Monday, 2 March 2026

Grimca të një kohe “të vdekur” (II)


 ...

Cupat e shtëpisë i shikonin me urrejtje ushtarët italianë, që ju hidhnin fjalë kur kalonin rrugës. Po jo të gjitha vajzat e mëhallës silleshin njëlloj. Kishte nga ato që pëlqenin të flisnin dy fjalë italisht me rinokët e përtej detit. Një nga të mëhallës, Andoneta, kishte ikur me një ushtar italian dhe rrinte diku në një dhomë të një shtëpie pranë kazermave të reja, që italianët kishin ndërtuar me të hyrë në qytet. Djemtë e mëhallës me “shejtanllëk” theshin se Andoneta kujdesej për divizionet italiane “Lupi di Toscana” dhe “General Arezo”, por askush nuk dinte saktësisht se ç’bënte vajza e mëhallës në dhomën pranë kazermave. I jati kasap turfullonte, se i dukej se e bija kishte shkelur nderin e familjes, por nuk shkonte ta kërkonte se nuk i dihej ç’mund të ndodhte me ushtarin italian. Edhe të tjerët në mëhallë ishin të preokupuar se e dinin që kasapi merrte zjarr shpejt dhe mund të bënte ndonjë “të pabërë“ me thikat dhe hanxharët e tij, po Andoneta e bukur një ditë u kthye në shtëpi për të ikur disa ditë më vonë me një ushtar tjetër italian. Ishte mirë që asgjë nuk ndodhi. Vetëm djemtë e mëhallës bëheshin xhelozë.

Disa prej tyre, më të mëdhenj, shkonin jashtë qytetit, në një shtëpi të madhe dhe të bukur, që kishte nisur të punonte si klub i oficerave italianë, por në gjysmën e saj punonte edhe si shtëpi dëfrimi për italianë dhe vendas. Nuk ishte aq lirë sa në Madam Pengenika në Katavarosh, po idea se mund të shkonin me shoqet e Alida Valit dhe Iza Polas i bënte të kursenin dhe të “kuturisnin” të zbrisnin ndonjë muzg në shtëpia e përfolur dhe të dilnin prej saj pas dhjetë minutash pa kursimet e muajit. Në qytet flitej se një nga djemtë e Tezhës, që bënte tregëti me Italinë, kishte patur një romancë prej disa muajsh me Alida Valin, por nuk dihej nëse ishte e vërtetë apo thashethem dhe sa më shumë ju ndizte fantazitë sensuale aq edhe ju kushtonte grindje të rinjve mes tyre. Ata që nuk donin ta besonin, theshin U bë çobani të ketë dashnore Alida Valin!”, ndërsa përkrahësit e idesë se çdo gjë ishte e mundshme theshin se po të ishe i pashëm dhe me para mund të bëje dashuri edhe me Greta Garbon.

Fotot e aktoreve më të bukura të Europës dhe Amerikës i shihnin shpesh, se dy djem të mëhallës, Guri Madhi dhe Vangjo Frashëri, pikturonin reklamat e kinemasë “Majestik”. Ata gjenin foto të aktorëve , por i vetëm sa ja u linin t’i shihnin në praninë e tyre. Nuk donin t’i humbnin fotot e “yjeve” të botës, sidomos në atë kohë lufte, kur asgjë, as jeta e më të privilegjuarve nuk ishte e sigurt.

...


No comments:

Post a Comment