Wednesday, 11 March 2026

Grimca të një “kohe të vdekur” (III)

 


...

Tomi ndiqte shkollën e mesme të ndërtimit, që nuk ishte larg nga shtëpia e Kolevicave ndaj shkonte shpesh tek Vasi dhe rrinin me orë të tëra duke kënduar. Mundoheshin të krijonin profilin e tyre edhe në “këngët e rrugëve” duke futur elementë të muzikës pop, që ishte ndër më të përhapurat, krahas rokut, në vitet ‘70. Por gjithshka brenda një suaze të përgjithshme të këngëve qytetare korçare dhe medhetare, por me përpjekje për të kaluar në tonalitete për rregjistra të larta zanore dhe për të dalë nga tradicionalja “la minor”. Këndonin së bashku, një këngë që Vasi e kishte formuluar mbi vargjet e Tagorës dhe që duke e kënduar të dy e kishin orkestruar dhe bërë më të plotë. Kolevica kishte një bibliotekë të pasur dhe i pëlqente që i biri lexonte poezi. Mes librave ishte dhe libërthi “Kopshtari “ i nobelistit Tagora që kishte frymëzuar adoleshentët për këngën që fillonte në disa nota tepër të larta:

Ishte një mëngjes kur më takoi

Një Vajzë e bukur që më dhuroi

dhe më pas shtrohej në një tonalitet minor, për tu ngritur sërish në refren.

Dhimitraqi mallëngjehej ndërsa dëgjonte të birin të këndonte plot ndjenjë dhe mendonte se sa do gëzohej e jëma pianiste, po të kishte mundësi ta dëgjonte. Do i bëne edhe shumë vërejtje për kalimet e vështira vokale nga do të ulëta në si tepër të vështira për tu kapur nga adoleshentët, zërat e të cilëve kishin nisur të trasheshin.

Të birit nuk i hiqej nga mendja e jëma. Kishin kaluar më shumë se dhjetë vjet dhe kur e vizitonte shihte që ishte gjithnjë edhe më e rënë. Edhe pse nuk e jepte veten.

Tomi Kondakçiu kishte nisur të këndonte shpesh edhe me një shok të klasës që nuk kishte shumë kohë që kishte ardhur në Korçë. Ishte një djalë me pak fjalë, që i pëlqente të dukej si Xhon Lenon edhe pse në ato kohë ishte shumë e rrezikshme të mbaje flokë si të Xhonit. I porsaardhuri tolerohej më tepër nga autoritetet dhe mësuesit e shkollës, se i jati ishte Kryetar i Degës së Punëve të Brendëshme të Korçës. Edhe Vasit i qëllonte të këndonte me djaloshin, ndonëse i riu ishte më shumë i prirur të këndonte këngë angleze, sepse i njihte pak ato korçare apo greke. Duket që kishte edhe shije të mira muzikore dhe kjo e kishte tërhequr shumë Kondakçiun dhe të tjerët.

Një ditë, djali i ardhur nga një qytet i largët, kishte shkuar ta thërriste Vasin dhe i jati e kishte parë nga dritarja. “Nuk e njoh këtë djalë? Cili është?” -e pat pyetur të birin dhe ai i kishte shpjeguar se i kujt ishte. “Mos dil ti se e llafos unë!”- i kishte thënë të birit dhe kishte nxituar ta takonte tek dera e jashtme. Pasi kishte këmbyer disa fjalë, djaloshi ishte larguar kokëulur dhe Dhimitraqi ishte kthyer brenda. Vasi e kishte pyetur se ç’i kishte thënë dhe i jati i ishte përgjigjur vetëm “Atë që duhej t’i thoja!” dhe nuk e zgjati.

Një vit më vonë, këngëtari i talentuar Tomi Kondakçiu u arrestua për tentativë arratisjeje dhe u dënua. Nuk kishte mbushur ende 20 vjet. Vasi e mësoi arrestimin ndërsa ishte në “karantinën” e shërbimit ushtarak në Elbasan. Kujtoi edhe takimin e të jatit me djalin që vinte nga një qytet i largët. Ndjeu shumë dhimbje për shokun që kishte përfunduar pas hekurave. Ndoshta po të kishte qënë në vendin e tij mund të kishte përfunduar akoma më keq. I dënuar pëjetë. Si një armik i ardhur nga një familje armike e pandreqshme. E betuar kundër çështjes së partisë dhe të Revolucionit. Mendoi të ulte sa më shumë kokën ndërsa punonte me lopatë në kompaninë e Xhenjos gjatë shërbimit ushtarak. Në repartin ku ushtarëve nuk ju lejohej të mbanin armë të vërteta, por prej druri. Për të mos i kthyer kundër Partisë dhe shokut Enver. Sepse ata vërtet ju kishin dhënë mundësinë të kryenin shërbimin ushtarak (gjë që askush nuk e pëlqente në atë kohë), por edhe një sy e mbanin tek pinjollët e armiqve të klasës. Vasillaq Kolevica ishte njëri prej tyre.

...

No comments:

Post a Comment