Edhe pse nuk është më një trotuar, pasi me realizmin e Këmbësores( pedonales) Bulevardi Shën Gjergji tashmë është bërë njësh me dy trotuaret dikur në krahët e tij. Eshtë një hapësirë e këndëshme e qytetit ku kam lindur. Ndoshta Bashkia duhet të ishte treguar më e kujdeshme me lokalet mbi “trotuar” ose më mirë me pjesët jo fikse të lokaleve të ish- Mapos. Megjithatë, e gjitha si kompleks është një pjesë shumë e bukur e qytetit.
Tani kam mësuar se është vendosur edhe një bust i Zai Fundos. Kam shkruar disa herë rreth figurës të përmasave europiane të Zait, që meriton emërtimin e një sheshi, të një institucioni të rëndësishëm të qytetit dhe pse jo edhe vendosjen e një shtatoreje.
Por vendosja në atë vend, ku dikur ka qënë trotuari dhe më pshtë disa koka të Rilindasve korçarë më duket i pavend dhe i pastudiuar. Nuk e di nëse Bashkia bën projekte më parë për ndërhyrje të tilla në Qendër të qytetit dhe i shpall për publikun shumë muaj para se të ngrihet monumenti përkujtimor. Sepse është tepër “marrok” ngjeshja e disa skulpturave në një hapësirë kaq të vogël. Të duket si një dëshirë mendjeshkurtër për të pasur një kokë, apo një skulpturë të një figure historike, medoemos në “presidiumin” e qytetit. Busti i Zait (unë do e mendoja shtatore) mund të ishte kudo në qytet, në një hapësirë të bukur dhe t’i jepte emrin asaj. Sepse janë emrat dhe monumentet që e bëjnë një hapësirë të rëndësishme dhe jo vendi që i bën të rëndësishëm figurat historike.
Në atë pjesë të Korçës, ka patur aq ngjarje me rëndësi, sa po t’i lidhim të gjita figurat historike me të do na duhen të kemi çdo dhjetë metra një ‘kokë të prerë“, një bust apo një shtatore.
Po përmend vetëm që 20 metra më poshtçë vendit ku ështe vendosur Zai, ka qënë varri i Anastas Lakçes, që meriton një bust apo edhe thjesht nj[ pllakë përkujtimore; atje pranë ka meshuar për herë të parë në shqip Fan Noli; është krijuar Republika Autonome; ka qënë shtëpia e Jovan Cico Kosturit; ka qënë shtëpia e Mandi Tërpos që e dhuroi për Mësonjtore; janë vrarë 59 korçarë gjatë një demonstrate paqësore dhe shumë e shumë ngjarje të tjera.
Nëse do nxitohemi se “kush ta kapë sa më parë Presidiumin” sigurisht që do krijojmë situata urbano-hapësinore të pakëndshme madje qesharake. Njëlloj si çvendosja e tre kokave të Rilindaseve pranë vendit të WC-ve Publike për shkak të një rikonceptimi idiot të Bibliotekës së Kolevicës nga australiani Uillson.
Sepse me këtë dëshirë për të vendosur gjithshka në qendër, nesër mund të kujtohen të vendosin Petro Ninin dhe Nuçi Naçin pranë Mësonjtores, madje edhe Vasil Avramin, Koçi Xoxen dhe Raqi Filon pranë Bashkisë. (Për Niko Peleshin është menduar që tani të vendoset më këmbë përkrah Themistokli Gërmenjit.)
Për të kapërcyer komentet me humor, që i bëj për ta ç’dramatizuar situatën urbane të krijuar nga vendosja e busrtit të Zai Fundos, po ritheksoj që ndërhyrje të tilla duhet të jenë të këshilluara mirë nga historianë, arkitektë, skulptorë dhe piktorë, si edhe të jenë të shpallura para qytetarëve, sepse hapësirat në atë pjesë të qytetit (por edhe përgjatë bulevard Republikës) janë shumë shumë kufizuara.
Vërtet që është vonë dhe nuk ka kuptim të kërkohet vendosja e Llazar Fundos në një vend tjetër, por është e domosdoshme, që në pjesën qëndrore të qytetit , tashmë të masakruar nga Kulla Vrojtuese të mos bëhen gabime të tjera.
Nëse do kisha diçka në dorë, do e shembja atë Kullë Turpi dhe në vend të saj do vendosja shtatoren e Zai Fundos, njeriut që ishte mes ideatorëve të Europës së Bashkuar, vendit ku na takon të jemi dhe të cilit me zor po i afrohemi.
Sepse kemi ende shalratanë, që bëjnë “qoka” dhe nuk marrin vendime të duhura, të pëlyeshme nga qytetarët e një qyteti dikur të mahnitshëm, si ishte qyteti im në vitet më të bukura të Zai Fundos.
No comments:
Post a Comment