Pas disa ditësh do festohet me madhështi në Greqi, Revolucioni Grek. Nuk di nëse 25 marsi, që është edh e Festa Kombëtare e vendit fqinjë, ka të bëjë me ndonjë ngjarje që ka shënuar fillimin apo fundin e luftës patriotike të të krishterëve ortodoksë për t’u shkëputur nga sundimi i Turqisë dhe që solli formimin e shtetit grek.
E theksoj “të krishterët ortodoksë“, sepse brenda asaj lëvizjeje ka pasur grekë, shqiptarë, arvanitas, arumunë, maqedonas ndoshta edhe sllavë të tjerë. Por shteti që u formua ishte Greqia, e cila nuk ka asnjë lidhje me atë të Lashtën, madje as me Perandorinë Bizantinë.
Por mos hyj thellë në këto “thekra” të Historisë dhe le të shtjelloj në disa paragrafë, atë çka më ngacmoi nga “përballja” me 200 vjetorin e ngjarjeve që lidhen edhe me shqipfolësit Bubulina, Boçari, Xhavella dhe të tjerë.
“Malaka” është një fjalë e rëndë greke, që ka mëse 30 vjet që përdoret si “bukë me djathë“ në shtetin fqinj, madje e dinë edhe shumë t huaj nëpër botë, që kanë të bëjnë me grekë. Kuptimi më i përafërt në shqip (për mua) është - “zarbë“.Njohuritë e mija rreth figurave kryesore të lëvizjes kombëtare greke janë shumë të kufizuara. Por gjithashtu janë të pa “manipuluara” nga historiografia greke. Edhe me fqinjët tanë ballkanikë ka ndodhur ajo që ndodh me shumë vende ku historia zyrtare është e shkruar me qëllim të forcimit të ndjenjës së identitetit. Dhe që në më të mirin e rasteve është me shtrembërime të mëdha.
Por edhe ne, qoftë për qëllime diplomatike, si edhe për të ngritur “heroizmin” e arvanitasve, që ishin vërtet mes heronjve të lëvizjes për pavarësi nga Perandoria Otomane, jemi të prirur të flasim për bëma heronjsh.
Heronjtë e Revolucionit grek janë kryesisht piratë dhe kleftë. Janë kjo kategori njerëzish, që ngrihen dhe rebelohen ndaj pushtetit në rradhë të parë se nuk duan të ketë institucione dhe në rradhë të dytë se duan që të marrin në dorë pushtetin dhe të përfitojnë prej tij. Ka ndodhur në të gjithë kohërat dhe vendet dhe vazhdon të ndodhë. Shembujt më të prekshëm, për ne që “përtojmë të lexojmë“ janë ato të historisë sonë të shekullit të XX duke nisur me luftën e Vlorës, luftën e Dytë dhe deri në përmbysjen e Diktaturës dhe ngjarjet e vitit 1997. Nuk na duhet ndonjë kujtesë e jashtëzakonshme për të mos harruar takimin e Zani Caushit me Romano Prodin apo Sali Berishën dhe vrasjet e bujshme të Tropojës. Në Tiranën tonë të vyer kemi shtatore të Azem Hajdarit, bust të Ahmet Zogollit dhe ndoshta mund të vendoset në të ardhmen edhe një bust i Fatos Nanos apo shtatore e Edi Ramës. Nuk ka nevojë të komentoj gjatë për këtë Panteon tonin.
Por le të kthehemi në Mesologj, ku dikur u ngritën të krishterët ortodoksë, të ndihmuar financiarisht nga Rusia dhe që sollën krijimin e Greqisë moderne, të cilën Europa që e kishte mbështetur, nuk e solli dot “në dinë“ për mëse një shekull. Eshtë e vështirë të krijosh shtet me institucione të mira në vende ku njerëzve ju mungojnë aftësitë shtetformuese. Fitorja e ballkanasve në vitin 1826 hapi rrugën e pavarësisë dhe e krijimit të kombeve të tjera ballkanikë. Të fundit, si gjithnjë“ ishim ne , por më mirë vonë se kurrë.
Duke nisur me Greqinë, historia mori kthesë në sajë të “malakave” dhe u shkruajt nga “malakat”. Nuk ndodh dot ndreyshe sepse duke përjashtuar “idealistët” që përgjithësisht nuk janë të shumtë, zarbat kanë edhe motivet për t’u ngritur edhe kurajën për të vrarë. Nuk e kanë të gjithë njerëzit.
Me gjithë sa shkrojta nuk dua aspak të mbroj Perandorinë Otomane. Rënia e saj do vinte dhe edhe copëzimi do ndodhte. Këtë janë ligje që përcaktojnë ndryshimet në shoqërinë e madhe njerëzore. Veç dua të tërheq vëmendjen e lexuesve të thjeshtë, që manipulohen lehtë nga tekstet shkollore, që jo të gjithë heronjtë e një vendi, të rënë në beteja kanë qënë me të vërtetë heronj. Shumë prej tyre kanë qënë ndër njerëzit me më shumë vese dhe më mizorë. Ata syresh, që nuk kanë rënë betejave, kanë kryesuar qeveri dhe kanë bërë atë që bëjnë zakonisht maskarenjtë. Kanë sunduar në mënyrën më të keqe.
Ngjarjet e ditëve të sotme, në vendet e Lindjes së Mesme, janë gjithashtu një ilustrim i çka kam përmendur më lart. Nuk është zor të krahasosh me të kaluarën Bibi Netanjahun apo drejtuesit e Hamasit, bastardët e Hezbullahut apo princin kriminel të Arabisë Sauditë.
Por ndodh kështu dhe nuk na mbetet gjë veç të mbyllim sytë dhe veshët dhe të përulemi edhe para zarbave.
Për njërin prej tyre, shqiptarët qanë me kuje prillin e vitit 1985. Ndoshta monumentet e tij nuk do kthehen më kurrë.

No comments:
Post a Comment