(vijim)
Në gushtin e vitit 1943, kur kapitullimi i Italisë Fashiste pritej të ndodhte nga dita në ditë, me sugjerimin dhe ndërmjetësinë e anglezëve u organizua Konferenca e Mukjes. Eshtë e natyrshme që anglezët, si ‘sponsorizuesit” e formacioneve ushtarake të të gjithë krahëve, e kishin autoritetin të “imponoheshin” për këtë Konferencë bashkëpunimi. Ngjarja në fjalë, vendimet e saj dhe denoncimi janë interpretuar dhe interpretohen në mënyra të gabuara, qëllimisht ose jo. Nuk do merrem me to, por do jap idenë time si e shoh atë zinxhir ngjarjesh dhe rolin e Enver Hoxhës.
Unë mendoj se revoltimi i emisarëve jugosllavë, kur lexuan Vendimin e Mukjes nuk ka të bëjë aspak me Kosovën. Cështja e territoreve shqiptare atje ishte lënë e hapur. Jugosllavët (që drejtonin PKSH-në) e gjykonin që komunistët kishin lëshuar terren ndaj Ballit për ndarjen e pushtetit ndaj duhet të tërhiqeshin nga marëveshja. Duke qënë se Fronti edhe pa ndonjë kontribut të dukshëm, kishte bërë më shumë se Balli gjatë atyre viteve, nuk kishte kuptim të pranonin paritet, që mund t’i shpinte në një humbje të sigurt elektorale pas përfundimit të luftës në favor të Aleatëve. Vetë Titoja kishte arritur të shmangte nacionalistët e Drazhe Mihajlloviçit, që përfaqësonin Mbretin Petar nga ndarja e mundshme e pushtetit në qershor të vitit 1943. Ndaj ishte e logjikshme për ta që PKSH të ndiqte të njëjtën linjë.
Titos dhe emisarëve të tij nuk ju bëhej vonë për Kosovën.
Idetë e një Federate Komuniste Ballkanike, kanë qarkulluar në Komintern që para Luftës së Dytë ndaj kam bindjen që çështja e Kosovës nuk kishte të bënte me prishjen e Marëveshjes së Mukjes. Ishte thjesht çështje Pushteti.
Teza kosovare është trumbetuar qëllimisht nga “humbësit e Luftës” për të justifikuar mjaft veprime kolaboracioniste të kryera gjatë pushtimit italian dhe më tepër akoma gjatë pushtimit gjerman. Edhe të tjerë komunistë të goditur nga Hoxha, kanë përdorur “kartën” e Kosovës në shumë raste, si në ekzekutimin e Ramize Gjebresë ashtu edhe në vrasjen e Zai Fundos, Mustafa Gjinishit, goditjen e Nako Spirut apo të ndonjë komunisti tjetër të rëndësishëm gjatë Luftës dhe pas saj. Edhe për pasuesit e Enver Hoxhës nuk është shumë keq që gjithë ato krime t’ju “faturohen” jugosllavëve.
Ka patur dhe shumë politika dhe qëndrime të tjera, të ndryshme nga ato të jugosllavëve, që tregojnë se Hoxhën nuk e “hiqnin lehtë“ nga hunda emisarët e Titos. Ambiciet e tij apo edhe “këshilla” nga të tjerë ndikonin jo rrallë në vendimet e tij.
Italia kapitulloi pa pasur ndonjë betejë të Brigadës së Parë Sulmuese të udhëhequr me trimëri nga shoku Mehmet Shehu. Një pjesë e ushtarëve italianë u dorëzuan, një pjesë u larguan për në Itali. Me italianët u larguan nga Shqipëria edhe shumë shqiptarë që kishin qënë në poste drejtuese në qeverinë kuislinge. Kishin të drejtë, se e dinin që feudo-komunistët do ishin të pamëshirshëm edhe me ata që nuk i kishin lyer duart me gjak.
Por duke ju kthyer tezës fillestare të këtij shkrimi më duhet të shtroj pyetjen – A mbetej Hoxha sërish në “borderonë“ e shërbimit sekret italian, apo i pat kaluar ajo dosje gjermanëve, apo amerikanëve që kishin marrë në kontroll Italinë?
Të gjitha arkivat dhe materialet e SIM-it i kaluan shërbimit sekret italian SID dhe edhe pse mund të kenë bashkëpunuar me amerikanët nuk është e pamundur që dosje shumë të rëndësishme edhe mos ja u kenë bërë të njohura. Ka gjithnjë marëveshje midis fuqive të mëdha ndërluftuese, që shërbimet sekrete të kenë vazhdimësi dhe të mos shkatërrohen. SIM ishte një shërbim informativ jo pak i rëndësishëm në Europë, Afrikë dhe Azi.
