të cilin u martova, që ende më rri mirë edhe pse kam shtuar nja 15 qillo. (Që kisha përgatitur edhe një foto të madhe ku kisha dalë me drejtorin tonë të asaj kohe, nuk po e përmend, se fotoja më mbeti në Greqi!) Asgjë nuk ndodhi! As mbledhje përkujtimore, as gala dhe as dokumentar “Shkolla Themistokli në vite.” U ktheva i dëshpëruar, por ai dëshpërim nuk mund të krahasohet me të sotmin, kur mësova se Gala e madhe do jetë nesër. Asnjë njoftim , asnjë teskere, asnjë isharet! Sikur mos kem qënë kurrë nxënës në atë shkollë!
Menjëherë fajësova australianin Pite, të cilin e kam kritikuar “rëndshëm” për rikonstruksionin e Cajupit dhe meqë gala do jetë në Cajupi, thashë se ai do ketë vënë veton.
Por burime të mirëinformuara pranë Drejtorisë Arsimore, më thanë se Piteja nuk ka gisht në organizimin e galas dhe as në dërgimin e teskereve. (Të kuptohemi që unë nuk kërkoj nga ato fillim-mbarim, por një të thjeshtë e meritoja.)
Gjithsesi edhe pse nuk arrita të përcaktoja se kush ishte “fajtori” për “mosftesën” time nisa të bëj disa llogaritje me mend, se sa nxënës mund të kenë rrënë “raskap” për 12 vjet me rradhë në atë shkollë. Jo më shumë se 120 dhe unë jam një nga këta “dyzinsat” e Themistokliut. Madje kam qënë që në kohën që ishte pa emrin e patriotit dhe e quanin “Shkolla e Re”.
Gjithashtu është e vërtetë, që pas shkollës unë nuk kam patur arritjet e bashkëmoshatarëve, si psh shoqet Vërushja dhe Zefi, që kanë qënë prefekte-perfekte, por ato kanë qënë vetëm për 4 vjet në shkollën TIME. Unë kam ngjitur dërraska nga qilari i druve dhe kam seleksionuar gozhdë me Loxen që kur isha gërdhuc.
Kam qënë mes atyre që ndihmuan Leko Përgjikën të shpinte flurudhën në shtëpi; kam qënë mes turmës që përcolli Rikardo Jorganxhiun të shkonte me biçikletë në Dunavec për të parë flotën e 6-të amerikane; kam qënë në kohën e dy drejtorëve kur nuk kuptonim pse njëri kishte dy kate dhe tjetri vetëm një; jam ndëshkuar nga Gaqo Tashoja për “ulje të vigjilencës”; kam shpërndarë kopje në provimin e matematikës në maturë, që morrën më qafë shumë bashkënxënës se ishte zgjidhje e gabuar etj etj. Madje kam parë edhe kur ishin shkruar parrullat Vdekje Partisë dhe Poshtë Enveri, që më shtuan më shumë besimin në të ardhmen e ndritur që do kishte Rilindja e Partisë dhe Ngritja e Edit.
Dhe ja ku jam, në një qoshe të humbur të botës, me një mbiprehërës të vjetër, ku shkruaj dhe ankohem për padrejtësinë që më është bërë.
E nema Pravda theshte Kalimeroja, që ishte një zoçkë pule e zezë me një guaskë veze mbi kokë, të cilën unë e shihja në televizionin armik maqedonas ndërsa ndiqja mësimet e Partisë në shkollën Themistokli.
Do më duhen dy pesëvjeçarë të ndritur, të drejtuar me mënçuri nga Partia dhe shoku Edi, që të arrij në përvjetorin e 70-të të shkollës. Atë vit kam për tu ngujuar në kangjellat rrethuese dhe nuk do ç’ngujohem deri sa të marr ftesën e merituar.
Do kem mbushur 77, por pikërisht kjo më shton optimizmin.
(Po të rranë dy 7-ta në këto makinat kumarxheshka këtej fiton goxha! Dhe unë vetëm një ftesë për në gala kërkoj. Nuk është shumë.)
No comments:
Post a Comment