Saturday, 7 March 2026

A ishte agjent i huaj “Profesori” i Liseut?


Këtë ditë të kujtimit të mësuesve duhet të prekim edhe disa aspekte të një njeriu, që përcaktoi jetët e disa brezave të Shqipërisë. Në Korçë e quanin edhe më vonë “profesori i Liseut”, një përcaktim që me siguri e pëlqente, sepse zinte jo pak vend edhe në propagandën zyrtare.

Kur punoja për Muzeun e Arsimit Kombëtar, në platformën e hartuar nga Instituti i Historisë, zinte një vend jo të vogël pjesa e Liceut Francez dhe kontributi i Enver Hoxhës në të. Shumë vite më parë se viti 1986, kur isha ende i vogël dhe e kisha pyetur babanë nëse e kishte pasur profesor Udhëheqësin në Lice, me një lloj sikleti më pat thënë:”...pak, na jepte Edukatën Morale...po ai jepte në klasat e ulëta...edhe orët e Bibliotekës i kishim me të...” Atëhere nuk kuptoja tamam se mësuesi gjirokastrit ishte thuajse “askushi” në Liceun Francez, por nga përgjigja e tim eti nuk mund të mburresha mes shokëve, që babait i ka dhënë mësim Enver Hoxha.

Tani që kam kuptuar më shumë nga jeta, them se Enveri ka qënë si shumë nga sharlatanët e sotëm, që vishen mirë dhe dinë ta shesin veten edhe pse nuk kanë asnjë vlerë profesionale dhe njerëzore. Ai ka qënë një njeri i qejfeve, me humor dhe i dalluar për të zënë miqësi që i interesonin dhe për të përfituar prej grave. (Atyre marrokeve, që binin në dashuri me simpatikun e gjatë që kishte studiuar në Francë.) Ndaj dhe në Korçëi theshin me plot gojë “profesor” edhe pse ishte një mësues i thjeshtë i klasave të para të Liceut. Ndoshta shumë pedagogëve të tjerë, që ishin diplomuar në Francë nuk ja u përmendnin këtë titull.

Por si sharlatan dhe oportunist duhet të ketë shkuar mirë me nxënësit, se nuk kishte arsye të përplasej me ata të klasave të larta. Ndaj dhe emri i tij, mes atyre që nuk e kishin patur në shkollë dhe në Francë, me siguri ka qënë i mirë.

Po kthehem në dyshimin tim (ndoshta të ngritur edhe nga autorë të tjerë, të prirur pas teorive komplotiste), që Enver Hoxha mund të ketë qënë edhe agjent i një Fuqie të Madhe. Nuk ka asnjë rëndësi se unë nuk paraqes këtu asnjë fakt, madje as edhe ndonjë dyshim tepër të arsyeshëm, por spekuloj nisur nga ato çka di mbi jetën e tij dhe ç’di sot nga mënyra si “operojnë “ Fuqitë e Mëdha.

Nuk është e pamundur që ai të ketë qënë i ndihmuar dhe kontrolluar nga Italia e Duçes.

Roli i Italisë në jetën politike të Shqipërisë prej Luftës së Parë Botërore dhe deri në pushtimin e 7 prillit ka qënë kryesor. Shumë më tepër se ndikimi i Jugosllavisë, Greqisë apo Turqisë, sipas renditjes në këtë fjali. Italia ishte mbështetëse e Zogut, por njëkohësisht mbante brenda gadishullit Apenin kundërshtarët e tij të betuar. Dhe i mbante edhe me para. Jo vetëm Fan Noli dhe Luigj Gurakuqi ndenjën për disa kohë në Itali, por edhe shumë të tjerë të larguar në kohën e dështimit të “grushtit të shtetit” të Qershorit. Madje edhe kundërshtarë të tjerë të mëvonshëm, që iknin për të shpëtuar kokën nga përndjekja e matianit të rreptë. Mes tyre ishte edhe Bahri Omari, por nuk dua aspak të spekulloj për ndonjë ndërmjetësi të tij mes Hoxhës dhe italianëve. Gjithshtu nuk ishte aspak e çuditshme, që në qarqet ku përgatitetj pushtimi italian, Enveri të kishte një dosje si një i ri që nuk ishte “askushi”, por që njëkohësisht kishte edhe nevojë për para. Profili i tij ishte bërë i njohur ndoshta edhe për “diplomatët” italianë, kur kishte mbajtur një nga fjalët në tërheqjen e eshtrave të Bajo Topullit në Shkodër. Shërbimet inteligjente të vendeve të mëdha dhe veçanërisht të atyre totalitare, gjithnjë “mbajnë shënime” për njerëz që kanë prirje të merren me politikë, apo që kanë ndikim në krahinat e tyre.

Askush nuk e di saktësisht se ç’para prishte Enver Hoxha në Francë kur studionte dhe nuk jepte provime. Spekulimet kanë qënë nga më të shumtat, që nga “dashuritë“ me gra në moshë, tek homoseksualizmi, por askush veç tij nuk ka ditur saktësisht se kush i jepte para veç atyre të bursës. Diku ai përmend Bahri Omarin, por edhe pse nuk ishte i varfër, Omari vetë merrte një rrogë nga italianët edhe si kundërshtar i Zogut. Pas 7 prillit Bahriu ishte mes turmës të “antizogistëve” që vërshuan në administratën shqiptare të mbrojtur nga bajonetat e Duçes.

Ka diçka para 7 prillit, që edhe mund të jetë e ekzagjeruar nga propaganda komuniste, por mund të ketë edhe diçka të vërtetë. Enver Hoxha nxiti nxënësit e Liceut të ngriheshin për të kërkuar armë që të mbronin vendin nga pushtuesit italianë. Edhe pse dëshmitarët okularë më vonë kanë treguar se nxitësit dhe organizatorët kanë qënë të tjerë, kryesisht Abaz Ermenji dhe Safet Butka, dhe ndër më aktivët ka qënë Zai Fundo, unë nuk dua të fshij plotësisht përfshirjen e Hoxhës në atë ngjarje. Kishte një arsye të fortë personale, që Enver Hoxha nuk donte të vinte Italia. Tek Liceu Francez kishte gjetur një vend “pëllumbash”, ku paguhej shumë mirë dhe mund të bënte një jetë të rehatshme. Madje edhe mund të ndihte prindërit dhe motrat. E dinte që pushtimi do sillte mbylljen e Liceut dhe ndërprerjen e rrogës së tij. Jam i bindur, që “ndjenjat e tij patriotike” nuk prevalonin mbi ato materiale. S’kishte asnjë kualifikim që mund t’i siguronte një punë me një rrogë të mirë.

(vijon)

No comments:

Post a Comment