A mundet që SID dhe qeveritë italiane të kenë mbajtur dosjen e Enverit në heshtje edhe pas luftës, për ta patur në raste kur ju duhej ndonjë favor nga vendi i vogël i shqipeve? Nuk është e pamundur.
Edhe pse satelite e Jugosllavisë së Titos dhe më pas e Bashkimit Sovjetik, Shqipëria mbajti me Italinë marëdhëniet më të mira se me të gjithë fqinjët dhe fuqitë e mesme kapitaliste.
Ka një ngjarje të rëndësishëme në periudhën e fundit të Luftës në Shqipëri, kur një formacion ushtarak anglez donte të zbarkonte në Sarandë dhe nuk u lejua nga partizanët me urdhërin e Enver Hoxhës. Eshtë një qëndrim për të cilin nuk janë fajësuar kurrë emisarët jugosllavë. Ndikimi i sovjetikëve në atë kohë ka qënë zero.
E ka bërë Enveri për të qënë i sigurt se anglezët nuk do lejonin të bënte zgjedhje të manipuluara pas Luftës? Ka qënë i këshilluar nga një qeveri tjetër për të mos rënë Shqipëria nën influencën angleze sikundër do binte Greqia? Të dyja janë pyetje me vlerë të barabartë.
Ndonëse ndenji 4 vjet e gjysëm në Shqipëri si pushtuese dhe ishte shkaktare e shumë jetëve të humbura, pas Konferencës së Paqes në Paris, Italia i pagoi Shqipërisë vetëm 5 milion dollarë si dëmshpërblim, që ishte 25 herë më pak se sa i pagoi Jugosllavisë. Ka një masakër të italianëve në Korçë menjëherë pas Kapitullimit, ku autoblindat e ushtrisë italiane kositën 59 gra e burra korçarë që po demonstronin paqësisht dhe plagosën 120 të tjerë. Vetëm për ta, dëmshpërblimi i paguar nuk mjaftonte. Por Enver Hoxha asnjëherë nuk e përmendi në ndonjë fjalë të tij atë masakër dhe as denjoi të vinte lule në lapidarin e thjeshtë të gjithë atyre martirëve, që kishin dalë të festonin paqësisht lirinë e Shqipërisë. Historiografët komunistë e lanë vazhdimisht në heshtje me shpresë se një ditë do të harrohej dhe shteti italian nuk kërkoi kurrë falje për të.
Ka dhe shumë ngjarje të tjera të brendëshme italiane, gjatë kohës së Diktaturës, kur propaganda e Hoxhës është treguar e butë ndaj shtetit italian. Në “vitet e plumbit” ‘70-’80, edhe pse dënonte terrorizmin e grupeve neofashiste, propaganda zyrtare shqiptare nuk ju thurrte lavde atentateve të terroristëve të majtë edhe pse ata vepronin në të njëjtën mënyrë, që vetë “marksist-leninistët” shqiptarë ju sugjeronin “mikropartive “ m-l në Europë, Azi dhe në Amerikën Latine. Ishte e qartë që Shqipëria donte të ruante marëdhënie të mira me shtetin italian, gjë që nuk e bënte me fqinjët e tjerë. Dhe në vitet që po flasim ajo nuk ishte më nën tutelën e Bashkimit Sovjetik.
Ashtu si e parashikoja që në hyrje, ka qënë shumë e vështirë të bindem vetë me sa di dhe sa rendita më sipër, që Enver Hoxha ka qënë për një kohë agjent i italianëve.
Por që ka qënë një komunist idealist as e kam besuar dhe as e besoj.
Ka qënë dikush i etur për pushtet dhe me një karakter tepër oportunist. Se si ky njeri, pa asnjë lidhje të madhe “tribale”, pa patur asnjë lloj ideologjie deri sa mbushi të 30-tat dhe pa patur karizmën e dikujt , të cilit turmat i vihen pas, arriti të dilte në krye të një vendi dhe ta sundonte për më se 40 vjet, kjo ka për të mbetur gjithnjë e mistershme për mua.
Ndoshta kur teknologjia të ketë përparuar aq sa të jetë në gjendje me lloje të sofistikuara sondash të depërtojë në Ferr, do e shohim se me kë rri dhe mund të kuptojmë diçka më shumë.
No comments:
Post a Comment